Pas balotazhit të zhvilluar në 18 komuna, të dielën, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike do të udhëheqin me nga shtatë komuna, Partia Demokratike do të jetë në pushtet në gjashtë e AAK-ja në pesë. Pas fitores pa kundërkandidat në Kllokot, Lista Serbe ka fituar në total në dhjetë komuna, të gjitha të banuara me shumicë serbe. Nisma fitoi në rundin e parë në Malishevë, ashtu si Ramiz Lladrovci në Drenas. KDTP-ja doli e para në Mamushë. Balotazhi i së dielës kaloi i qetë dhe pa incidente të mëdha
Beteja finale për pushtetin lokal ka marrë epilog të dielën në balotazhin e zhvilluar në 18 komuna të Kosovës. Nëpërmjet votës, qytetarët vendosën se kush do të udhëheqë në Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Mitrovicë të Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.
Procesi ka kaluar i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vonesa në hapjen e qendrave të votimit në disa zona, fotografim të fletëvotimeve, e probleme me votimin me asistencë.
Mbi 32.5 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në 18 komunat që ishin në balotazh, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën. Ndërkaq në rundin e parë në të gjitha komunat, dalja ishte rreth 40 për qind.
Balotazhi e konfirmoi hartën e re politike të udhëheqjes së komunave. Vetëm në katër komuna me shumicë shqiptare do të ketë kryetarë të rinj pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor dhe balotazhit më 9 nëntor. Ndryshim të pushtetit ka në Mitrovicën e Jugut, Fushë-Kosovë e Obiliq. Në të tria komunat kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Faton Peci fitoi në Mitrovicë, Valon Prebreza në Fushë-Kosovë e Halil Thaçi në Obiliq.
Ndërkohë, në Kaçanik vazhdon të jetë në pushtet Partia Demokratike, por në vend të Besim Ilazit, kryetar do të jetë Sabedin Vishi.
LVV-ja e LDK-ja do të udhëheqin nga shtatë komuna
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas numërimit të votave në shumicën e vendvotimeve, do të udhëheqin nga shtatë komuna.
Lëvizja Vetëvendosje nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë. Pati fituar në rundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë.
Kryetari i këtij subjekti, Albin Kurti, ka thënë se ky është sukses i madh marrë parasysh se të gjitha subjektet e tjera, sipas tij, ishin kundër kandidatëve të LVV-së.
“Është një situatë e paprecedentë në historinë politike elektorale të Kosovës andaj ky është një sukses i VV-së dhe i qytetarëve. Po i presim rezultatet ende në komunat e tjera. Me siguri që do t’iu drejtohemi sërish kur t’i marrim ato, mirëpo tash më duhet të shkojë me nxitim në tubimin festiv së pari në Fushë-Kosovë, pastaj në Kastriot e mandej në Mitrovicë”, ka thënë Kurti në një deklarim pas mbylljes së votimeve.
Kurti mori pjesë edhe në festën e fitores në Obiliq dhe në Mitrovicë.
Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë pati fituar në Istog e Lipjan, ndërsa në balotazh triumfoi në Prishtinë, Pejë, Dragash, Junik e Viti. Por kjo parti e humbi pushtetin në Obiliq e Fushë-Kosovë. Kandidati i LDK-së për Obiliqin, Xhafer Gashi, i cili udhëhoqi me këtë komunë për 12 vjet, pas humbjes në zgjedhjet lokale ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në parti.
Pak orë pas mbylljes së kutive të votimit, Lidhja Demokratike e shpalli fitoren në Komunën e Prishtinës.
Lumir Abdixhiku, kryetar i kësaj partie, në një konferencë për media ka thënë se kjo ka qenë fitore e idesë dhe punës.
E Përparim Rama ka folur edhe për kundërkandidatin e tij, Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje të cilit i ka kërkuar “reflektim”.
“E ftoj të reflektojë me frymë qytetarie. Prishtina ka nevojë për bashkëpunim jo bllokim. Qytetarët s’meritojnë pengesa, por punë të përbashkët. Për këtë qytetari ka folur dhe fjala e tij është vendim. Prishtina ecën përtej. Është qytet që nuk e pret të ardhmen por e ndërton atë”, ka thënë Rama.
Kryetari edhe për një mandat i Prishtinës, Përparim Rama, në tubimin festiv pas balotazhit të 9 nëntorit, ka thënë se qytetarët e Prishtinës edhe një herë treguan se dëshirojnë zhvillim e jo bllokim.
Në fjalën e mbajtur pas fitores ndaj Hajrulla Çekut të Vetëvendosjes, Rama ka thënë se Prishtina tani po bëhet metropol.
“Prishtina tregoi që ka zhvillim, tregoi që nuk dëshiron bllokim. Po shkojmë përpara drejt zhvillimit. E filluam katër vjet më parë me projekte të mëdha për transformim të kryeqytetit tonë të zemrës. Nuk është vend i vogël, Prishtinën tani po e bëjmë metropol së bashku”, ka thënë ai.
Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje e ka uruar Përparim Ramën për fitoren në balotazhin në Prishtinë.
Çeku ka thënë se i uron Ramës fitoren dhe Prishtinës që “të dalë nga kaosi në të cilin është futur”.
“Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë. Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë. E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur”, ka shkruar Çeku në Facebook. “Si Lëvizje Vetëvendosje!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund”, ka shtuar ai.
Partia Demokratike e Kosovës pos Skenderajt, Ferizajt e Hanit të Elezit në raundin e parë, më 9 nëntor fitoi edhe në Prizren, Kaçanik dhe Vushtrri. Por e humbi pushtetin në Mitrovicën e Jugut.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një paraqitje për media së bashku me Shaqir Totajn ka shpallur fitoren në Prizren.
Totaj ka garantuar se Prizreni do të vazhdojë me transformimin.
“Prizreni është qytet me shumë vlera historike. Kjo fitore u takon qytetarëve të Prizrenit sepse kanë dit me votu, kanë dit me vlerësu”, ka thënë Totaj, për të cilin është mandati i dytë në krye të Prizrenit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheqë në 5 komuna. Pas fitores në Deçan, në raund të dytë doli e para edhe në Gjakovë, Suharekë, Rahovec e Klinë.
“Kemi fituar me 58 për qind të votave, pa i llogarit ato me kusht dhe të diasporës që s’kanë mundësi me ndryshua rezultatin shumë”, është shprehur Ardian Gjini pasi siguroi edhe një mandat në krye të Gjakovës.
“Jemi fitues! Qytetarë të dashur të Rahovecit, fitorja është e jona! Nesër nisim punët e projektet e mëdha, por sonte është festë për të gjithë qytetarët anekënd Rahovecit. Siç kam qenë përherë, edhe në këtë mandat do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve, me drejtësi, barazi, transparencë e llogaridhënie. Le të mblidhemi nga ora 08:30 në Rahovec, nga ora 09:00 në Krushë të Madhe, nga ora 09:30 në Xërxë, nga ora 10:00 në Fortesë e nga ora 10:30 në Ratkoc! Urime të gjithëve e faleminderit për kulturën e qytetarinë përgjatë këtij procesi demokratik zgjedhor!”, ka shkruar Smajl Latifi, që po ashtu u rikonfirmua kryetar në Rahovec. Edhe ai vjen nga AAK-ja.
Lista Serbe pati fituar 9 komuna në rundin e parë, ndërsa në të dytin pa kundërshtar fitoi në Kllokot dhe është subjekti me më së shumti komuna nën udhëheqje.
Ramiz Lladrovci pati fituar në Drenas, ndërkaq Nisma në Malishevë. Në Mamushë në balotazh ka fituar KDTP-ja.
Në fakt, vetëm në një nga 18 komunat u përmbys rezultati në balotazh në krahasim me rundin e parë. Bëhet fjalë për Obiliqin. Në rundin e parë, Xhafer Gashi i LDK-së ishte i pari me 5859 vota apo 46.20% krahasuar me Halil Thaçin e LVV-së që kishte 5626 vota apo 44.37%.
Por në balotazh, Thaçi mori 6353 vota apo 51.24%. E Gashi siguroi 6046 vota apo 48.76%.
Sipas numrit të popullsisë me komunat ku do të udhëheqin, del se LDK-ja do ta ketë numrin më të madh. Me komunat e fituara i bie që LDK-ja të udhëheqë me 463 mijë e 963 banorë. PDK-ja është e dyta me 440 mijë e 736 banorë, LVV e treta me 349 mijë e 410, AAK-ja me 219 mijë e 512 banorë kurse numri i popullsisë me të cilën do të qeverisë Lista Serbe është 66 mijë 163, në total dhjetë komuna të fituara. Edhe për nga sipërfaqja e territorit nga totali i komunave, LDK-ja ka më së shumti me 2 mijë e 701 kilometra katrorë, pastaj LVV-ja - 2 mijë e 101 kilometra katrorë, PDK-ja - 1 mijë e 993 kilometra katrorë, AAK-ja - 1 mijë e 829, kurse Lista Serbe – 1 mijë e 705 kilomtra katrorë.
Problemet që e shoqëruan procesin
Gjatë ditës së diel nuk munguan as ankesat për vështirësi në realizimin e të drejtës për të votuar. Mes tyre, drejtoresha ekzekutive e organizatës “Down Sindrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, ka thënë se personave me aftësi të kufizuara nuk iu lejua të votojnë.
Lidhur me ankesat për votimin me asistencë, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë gjatë ditës se votimi me asistencë për personat me aftësi të kufizuara, ata që nuk mund ta mbushin dhe nuk mund ta hedhin fletëvotimin, është i garantuar me Ligjin për Zgjedhjet dhe me rregulloret e KQZ-së. Sipas tij, për të shmangur abuzimet me votimin duke i asistuar këta persona, është vendosur që aftësia e kufizuar e votuesit duhet të dëshmohet përmes dokumentit përkatës.
Ani se nuk pati incidente të mëdha që do ta cenonin procesin e zgjedhjeve, Prokuroria ishte aktive duke iniciuar disa raste. Prokurori i Shtetit ka njoftuar se të dielën ka ndaluar tre persona për vepra penale që lidhen me procesin zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Sipas njoftimit, rreth 80 prokurorë dhe personel i sistemit prokurorial janë angazhuar gjatë gjithë ditës për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe kanë vazhduar punën e tyre edhe gjatë numërimit të votave.
Pas verifikimit të informacioneve të pranuara gjatë ditës, është konstatuar se vetëm dy raste paraqesin elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit.
Rasti i parë është regjistruar në Fushë-Kosovë, ku dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.
Rasti i dytë është regjistruar në Klinë, ku një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Cenim të fshehtësisë së votimit”.
Pati ankesa edhe nga vetë subjektet politike që ishin në garë, tek paralajmëruan se rastet do t’i deponojnë në Prokurori.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në Junik kanë votuar edhe qytetarë që nuk janë banorë të kësaj komune.
“Të dhënat tona nga shtabi në Junik, tregojnë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune. Kujtojmë se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe çdo rast i tillë do t’i përcillet institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë, për hetim dhe veprim, ku do të bëjmë padi për secilin person veç e veç. Ftojmë të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe në rundin e parë AAK-ja ka pasur ankesë të tillë për votimin në këtë komunë. Në balotazh, Agron Kuçi i AAK-së u përballë me Ruzhdi Shehun e LDK-së.
Në një linjë me AAK-në ka qenë edhe Jetmir Tofaj, i cili në rundin e parë ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet lokale në Junik.
Ai ka thënë se pati përpjekje për të deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve të kësaj komune nga individë dhe grupe të caktuara, të cilët sipas tij, kanë angazhuar persona që nuk kanë vendbanim në Junik, por megjithatë, janë paraqitur për të votuar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 15:30 është raportuar për një sulm verbal në fshatin Korishë të Prizrenit, mes dy qytetarëve, që ishin vëzhgues në balotazh.
Policia ka bërë të ditur se të dy janë ftuar në stacion policor për intervistim dhe është konstatuar se incidenti nuk ishte i ndërlidhur me procesin zgjedhor.
E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është përplasur me një aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sveçla e ka fotografuar aktivistin me pretendimin se ai kishte të vendosur një simbol të LDK-së, e që sipas Sveçlës, kjo nuk është e lejuar për shkak të heshtjes zgjedhore. E aktivisti i LDK-së, e ka paralajmëruar Sveçlën se do ta dërgojë në gjykatë, pasi sipas tij, nuk guxon ta fotografojë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka dënuar këtë sjellje të ministrit Sveçla tek e ka cilësuar shenjë të panikut.
“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”, thuhet në reagimin e LDK-së.
DNV: Angazhimi publik i kryeministrit vuri në pikëpyetje neutralitetin institucional
Aktiv në ditën e zgjedhjeve ishte edhe koalicioni i organizatave të shoqërisë civile, “Demokracia në veprim”. Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se angazhimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditës duke shkuar në disa komuna, ka vënë në pikëpyetje neutralitetin institucional dhe ka krijuar perceptim të ndërhyrjes në procesin zgjedhor.
“DnV thekson gjithashtu që angazhimi publik i kryeministrit në detyrë gjatë ditës së zgjedhjeve, në disa komuna, e vë në pikëpyetje neutralitetin institucional dhe krijon perceptimin e ndërhyrjes në proces zgjedhor. Ky element, ndonëse nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit, bie ndesh me parimin e barazisë së garës dhe standardet e sjelljes gjatë ditës së zgjedhjeve. DnV thekson se përfundimi i suksesshëm i këtij raundi duhet të pasohet me transparencë dhe saktësi të plotë gjatë procesit të numërimit dhe publikimit të rezultateve. Po ashtu, kërkojmë nga subjektet politike që të presin publikimin e rezultateve preliminare nga KQZ-ja, para se të deklarojnë fitoret, në mënyrë që të ruhet qetësia”, thuhet në komunikatë pas balotazhit në 18 komuna.
Sipas DNV-së, qytetarët kanë votuar lirshëm, ndërsa procesi në qendra të votimit është menaxhuar në mënyrë përgjithësisht të rregullt. DnV ka thënë se ndryshim ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës së votimit me asistencë.
“Një ndryshim i rëndësishëm në këtë raund ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës për votimin me asistencë, i cili ka sjellë një ulje të dukshme të rasteve të tilla në krahasim me raundin e parë. Megjithatë, ndryshimi i mënyrës së zbatimit të këtij rregulli nga ana e KQZ-së¸ në mes të dy rundeve, ka krijuar vështirësi për shumë qytetarë – sidomos ata të shtyrë në moshë ose me probleme në shkrim-lexim, të cilët janë kthyer pa mundur të votojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar nga KQZ”, kanë thënë nga DnV-ja.
Gjatë ditës, Kurti ka qëndruar në disa komuna. Në Mitrovicë, një kafene u mbyll me arsyetimin për të shmangur tensionet e mundshme.
Thirrje për proces të qetë e demokratik pati edhe nga presidentja Vjosa Osmani, pasi votoi në kryeqytet.
Sipas saj, edhe kjo ditë është po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve sepse vendoset përfundimisht se kush do të qeverisë.
“Është ditë po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve. Sot përfundimisht vendosin jo vetëm se kush do të qeverisë, por vendosin edhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Rrjedhimisht shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe të dalë të votojë. Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon dhe kjo është pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime dhe se organizojmë zgjedhje të lira e demokratike”, ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani.
E pyetur për ndonjë ndikim të mundshëm të rezultatit të zgjedhjeve lokale në ato nacionale, Osmani ka thënë se “këto janë procese të ndara, zgjedhjet komunale nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional në të cilin po kalojmë”.
Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka deklaruar se zgjedhjet komunale janë të rëndësishme për dinjitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
I pyetur për qëndrimin e tij të vazhdueshëm në Mitrovicë, Kurti ka thënë se gjatë kësaj fushate ka punuar me tri ndërrime dhe se është përpjekur të vëzhgojë përgatitjet për zgjedhje.
“Gjatë kësaj fushate unë kam punuar në tri ndërrime anë e mbanë Komunave të Kosovës. Jam përpjekur të vëzhgoj të gjitha përgatitjet për zgjedhje. Zgjedhjet komunale janë jo më pak të rëndësishme sesa ato parlamentare e qendrore. Tejet e rëndësishme për mirëqenien e dinjitetin dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve. Fletëvotimi ishte i thjeshtë i kishte vetëm dy emra. Njëri prej tyre medoemos do të fitojë në mbrëmje”, ka deklaruar Kurti.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka përmendur edhe zgjedhjet nacionale pasi ka votuar në kryeqytet.
Sipas tij, nga e hëna fokusi do të jetë te zgjedhjet nacionale tek shtoi se pritjet janë që në fund të dhjetorit të ketë sërish zgjedhje.
“Menjëherë nga dita e nesërme do të kthejmë fokusin te zgjedhjet nacionale. Pritjet tashmë janë se në fund të dhjetorit do të kemi festën e ardhshme zgjedhore dhe vendimmarrjen demokratike në Republikën e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pasi votoi i ftoi të gjithë qytetarët të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën për votë. Krasniqi u shpreh i bindur se sikurse edhe në rundin e parë, procesi do të shkojë me rregull.
“Sot në të gjitha komunat ku ka balotazh për kryetar të komunave, unë i ftoj qytetarët që të dalin dhe të marrin pjesë pavarësisht zgjedhjes së parë që kanë bërë. Secili prej tyre mund ta luajë një rol të rëndësishëm për t’u dhënë drejtim komunave ku jetojnë në katër vjetët e ardhshëm. Me shpresën që do të kemi një dalje masive dhe substanciale që vërtetë do të reflektojë vullnetin e qytetarëve. Uroj që edhe ky proces të shkojë me rregull sikurse rundi i parë. Ditë e mirë për Kosovën, për komunat dhe besoj që përfundimisht do të kemi një përmbyllje të një procesi që i jep drejtim katër viteve të ardhshme”, ka deklaruar Krasniqi.
20 komuna e kanë vendosur kryetarin në rundin e parë, i cili është mbajtur më 12 tetor.
Kryetarët e komunave kanë mandat 4-vjeçar.
Votimi deri në orën 13 krahasuar me rundin e parë zgjedhor – në cilat komuna ra e ku u shtua interesimi
Votimi deri në orën 13 krahasuar me rundin e parë zgjedhor – në cilat komuna ka rënë interesimi
18 komuna, të dielën e 9 nëntorit po i nënshtrohen balotazhit në kuadër të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Por megjithatë, në ciklin e dytë të zgjedhjeve duket se ka rënie të interesimit të qytetarëve për të votuar. Dalja më e ulët është regjistruar në Prizren.
Në përqindje të lehtë, rritje e interesimit të qytetarëve për të votuar është shënuar në Mitrovicë të Jugut, Mamushë, Junik e Obiliq.
Rritja më e madhe e përqindjes së qytetarëve si pjesëmarrës në votime është regjistruar në Mamushë. Atje deri në orën 13:00 kanë votuar 40% e qytetarëve, ndërsa deri në orën e njëjtë në rundin e parë, votuan 35.89% e qytetarëve. Poashtu, Mamusha është komuna me pjesëmarrjen më të lartë edhe nga komunat e tjera në nivel vendi.
Edhe në Mitrovicën e Jugut, ka rritje të interesimit të qytetarëve për të votuar. Në rundin e parë dalja e qytetarëve deri në orën 13:00, ishte 16.98%, ndërsa në balotazh kjo shifër ka rritje për 1% apo 17.80% e totalit të qytetarëve.
Rritje të interesimit të qytetarëve për të votuar është regjistruar edhe në Junik. Në rundin e parë, deri në orën 13:00, votuan 27.26% e qytetarëve, ndërsa në ditën kur po mbahet balotazhi, deri në të njëjtën orë kanë votuar 28.39% e qytetarëve atje.
Ndërkohë në Prishtinë, në rundin e parë, deri në orën 13:00 dalja e qytetarëve ishte 19.20% por në balotazh kjo përqindje ka rënë në 17.57%.
Në Gjakovë, më 12 tetor deri në orën 13:00 votuan 14.12%, por kjo shifër sipas KQZ-së në balotazh është 10.65%.
Rënie e daljes në votime është regjistruar edhe në Gjilan. Në rundin e parë votuan 16.39% e qytetarëve, ndërsa në balotazh sipas KQZ-së, kanë votuar 13.69%.
Një rënie prej 2% është regjistruar edhe në Komunën e Fushë-Kosovës. Në rundin e parë deri në orën 13:00, votuan 18.34% e qytetarëve, ndërsa në balotazhin e 9 nëntorit, 16.92 e qytetarëve.
Rënie të interesimit të qytetarëve për të votuar deri në orën 13:00 është regjistruar edhe në Pejë. Nga 15% sa ishte në rundin e parë, tashmë në rundin e dytë dalja ka rënë në 11.24%.
Por, dalja më e ulët është regjistruar në Prizren. Vetëm 9% është dalja e qytetarëve deri në orën 13:00 nga rreth 12% sa ishte në rundin e parë të zgjedhjeve lokale.
Rënie prej 4% të daljes së qytetarëve është regjistruar edhe në Suharekë. Në balotazh deri në orën 13:00, kanë votuar 11.84% e qytetarëve, ndërsa në rundin e parë, votuan 15.37% e qytetarëve.
Dalje më e vogël në balotazh është regjistruar edhe në Vushtrri. Deri në orën 13:00 kanë votuar 14.27% e qytetarëve, ndërsa në rundin e parë krahasuar me të njëjtën orë sipas KQZ-së, kishin votuar 16.98% e qytetarëve.
Dalje shumë më e vogël në përqindje, krahasuar me rundin e parë është shënuar edhe në Kllokot. Atje, në balotazh dhe deri në orën 13:00 kanë votuar vetëm 16% e qytetarëve, ndërsa në rundin e parë, dalja ishte deri në gati 30%.
Pula: Disa raste nën hetim, përfshirë ryshfet dhe fotografim të votës
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, në emisionin special që i kushtohet ditës së zgjedhjeve në KTV, ka njoftuar se janë evidentuar disa raste që po trajtohen nga organet e rendit dhe të drejtësisë.
Pula ka thënë se deri tani janë ndërmarrë veprime ndaj disa personave të dyshuar për shkelje të ndryshme gjatë procesit zgjedhor, përfshirë raste që lidhen me marrje dhe dhënie ryshfeti, si dhe me fotografim të votës.
“Është rasti në Fushë-Kosovë, ku dy persona janë të ndaluar lidhur me veprën penale të marrjes dhe dhënies së ryshfetit dhe ndaj tyre tani do të vazhdojë procedura e mëtutjeshme, ndaj njërit është sekuestruar telefoni me të cilin është kryer vepra penale. Përpos këtij rasti, të ndaluar persona deri më tani nuk kemi, kemi incidente të ndryshme apo informacione të cilat me të marrë ato kemi reaguar në secilin vend. Kemi edhe sot raste të fotografimit të votës. Përveç rastit në Fushë-Kosovë, ka pasur edhe një rast që mu tani ka ndodhur në njërën prej komunave, ku është ndaluar një person, por është ndaluar për intervistim e jo ndalim me vendim të prokurorit”, ka deklaruar ajo.
Pula theksoi gjithashtu se çështja e asistencës për personat me aftësi të kufizuara ose me pengesa të tjera gjatë votimit është kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe se për këto raste nuk ka ndonjë hetim penal të hapur.
“Çështja e asistencës së personave qoftë me aftësi të kufizuara apo me pengesa të tjera, të cilët duhet të votojnë me prezencë të asistencës është çështje e rregulluar me KQZ dhe për këto është përgjegjëse KQZ-ja, e cila e ka bërë publike sa e di unë dhe informacionet e duhura i kanë dhënë me kohë. Nuk ka raste penale të hapura për to”, ka theksuar ajo.
Balotazhi po zhvillohet në 18 komuna të vendit dhe, sipas autoriteteve, procesi po vazhdon përgjithësisht qetë dhe pa incidente serioze.
13,33% e qytetarëve votuan deri në orën 13:30
Mbi 175 mijë e 400 qytetarë e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në orën 13:30 në raundin e dytë të zgjedhjeve që po mbahet në 18 komuna.
Pjesëmarrja në përqindje deri në këtë orë është 13,33.
Siç është njoftuar nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, procesi i votimit nëpër komuna po zhvillohet normalisht.
Sveçla e akuzon aktivistin e LDK-së për shkelje të heshtjes zgjedhore, partia i përgjigjet
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është përplasur me një aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sveçla e ka fotografuar aktivistin me pretendimin se ai kishte të vendosur një simbol të LDK-së, e që sipas Sveçles kjo nuk është e lejuar për shkak të heshtjes zgjedhore. Ky i fundit, e ka paralajmëruar se do ta dërgojë në gjykatë, pasi sipas tij, nuk guxon ta fotografojë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka dënuar këtë sjellje të ministrit Sveçla. Një reagim i tillë, LDK-ja thotë se është shenjë e panikut.
“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”, thuhet ndër të tjerash në reagim.
Poashtu LDK-ja i ka bërë “thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë një mjedis të qetë, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor”.
Ndërkohë, Albert Krasniqi nga D+, thotë se nuk është me fuqi kufizimi deri në 25 metra nga ndonjë qendër e votimit dhe se sipas rregullave Zgjedhore të KQZ-së, hapësira e Qendrave të Votimit është vetmja ku ndalohet shfaqja e materialeve zgjedhore.
“Sipas rregullave zgjedhore të KQZ-së, hapësira e Qendrave të Votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj. Në ligjin e mëparshëm për zgjedhje, kufizimi ishte deri në 25 metra nga dera e hyrjes së ndërtesës, por ajo dispozitë tashmë nuk është më në fuqi. Pra, edhe nëse do të kishte ndonjë shkelje, raportimi duhet të bëhet në institucionet përkatëse - jo të merret vet në dorë zbatimi i ligjit”, thuhet në reagimin e Krasniqit.
Sipas Krasniqit, “në një demokraci funksionale, ministrat duhet të jenë shembull i ndarjes së qartë mes shtetit dhe partisë - jo ta zbehin atë kufi”.
Hajdini-Beqiri: Personat me aftësi të kufizuar nuk po lejohen të votojnë
Drejtoresha ekzekutive e organizatës “Down Sindrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, ka thënë se personave me aftësi të kufizuara nuk po u lejohet të votojnë.
Ajo në një postim në Facebook, ka thënë se Gencit, i cili është me sindromin down, i është mohuar e drejta e votimit.
“Sot, Genci ju mohua e drejta e votimit, megjithëse Genci ka votuar në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2024 dhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të tjera në fuqi, Genci ka të drejtën dhe mundësinë për të votuar, sepse ai ka zotësi veprimi.
Ajo ka shkruar se sot, në ora 11:40 në qendrën e votimit në Ulpianë, në shkollën "Hasan Prishtina," ku Genci ka votuar në tetor, udhëzuesi zyrtar për votuesit me asistencë, i hartuar në nëntor 2025, ia ndaloi atij këtë të drejtë.
“‘Profesionist’ të KQZ-së, a jeni të vetëdijshëm që asnjë dokument zyrtar nuk mund të hartohet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet që janë në fuqi… Genci, më fal që u zhgënjeve sot. Kjo është Kosova jonë, ku dikush mund të bëjë një dokument dhe, brenda një dite, të mohojë një të drejtë të tillë”, ka shkruar ajo.
Osmani: Qytetarët sot vendosin për një të ardhme më të mirë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ftuar të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë. Osmani tutje theksoi se qytetarët sot vendosin për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Sipas saj, edhe kjo ditë është po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve sepse vendoset përfundimisht se kush do të qeverisë.
“Është ditë po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve. Sot përfundimisht vendosin jo vetëm se kush do të qeverisë, por vendosin edhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Rrjedhimisht shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe të dalë të votojë. Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon dhe kjo është pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime dhe se organizojmë zgjedhje të lira e demokratike”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani para mediave pasi votoi.
E pyetur për ndonjë ndikim të mundshëm të rezultatit të zgjedhjeve lokale në ato nacionale, Osmani tha se “Këto janë procese të ndara, zgjedhjet komunale nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional në të cilin po kalojmë”.
Ndalohen dy persona në Fushë-Kosovë për ryshfet lidhur me votimin
Dy persona janë ndaluar në Fushë-Kosovë për dhënie dhe marrje të ryshfetit që lidhen me votim.
Sipas njoftimit për media, gjatë hetimit është sekuestruar një telefon.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se, në komunën e Fushë Kosovës, me vendim të Prokurorit të shtetit, janë ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’’ nga neni 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjatë zhvillimit të hetimeve, është sekuestruar një telefon, i cili do të shërbejë si provë në procedurën e mëtejme hetimore. Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme konform dispozitave ligjore për ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftim.
Deri në orën 11 votuan mbi 80 mijë votues
Kryetari i Komisionit KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se deri në orën 11 kanë votuar 80 mijë 659 votues apo 6.13 për qind.
Ai ka thënë se bazuar në informacionet nga komunat, procesi i votimit po zhvillohet normalisht.
“Nga të dhënat preliminare nga 95 për qind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote deri në orën 11 është 80 mijë 659 votues apo 6.13 për qind e votuesve. Deri në të njëjtën kohë në raundin e parë kishin votuar 7.58 për qind apo 99.765 votues”, ka thënë ai.
KKZ-ja po e trajton rastin e drejtorit të shkollës në Lummadh të Vushtrrisë, dyshohet për trysni ndaj votuesve
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Vushtrri ka konfirmuar se janë duke e trajtuar rastin e drejtorit të shkollës së fshatit Lummadh i cili është akuzuar për trysni ndaj votuesve.
Ai është akuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje se është duke u bërë presion votuesve për ta votuar Partinë Demokratike të Kosovës.
Policia nuk ka dhënë informacione për rastin, ndërkaq zyrtari përgjegjës i KKZ-së, në këtë komunë, Betim Xhema, ka thënë se janë duke u marrë me rastin dhe ai është duke u trajtuar. Gazetarja Valbona Bytyqi ka raportuar se brenda shkollës ka edhe zyrtarë policorë.
Shala vet ka thënë për KTV-në se është gjithçka e trilluar. Sipas tij, akuzat e tilla janë vazhdimësi e akuzave të Vetëvendosjes kundrejt tij.
Ekipi i KTV-së ka raportuar se edhe në këtë shkollë kanë hasur vështirësi në xhirim brenda vendvotimit.
Krasniqi fton qytetarët të dalin të votojnë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën për votë.
Krasniqi u shpreh i bindur se sikurse edhe në rundin e parë, procesi do të shkojë me rregull.
“Sot në të gjitha komunat ku ka balotazh për kryetar të komunave, unë i ftoj qytetarët që të dalin dhe të marrin pjesë pavarësisht zgjedhjes së parë që kanë bërë. Secili prej tyre mund ta luajë një rol të rëndësishëm për t’i dhënë drejtim komunave ku jetojnë në katër vitet e ardhshme. Me shpresën që do të kemi një dalje masive dhe substanciale që vërtetë do të reflektojë vullnetin e qytetarëve. Uroj që edhe ky proces të shkojë me rregull sikurse rundi i parë. Ditë e mirë për Kosovën, për komunat dhe besoj që përfundimisht do të kemi një përmbyllje të një procesi që i jep drejtim katër viteve të ardhshme”, ka deklaruar Krasniqi për mediat pasi votoi.
Abdixhiku: Nga nesër merremi me zgjedhjet nacionale, priten në fund të dhjetorit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nga nesër fokusi do të jetë te zgjedhjet nacionale. Abdixhiku poashtu tha se pritjet janë që në fund të dhjetorit të ketë sërish zgjedhje.
“Menjëherë nga dita e nesërme do të kthejmë fokusin te zgjedhjet nacionale. Pritjet tashmë janë se në fund të dhjetorit do të kemi festën e ardhshme zgjedhore dhe vendimmarrjen demokratike në Republikën e Kosovës”, deklaroi Abdixhiku në një deklarim për media pasi votoi.
Tutje ai poashtu u shpreh i bindur se procesi i sotëm zgjedhor i balotazhit, do të shkojë mirë e mbarë.
“Ditë e mirë, mëngjes i mirë. Shpresojmë të jetë një proces i mbarë e i mirë siç ka ditur gjithmonë qytetari të sillet në procese zgjedhore. Jam i lumtur për nivelin demokratik që gjithherë e tregojmë në procese zgjedhore. Më besoni se në standardet e Ballkanit Perëndimor besa edhe e në Evropë, mënyra si i organizojmë zgjedhjet, si i pranojmë rezultatet, e si e trajtojmë procesin zgjedhor është një mrekulli demokratike për të cilën të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë krenarë”, deklaroi Abdixhiku.
Shtatë ekipe mobile për votim në Prishtinë
Fatmire Bajrami kryesuese e KKZ-së ka thënë se Komisioni Komunal në Prishtinë i ka shtatë ekipe të cilat do t’u ofrojnë votuesve të Prishtinës mundësinë për të votuar nga qendrat rezidente.
Ajo ka thënë se në QKUK janë dy ekipe, në shtëpinë e të moshuarve është një ekip, një është në qendrën e paraburgimit dhe të tjerat janë nëpër shtëpia te personat që kanë aplikuar.
“Në rundin e dytë është gjithçka gati. Ekipet nuk janë nisë herët në mëngjes për të mos i bezdisur votuesit”, ka thënë ajo.
2.541 persona do të votojnë përmes ekipeve mobile në mbarë Kosovën.
Nën 2% pjesëmarrja e votuesve në balotazh deri ora 9
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e para nga numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë deri në ora 09:00 në procesin e votimit.
Dy orë pas hapjes së qendrave të votimit në 18 komunat ku po organizohet balotazhi në Kosovë, numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë deri tani në votim është 26 mijë e 86.
Ky numër (26 mijë e 86) i votuesve paraqet 1.98% të numrit të përgjithshëm të qytetarëve që kanë dalë për të votuar deri tani.
Nga 18 komunat ku organizohet balotazhi të drejtë vote kanë 1 milion e 316 mijë e 672 qytetarë.
Në kryeqytet deri tani kanë votuar 5 mijë e 998 qytetarë nga 222 mijë e 418 me të drejtë vote apo 2.70%.
KQZ: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhje, ka njoftuar se që në orët e para të mëngjesit është shpërndarë me kohë materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, në të gjitha Qendrat e Votimit.
Gjatë një konferencë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tregoi edhe se procesi zgjedhor po zhvillohet në 525 Qendra të Votimit dhe me gjithsej 1.648 vendvotime.
“Gjatë ditës së sotme, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht. Raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot”, deklaroi Elezi.
Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1,316,672 të cilët janë të shpërndarë në 18 komuna.
Përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 2,541 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht.
Kurti: Zgjedhjet komunale janë të rëndësishme për dinjitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë. I pyetur për qëndrimin e tij të vazhdueshëm në Mitrovicë, Kurti tha se gjatë kësaj fushate ka punuar me tri ndërrime dhe se është përpjekur të vëzhgojë përgatitjet për zgjedhje.
“Gjatë kësaj fushate unë kam punuar në tri ndërrime anë e mbanë Komunave të Kosovës. Jam përpjekur të vëzhgoj të gjitha përgatitjet për zgjedhje. Zgjedhjet komunale janë jo më pak të rëndësishme sesa ato parlamentare e qendrore. Tejet e rëndësishme për mirëqenien e dinjitetin, dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve. Fletëvotimi ishte i thjeshtë i kishte vetëm dy emra. Njëri prej tyre medeomos do të fitojë në mbrëmje”, deklaroi Kurti para mediave.
Tutje ai tha se zgjedhjet sot po mbahen në më pak se gjysma e komunave në numër.
“Ditë e mirë për demokracinë dhe lirinë. Posa votova këtu në Prishtinë në ndërtesën e Fakultetit Juridik. Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote të bëhen pjesëmarrës për zgjedhjen e kryetarëve. Gjithçka do të shkoj mbarë e mirë. KQZ-ja ka bërë të gjitha përgatitjet. Komisionerët e vëzhguesit tashmë ndodhen në qendrat e votimit. 18 komunat ku mbahen zgjedhjet sot në balotazh janë më pak se gjysma e komunave të Kosovës por nëse e shikoni se për cilat komuna bëhet fjalë është e qartë se janë mbase mbi 80 për qind e popullsisë së Republikës
Rreth 80 prokurorë të angazhuar për zgjedhjet e sotme
Rreth 80 prokurorë të shtetit janë angazhuar për zgjedhjet e balotazhit që po mbahen sot.
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.
“Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale. Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.
Ekipi i Kohës pengohet të marrë pamje brenda një vendvotimi në shkollën “Fazli Grajqevci” në Mitrovicë
Ekipi i Kohës është penguar të xhirojë në një vendvotim në shkollën “Fazli Grajqevci” në Shipol të Mitrovicës.
Gazetarja Valbona Bytyqi gjatë kohës sa ishte duke raportuar drejtpërdrejt, nuk është lejuar të marrë pamje brenda klasës.
Kjo pasi një nga kryesuesit e këtij vendvotimi u ka thënë që nuk është i lejuar xhirimi. Kjo duke u bazuar në fotografitë e vendosura në vendvotim ku ndalohet fotografimi dhe telefoni.
Ish-anëtari i KQZ-së Blerim Burjani ka thënë se nuk duhet të ndalohen gazetarët.
“Nuk ka ndodhë që gazetarët të mos lejohen të xhirojnë brenda vendvotimit. Është keqkuptim, sepse trajnimi bëhet që qytetarët të mos bëjnë fotografi. Kjo nuk duhet të ndodhë. Gazetarët janë të lirë”, ka thënë ai.
Radoniqi bën thirrje për dalje në votim dhe respektim të Ligjit të zgjedhjeve
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka thënë se çdo gjë është gati për të votuar sot.
Ai ka ftuar qytetarët e 18 komunave të cilat janë në balotazh që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim.
“Me këtë rast bëj apel që të respektohen rregullat e KQZ dhe ligji i zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se sa i përket votimit me asistencë KQZ ka marrë të gjithë hapat.
“Se çka ndodhë në realitet në ditën e zgjedhjeve do të mbetet nën administrimin e KKZ-së”, ka thënë Radoniqi, duke shtuar se jo çdo kush ka të drejtë të votojë me asistencë.
Ndërkaq për votat me postë, ai ka thënë se pritet të vijnë gjatë javës së ardhshme.
Hapen vendvotimet
Në orën 7 janë hapur vendvotimet në 18 komunat të cilat kanë shkuar në rundin e dytë të votimeve.
Beteja finale për pushtetin lokal, zhvillohet të dielën në 18 komuna. Nga ora 7 e mëngjesit e deri në 7 të mbrëmjes, nëpërmjet votës, qytetarët do të vendosin se kush do të udhëheqë në komunat: Prishtinë, Prizren, Peja, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.
Për raundin e dytë, numri i qytetarëve me të drejtë vote u rrit për 543 votues.
Beteja finale në 18 komuna
Beteja finale për pushtetin lokal, zhvillohet të dielën në 18 komuna. Nga ora 7 e mëngjesit e deri në 7 të mbrëmjes, nëpërmjet votës, qytetarët do të vendosin se kush do të udhëheqë në komunat: Prishtinë, Prizren, Peja, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.
Për raundin e dytë, numri i qytetarëve me të drejtë vote u rrit për 543 votues.
“Sipas Listës së Votuesve të aprovuar nga KQZ, pas përditësimit të të dhënave me votuesit e rinj që kanë mbushin 18 vjeç nga 13 tetori deri më 9 nëntor dhe pas largimit të personave të vdekur dhe të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në rundin e parë”, ka bërë të ditur KQZ-ja.
20 komuna e kanë vendosur kryetarin në raundin e parë, më 12 tetor.
Qendrat e votimit, të dielën do të hapen në orën 7 dhe do të mbyllen në orën 19.