Pesë shtyllat e programit të kandidatit të PDK-së për kryetar të Shtërpcës

8 o. më parë / 9 tet 2025 20:59
Garip Sahiti

Shtimi i kapacitetit të ujit të pijshëm do të jetë prioriteti i parë i kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për komunën e Shtërpcës, në rast se ai vjen në krye të kësaj komune pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën.

Derisa ka prezantuar programin e tij në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Shtërpcën”, kandidati Garip Sahiti ka thënë se ky program është i ndarë në pesë shtylla.

“Qeverisje e hapur dhe efikase, zhvillim ekonomik, arsim, rini dhe kulturë, ambient  dhe infrastrukturë si dhe shëndetësi”, ka thënë Sahiti.

Kandidati Sahiti ka përmendur 3 prioritetet kryesore që sipas tij duhet të trajtohen menjëherë.

“Premtimi i parë që do të realizohet do të jetë shtimi i kapaciteteve të ujit të pijshëm, ideja e sallës së edukatës fizike që do të ndërtohet mes shkollës së mesme “Kongresi i Manastirit” dhe shkollës fillore “Osman Muli” në Firajë, prioriteti tjetër do të jetë zhvillimi i shëndetësisë që të ofrohen shërbimet 24 orë, pasi pjesës shqiptare i mungon shëndetësia 24 orë”, ka premtuar Sahiti.

Kandidati i PDK-së po ashtu ka premtuar edhe ndërtimin e një çerdheje në fshatin Firajë.

Zgjedhjet lokale mbahen me 12 tetor.

Kandidati i VV-së në Shtërpcë premton zgjatjen e orarit për marrjen e shërbimeve shëndetësore

8 o. më parë / 9 tet 2025 20:34
Shpejtim Arifi

Kandidati për kryetar të Shtërpcës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Arifi, ka shpalosur programin e tij për këtë komunë, duke vënë theks të veçantë në rregullimin e çështjes së ujit të pijshëm dhe shëndetësisë.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Shtërpcën”, Arifi ka thënë se në rast se zgjidhet kryetar i Shtërpcës, “viti i parë i qeverisjes do të jetë vit i themeleve për zhvillim”.

“Do të fillojmë punimet me urgjencë aty ku është nevoja, në ujë të pijshëm në kanalizime dhe në shëndetësi”, ka thënë ai

Derisa ka folur për shëndetësinë ai ka premtuar që do të krijojë mundësinë që njëra nga shtëpitë e shëndetit në këtë komunë të punojë të paktën 12 orë e jo 8 sa është tani.

“Ne kemi dy shtëpi të shëndetit, njëra në Brod dhe njëra në Drekoc, mirëpo ato nuk funksionojnë me orar të plot dhe kjo ju paraqet qytetareve probleme që të marrin shërbimet shëndetësore atje dhe iu duhet të bëjnë kilometra deri në Ferizaj apo gjetiu. Në njërën nga këto shtëpi të shëndetit do ta bëjmë një orar më të plotë se paku 12 orësh”, ka thënë ai.

Kandidati i LVV-së gjatë debatit ka hedhur akuza në drejtim të kundër kandidati të partisë së PDK-së, Garip Sahiti, se në mandatet e kaluara kanë bashkëpunuar me Listën Serbe për të marrë drejtori në këtë komunë.

Zgjedhjet lokale mbahen me 12 tetor.