Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lokale

Zgjedhjet e balotazhit

Në një atmosferë të qetë dhe pa incidente të mëdha, qytetarët e Kosovës kanë votuar të dielën për të zgjedhur kryetarët dhe përbërjen e kuvendeve komunale. Me një pjesëmarrje prej 39.5 për qind, më e ulët sesa në zgjedhjet lokale të vitit 2021, gara solli rezultate të ngushta në shumicën e komunave, të cilat do të shkojnë në balotazh.

Pas një muaji fushatë, premtime e rivalitet politik, qytetarët e vendit u janë drejtuar kutive të votimit të dielën për të vendosur se kush do të udhëheqë komunat dhe kuvendet komunale për katër vjetët e ardhshëm.

Procesi është zhvilluar në atmosferë të qetë, por me pjesëmarrje më të ulët se në zgjedhjet e kaluara. Gara politike solli rezultate që mund ta ndryshojnë hartën elektorale lokale të Kosovës, por pas raundit të dytë.

Në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë – gara mbetet e hapur pasi asnjëri prej kandidatëve nuk siguroi mbi 50 për qind të votave.

Janë 21 komuna që sipas rezultateve preliminare, po shkojnë me përfundim të garës qysh në rund të parë.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve preliminare, ka fituar pa balotazh në Ferizaj, Skenderaj e Han të Elezit, por u thye në bastionin e saj historik, Drenas, nga kundërkandidati që deri para zgjedhjeve të fundit ishte pjesë e PDK-së, Ramiz Lladrovci.

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë mbi 50 për qind të votave në Kamenicë, Podujevë e Shtime. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan e Klinë. LDK-ja ka arritur fitore me të parën në Istog e Lipjan.

Nisma ka fituar në Malishevë e KDTP-ja në Mamushë.

Ndërkohë, Lista Serbe i ka fituar shumicën e komunave me shumicë serbe duke fituar pa balotazh në Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh e Mitrovicë të Veriut. Por kjo parti do të shkojë në balotazh në Kllokot. Kandidati i Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq ka arritur të fitojë 41,62 por do të jetë në rundin e dytë me kandidatin e Unitetit Kombëtar Serb, Sreqko Spasiq.

Sipas KQZ-së, procesi i zgjedhjeve të së dielës ka kaluar kryesisht i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vetëm disa vonesa të vogla në hapjen e qendrave të votimit në disa zona e fotografim të fletëvotimeve.

Dalja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit është 39.51 për qind. Sipas të dhënave të KQZ-së, në këto zgjedhje të drejtë vote kanë pasur 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë. Prej tyre kanë votuar mbi 800 mijë. Rreth 44 mijë prej tyre kanë mundur të votojnë me postë nga jashtë vendit në periudhën 17 shtator – 11 tetor.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës është më e ulët në krahasim me rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2021, kur ishte regjistruar pak mbi 43 për qind pjesëmarrje në zgjedhje.

Fitore pa balotazh

Pas mbylljes së kutive, KQZ-ja ka nisur publikimin e rezultateve për kryetarë dhe kuvende komunale në kohë reale. E disa prej subjekteve që morën rezultatet nga komisionerët dolën edhe në konferenca për media.

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pati vetëm një status në “facebook” pas mbylljes së kutive të votimit.

“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi. Falënderoj të gjithë qytetarët për mbështetjen për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe kandidatët tanë nëpër komuna. Ky besim është forca jonë për të vazhduar me punë e përkushtim përpara. Por, tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve”, ka shkruar Kurti në “facebook”.

E në një prononcim për media pas mesnatës, kandidati për Prishtinën nga VV-ja, Hajrulla Çeku ka falënderuar të gjithë aktivistët dhe qytetarët që e kanë mbështetur Vetëvendosjen në kryeqytet.

“Për këtë angazhim të jashtëzakonshëm dhe këtë rezultat shumë të mirë që kemi siguruar për të sjellë ndryshimin e madh në Prishtinë, falënderoj të gjithë votuesit dhe aktivistët tanë. Kjo është vetëm fillimi ynë drejt fitores së madhe”, ka thënë ai.

Hajrulla Çeku

Çeku ka thënë se rivali i tij në balotazh, Përparim Rama,“është kryetari me mbështetjen më të vogël nga të gjithë kryetarët që kanë garuar në këto zgjedhje”.

Ndërkohë, disa kandidatë për kryetarë të kësaj partie shpallën fitoren që në raundin e parë.

Kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në orët e mbrëmjes ka shpallur fitoren pa balotazh. Bulliqi nga Vetëvendosje ka thënë se e ka fituar garën, për të cilin të jetë mandati i dytë. Fitoren e shpallën edhe kandidati i kësaj partie në Komunën e Gjilanit, Alban Hyseni dhe të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, të cilët megjithatë do të jenë në balotazh.

Faton Peci, kandidat i VV-së për kryetar të Mitrovicës, ka reaguar pasi rezultatet e nxorën se do të ketë balotazh mes tij dhe Arian Tahirit të PDK-së.

“Të dua fort Mitrovicë”, ka shkruar ai.

Pas numërimit të mbi 92 për qind të votave fitues ka dalë edhe kandidati i Vetëvendosjes në Kamenicë, Kadri Rahimaj e ai në Shtimje, Qemajl Aliu - dy komuna me të cilat kishte qeverisur katër vitet e fundit. Vetëvendosje, si parti e dytë me kandidatët e saj do të jetë në balotazh në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë e Prizren.

Edhe partitë e tjera shpallën fitore nga komunat ku u konfirmuan si parti të para me mbi 50 për qind në raundin e parë.

Fitoren nga Mitrovica e ka shpallur kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se PDK-ja kryeson me numrin e komunave të fituara pa balotazh, me numër të votave për parti.

Ai ka thënë se kur “numërohen votat e fundit në Mitrovicë, atëherë Arian Tahiri do të jetë kryetar i ri i kësaj komune”.

“I madh e i vogël, prej kryeministrit në detyrë e deri te i fundit në qeveri kanë ardhur duke dashur me i marrë votat e mitrovicalive, por ju keni treguar që vota nuk merret me mashtrim e arrogancë. Unë ju ftoj që me besim të plotë të jemi bashkë deri në numërimin e votës së fundit, e cila jam i bindur që zgjedh kryetar të ri të Mitrovicës, Arian Tahirin”, ka thënë Krasniqi në tubimin e mbajtur në palestrën “Minatori” pas mbylljes së qendrave të votimit.

Por rezultatet e publikuara nga KQZ-ja konfirmuan se Tahiri do të jetë në balotazh me Faton Pecin nga Lëvizja Vetëvendosje-Guxo.

PDK-ja ka fituar pa balotazh në Skenderaj me kandidat Sami Lushtakun, në Ferizaj me Agim Aliun e në Han të Elezit me Mehmet Ballazhin.

LDK-ja e shpall fitoren në tri komuna

Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpallur fitoren e partisë së tij në tri komuna pa balotazh dhe ka deklaruar se LDK-ja është rikthyer si forca e parë politike në Prishtinë pas 12 vjetësh.

Në një konferencë për media pas mbylljes së procesit zgjedhor, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja ka fituar pa balotazh në Istog, Lipjan dhe Junik, duke uruar kandidatët për këto fitore. Por të dhënat e KQZ-së tregojnë se në Junik megjithatë do të ketë balotazh.

Afër fitores në raund të parë, kryetari i LDK-së ka thënë se janë edhe në Pejë me Gazmend Muhaxherin e në Dragash me Bexhet Xheladinin. U shpreh i bindur se me votat e diasporës, këto dy komuna do të përfundojnë pa balotazh.

Ai theksoi se partia është fituese, udhëheqëse ose garuese në 12 komuna, duke e cilësuar 12 tetorin si ditë të 12 komunave të LDK-së.

Abdixhiku e uroi “fituesin kryesor” të këtyre zgjedhjeve, Përparim Ramën.

“Pas 12 vjetësh, në Prishtinë jemi parti e parë. Rikthimi ynë në kryeqytet është shenjë e punës së Përparimit dhe rikthimit të LDK-së. Pas numërimit të mbi 70 për qind të vota nga komisionarët tanë, Rama ka 36%, Çeku 32% e Ismaili 26%”, është shprehur Abdixhiku.

Ai ka shtuar se LDK-ja është në prag të fitores në Viti e Obiliq, ndërsa ka thënë se do të garojë në balotazh në Fushë-Kosovë, Suharekë, Gjilan dhe Rahovec.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar historik rezultatin në zgjedhjet lokale, vetëm përmes një statusi në “facebook”.

“Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë fitore dhe rezultat historik. Çdo garues, çdo komisioner, çdo vëzhgues, çdo njeri që ka kontribuar për këtë rezultat. Ata që sonte e kryen garën, nesër nisjani punës. E pas pak ditësh do t’ia nisin punës edhe kolegët e juaj që më bënë krenar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

AAK-ja sipas rezultateve preliminare, i ka ruajtur komunat që i ka udhëhequr. Ka fituar në Deçan e Klinë.

Garë e fortë ka qenë edhe në komunën e Drenasit. Kryetari aktual, Ramiz Lladrovci i cili garoi me listë të veçantë, pasi PDK-ja nuk e mandatoi edhe për një mandat, ka fituar 52 për qind, derisa Petrit Hajdari i PDK-së, 37,23 për qind. Nisma ka fituar në Malishevë e partia turke, KDTP në Mamushë.

Qetë dhe pa incidente të mëdha

Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa incidente të mëdha të cilat do ta cenonin procesin. Pas përfundimit të votimit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën janë iniciuar dy raste për “cenim të fshehtësisë së votimit”, një në fshatin Bare të Mitrovicës së Jugut dhe një në Kllokot, ndërsa rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”, siç ka thënë Policia me autorizim të prokurorëve kompetentë kanë mbetur si “shënim zyrtar”. Janë raportuar 11 raste të tilla. Policia ka thënë se në përgjithësi i tërë procesi zgjedhor ka kaluar i qetë e pa incidente madhore.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy (2) raste ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, njëri në fshatin Bare - Mitrovicë Jugu dhe tjetri në Kllokot - DRP Gjilan, përderisa rastet mbi dyshimet për ‘fotografim të votës’, me autorizim të prokurorëve kompetentë kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë (11) raste/informata. Lidhur me rastet personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Po ashtu janë trajtuar edhe 10 informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, ka njoftuar Policia. Por, është vlerësuar se nuk ka elemente që ndërlidhen me vepra penale.

E për rastin e të shtënave me armë në Komoran, ku është dëmtuar një veturë, janë shoqëruar dy persona, ndërsa është thënë se nuk është i ndërlidhur me procesin zgjedhor.

“PK-ja me autorizim të prokurorisë kompetente është duke kryer kontrolle si dhe duke vazhduar me hetime intensive për rastin, përderisa personat e shoqëruar pas intervistimit janë liruar. Po ashtu, janë trajtuar rreth dhjetë (10), informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacion. Policia e Kosovës, vlerëson se plani policor është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj falënderon të gjitha institucionet, qytetarët dhe mediat për bashkëpunim e treguar më PK-në”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Veç Policisë, edhe rreth 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës kanë qenë kujdestarë në të gjithë Kosovën për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.  

Pas mbylljes së votimit, Prokuroria ka njoftuar se ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm dy prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit.

“Rasti i parë është iniciuar në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu, për veprën penale: “Cenim i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkaq, rasti i dytë është iniciuar në Kllokot - Gjilan, për veprën penale: “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.  

Tutje bëhet e ditur se prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.

Edhe koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në veprim” ka deklaruar se procesi i votimit të së dielës në zgjedhjet lokale ka qenë i qetë dhe demokratik, sipas ekipeve të vëzhguesve të saj që kanë ndjekur nga afër ecurinë e procesit të votimit që nga hapja e vendvotimeve.

“Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërm të tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në Librin e Votimit. Ndërrimet e Qendrave të Votimit nga KQZ-ja për një numër të konsiderueshëm votuesish kanë shkaktuar telashe serioze në terren, dhe një numër i lartë i votuesve janë kthyer pa pasur mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në Listën e Votuesve. Përkundër ndryshimeve të shumta në listat e votuesve, gjendja është përkeqësuar si rezultat i mungesës së tavolinave ndihmëse në një pjesë të konsiderueshme të qendrave të votimit”, thuhet në njoftim.

Më tej është thënë se janë evidentuar edhe prani e materialeve promovuese, posterë e kartëvizita brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrave të Votimit, ndërsa në disa komuna ka pasur edhe votim të organizuar për grupe qytetarësh.

E anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, në njërën prej konferencave të KQZ-së ka thënë se Lista Serbe ka mbajtur tubim masiv. Sipas tij, në mënyrë të organizuar serbët e veriut të Mitrovicës kanë shkuar në vendvotim ku “qëllimisht janë bllokuar korridoret dhe qendrat e votimit për të shkaktuar probleme, incidente”.

Një nga masat e drejtpërdrejta që është ndërmarrë për ruajtje të integritetit zgjedhor ka qenë edhe vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim. Ato janë vendosur në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Thirrjet e liderëve

Foto: Driton Paçarada

Në zgjedhjet lokale të së dielës votuan edhe liderët shtetërorë, të cilët bënë thirrje për proces të qetë dhe demokratik.

Presidentja Vjosa Osmani pasi votoi në kryeqytet përmendi ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës. Sipas saj, Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset zgjedhore në Kosovë përmes Listës Serbe.

“Siç e dini vazhdimisht Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në procese zgjedhore në Kosovë, ne natyrshëm që me institucionet e sigurisë do të bëjmë çmos që të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe atyre në veri t’u garantohet e drejta e lirisë në votë. Megjithatë, shpresoj që pas raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën të kemi edhe më shumë institucione ndërkombëtare që do të reagojnë e të marrin masa për këto shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë, që përfshinë edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në zgjedhjet e një shteti tjetër, e në këtë rast të Kosovës, duke përfshirë metoda të ndryshme, edhe kriminale për këto ndërhyrje”, ka deklaruar Osmani.

Sipas saj, sa më masive të jetë dalja në votim, aq më e fortë është demokracia në vend.

“Është ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore aq më e fortë do jetë demokracia jonë. Shpresoj që ky do jetë proces me rezultat në të mirën tonë... Është shumë me rëndësi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe përmes saj të vendosin për shërbimet që do t’i shfrytëzojnë dhe mënyrën si do udhëhiqen komunat e tyre”, ka thënë ajo.

Kryeparlamentari Dimal Basha ftoi të gjithë qytetarët të dalin masivisht dhe të votojnë, teksa ka shtuar se "vota është zëri juaj që dëgjohet dhe mënyra më e drejtpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën tonë të përditshme".

"Le të jetë kjo ditë festë e demokracisë, me votime të qeta, pjesëmarrje të lartë dhe me frymë të plotë qytetarie. Kështu dëshmojmë edhe një herë pjekurinë tonë demokratike dhe dashurinë e sinqertë për vendin që duam", ka shkruar Basha në Facebook.

E Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ftoi qytetarët të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që i kanë.

“Votojmë për të vendosur për katër vjetet e ardhshme në komunat tona. Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës jemi dhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, ka thënë ai.

BE-ja e diplomatë evropianë vëzhguan nga afër zgjedhjet

Përfaqësues të Bashkimit Evropian në Prishtinë e diplomatë të akredituar kanë qenë aktivë në ditën e zgjedhjeve.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves bëri të ditur se ka vizituar disa qendra të votimit në veri të Mitrovicës dhe Zveçan - komuna këto të banuara me shumicë serbe.

“Është shumë bukur të shoh njerëz që dalin dhe marrin pjesë në këto zgjedhje lokale shumë të rëndësishme për Kosovën”, ka thënë ambasadori britanik përmes një video të publikuar në “Facebook”.

“Ambasada Britanike ka ekipe në të gjithë vendin dhe jam shumë i kënaqur të shoh se si po zhvillohet kjo në të gjithë vendin dhe shpresoj të shoh shumë njerëz duke votuar dhe duke marrë pjesë”, ka shtuar ai.

Ambasadori i BE-së, Aivo Orav ka vizituar qendra të votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut.

Përmes një postimi në rrjetin social "X", Bashkimi Evropian në Kosovë ka njoftuar se Orav iu bashkua kolegëve të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën.

"Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, iu bashkua #Diplomaticwatch për Zgjedhjet Lokale të sotme së bashku me kolegët e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën", thuhet në njoftim.

Orav ka thënë se këto vizita i ofruan pasqyrë të vlefshme të procesit.

"Vizitat në qendrat e votimit në Prishtinë dhe Mitrovica Veriore ofruan një pasqyrë të vlefshme të procesit", ka deklaruar ai.

E korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Bashkimi Evropian i sheh me rëndësi të jashtëzakonshme zgjedhjet lokale në Kosovë.

Sipas tij, këto zgjedhje për BE-në janë më të rëndësishme se ato parlamentare për shkak të veriut të Kosovës.

Në një lidhje direkte në “KTV”, Palokaj ka thënë se për Brukselin zyrtar nuk është me rëndësi se kush do të fitojë në cilën komunë, por se si do të shkojë mbarëvajtja e procesit.

Palokaj e ka përmendur edhe kthimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës si një ndër çështjet më me rëndësi për BE-në lidhur me këto zgjedhje.

“Bashkimi Evropian është i interesuar për këto zgjedhje, jo që u intereson se kush do të fitojë në cilën komunë, por u intereson që procesi zgjedhor të jetë i qetë dhe që qytetarët të mund të ushtrojnë të lirë dhe pa ndërhyrje nga jashtë mundësinë e tyre të votimit. Nuk duan që të përsëriten raste kur ka pasur ndërhyrje, sidomos në veri të Kosovës. Ajo që u intereson në BE është që pas procesit zgjedhor të konstituohen pushtetet e reja lokale dhe në veçanti, interesi i tyre është në veriun e Kosovës ku presin si një kthim pozitiv sipas tyre, kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Zakonisht Bashkimi Evropian nuk interesohet për zgjedhjet lokale, por ja që në rastin e Kosovës ato kanë rëndësi të jashtëzakonshme, ndoshta edhe më shumë sesa zgjedhjet e përgjithshëm”, ka thënë ai.

Garë e ngushtë ka qenë edhe për kuvendet komunale. Befasi ndodhi në Prishtinë, ku nga partia e parë sa ka qenë deri tash, Lëvizja Vetëvendosje ka rënë në vendin e tretë me numrin e këshilltarëve që do t’i ketë.

Lidhja Demokratike ka dalë e para me 28.86 për qind të votave nga numërimi i 72 për qind të votave. Partia Demokratike e Kosovës ka dalë në vend të dytë me 22.6 për qind të votave.

E VV-ja tani ka 21.67 për qind të votave për kuvendin komunal të Prishtinës. AAK-ja është e katërta me 9.9 për qind, ndërsa Lidhja e Prishtinës e Fehmi Kupinës e katërta me 7.47 për qind.

Radoniqi pret numërim më të rregullt të votave

1 v. më parë / 12 tet 2025 07:31
radoniqi

Foto: EO

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka hedhur votën në Qendrën e Votimit në Pejë. 

Radoniqi pas votimit tha se KQZ është siguruar që nuk do të ketë probleme sikur që kishte ndodhur mbrëmjen e 9 shkurtit.

“Kemi ndryshime në proces sipas ligjit që ka hyr në fuqi në 2023. Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën për të cilën presim të dalim me rezultatet preliminare, Gjithashtu edhe qendrat komunale të numërimit të gjitha janë të pajisura me të gjitha pajisjet me numërim. Presim që në mëngjesin e së nesërmes të nis numërimi për asamblistë”, tha Radoniqi.

 

Në një shkollë në Prizren mungon zyrtari ndihmës: Qytetarët s'po i gjejnë emrat

1 v. më parë / 12 tet 2025 07:24
prizren

Qytetarë nga qytete të ndryshme qysh në minutat e para të hapjes së qendrave të votimit u janë drejtuar kutive ku do të hedhin votën e tyre për të zgjedhur kryetarin e komunës.

Ekipet e KOHËS nga disa komuna të vendit kanë raportuar se në qendrat gjithandej Kosovës ka numër të konsiderueshëm të qytetarëve që po ushtrojnë të drejtën e tyre.

Drejtoresha e një shkolle në Prizren ka thënë se të gjitha klasat e kanë filluar me kohë procesin e votimit.

Ajo ka thënë se ka mungesë të përfaqësuesve në tavolinën e ndihmës. Sipas saj, ata janë zgjedhur me konkurs nga KQZ-ja, duke shtuar se për këtë kanë problem sepse disa qytetarë nuk po i gjejnë emrat e tyre.

“Shpresojmë që shpejt do ta kemi një zyrtar”, ka thënë ajo.

Hapen vendvotimet

1 v. më parë / 12 tet 2025 07:01
Votues ne faik Konica

Photo: Driton Paçarada

Nga ora 7 e mëngjesit janë hapur vendvotimet në qendrat zgjedhore në komunat e Kosovës.

Sipas Komisionit Zgjedhor janë 948 qendra të votimit, anë e mbanë vendit.

Para se të hapen, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se gjithçka do të jetë gati.

Përfaqësues të Sekretariatit të KQZ-së njoftuan se 3 mijë e 467 qytetarë do të votojnë përmes ekipeve mobile, prej të cilëve 1 mijë e 508 votues janë në shtëpi, 1 mijë e 956 votues në klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit e qendra korrektuese dhe 3 votues që janë në arrest shtëpiak.

Si të votohet?

1 v. më parë / 12 tet 2025 06:43
KQZ-Zgjedhjet

Foto: Ilustrim

Mënyra e votimit dhe zgjedhjes së kryetarit të Komunës është e njëjtë, si në zgjedhjet e mëhershme. Secili kryetar i Komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50% plus 1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme në atë komunë. E, nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë, zgjidhet kryetar i komunës. Edhe mënyra e votimit në zgjedhjet për Kuvendet Komunale ka mbetur e njëjtë, si në zgjedhjet e kaluara lokale. Pra, në anën e majtë të fletëvotimit votohet vetëm një subjekt politik dhe në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat nga lista e kandidatëve të atij subjekti politik. Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, vota për subjektin e politik konsiderohet si votë për kandidatin e parë apo bartësin e listës të atij subjekti politik.

Votuesi ka të drejtë të votojë në mënyrë të pavarur për secilën garë. Kjo do të thotë që një votues mund të votojë një kandidat për Kryetar Komune nga një subjekt politik dhe një subjekt tjetër politik në zgjedhjet për Kuvend Komune. Zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunale janë procese të ndara dhe kanë fletëvotime të veçanta. Pra, votuesi nuk është i detyruar të votojë për të njëjtin subjekt në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe në zgjedhjet për Kuvend Komunale.

Zgjedhjet lokale kanë një kosto tjetër nga ato parlamentare, në zgjedhje lokale parashihet mbajtja e raundit të dytë nëse kandidatët nuk arrijnë të marrin votat e mjaftueshme, sa do të jetë numri i komunave që do jetë i domosdoshëm raundi i dytë nuk mund ta dimë ende në këtë fazë, por kosto në zgjedhje lokale është më e lartë, në këtë proces zgjedhor KQZ është kujdesur që votuesit jashtë vendit të ua dërgoj përmes postës pakon e votimeve në adresat ku janë të regjistruar votuesit dhe ajo kosto përfshihet në KQZ.

Kosova voton për udhëheqësit e komunave

1 v. më parë / 12 tet 2025 06:21
Zgjedhjte 2025

Qytetarë të 38 komunave të dielën do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale. E për këtë synim, 948 qendra votimi në gjithë Kosovën do t’i hapin dyert në orën 7 të mëngjesit e do t’i mbyllin, në orën 19.

Para se të hapen, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se gjithçka do të jetë gati.

“Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në qendra të votimit”, ka thënë Elezi.

Për përgatitjet e bëra, kanë diskutuar të shtunën edhe anëtarë të KQZ-së.

Përfaqësues të Sekretariatit të KQZ-së njoftuan se 3 mijë e 467 qytetarë do të votojnë përmes ekipeve mobile, prej të cilëve 1 mijë e 508 votues janë në shtëpi, 1 mijë e 956 votues në klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit e qendra korrektuese dhe 3 votues që janë në arrest shtëpiak.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, kërkoi që të kihet kujdes me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që administrohet nga ekipet mobile.

“Në zgjedhjet e fundit kemi pasë votime edhe përtej orarit të paraparë... Kërkoj që të jeni në kontakt me zyrtarët komunalë që ata t’i krijojnë me kohë ekipet mobile, ekipet që do të merren me këtë proces votimi në mënyrë që të mbyllen në kohën e paraparë”, ka thënë ai.

Rezultati me kohë

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja dështoi që t’i publikojë në kohë rezultatet preliminare.

E sqarime lidhur me përgatitjet e bëra për ta shmangur përsëritjen e kësaj situate edhe më 12 tetor ka kërkuar anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi.

“A keni ndonjë shenjë, ndonjë element që ju bën me dyshu ose që mundet me paraqitë probleme nesër për nxjerrjen e rezultateve preliminare qysh na ka ngja në shkurt 2025? Sa është garancia e madhe?”, e ka pyetur ai ushtruesin e detyrës së kryeshefit të KQZ-së, Besnik Buzhala.

“Shpresojmë që mos me ndodhë ajo që ka ndodhë më 9 shkurt, por angazhimi i stafit në këta 3 muajt e fundit ka qenë jashtëzakonisht i madh, i stafit profesional që është marrë me zhvillimin e rezultateve për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër”, është përgjigjur Buzhala.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike duhet të bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit.

Zëdhënësi Elezi ka bërë të ditur se KQZ-ja ka bërë përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Ndërkaq, gjatë zhvillimit të procesit të votimit, në orare të caktuara është planifikuar të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, qendër votimi dhe vendvotim.

Apeli i Radoniqit

Një ditë para zgjedhjeve, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka përcjellë një mesazh për qytetarët. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik.

“Ftojmë të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Pjesëmarrja juaj është e një rëndësie të veçantë, andaj ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Radoniqi.

Ai ka apeluar për përgjegjësi dhe profesionalizëm nga të gjithë anëtarët e këshillave të vendvotimeve.

“Ju bëjmë thirrje që të veproni me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht”, ka thënë ai.

Në mesazhin e tij, kryetari i KQZ-së nënvizoi se institucioni që e udhëheq po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, për të garantuar një proces të qetë, të drejtë dhe të sigurt në të gjitha komunat e vendit.

Kamera gjithkund

Përveç KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve dhe për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet të angazhohen edhe institucionet e ndryshme, siç janë Policia, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se një nga masat e drejtpërdrejta që është ndërmarrë për ruajtje të integritetit zgjedhor, është vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim. Ai ka thënë se kjo është bërë në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Vendosja e kamerave regjistruese bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor të procesit të votimit dhe numërimit të fletëvotimeve”, ka thënë Elezi.

E, Policia ka bërë të ditur se ka bërë përgatitjet dhe planifikimet lidhur me zgjedhjet e së dielës.

Sipas Policisë, për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, do të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, të përfshirë në njësite të ndryshme.

Policia ka marrë masa shtesë duke caktuar koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet e tjera të angazhuara, si dhe duke hartuar udhëzues për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë ligjore gjatë procesit zgjedhor.

“Qëllimi kryesor i këtij urdhri operativ është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sigurimi i Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale, depove zgjedhore dhe materialit sensitiv”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ky institucion gjithashtu ka apeluar te drejtuesit e subjekteve zgjedhore dhe qytetarët që për çdo informacion të dyshuar lidhur me sigurinë e procesit të njoftojnë institucionet kompetente përmes linjës 192, emailit [email protected] ose në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat ligjore menjëherë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, janë gjithsej 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet lokale, prej të cilëve 43 mijë e 933 janë të regjistruar nga diaspora.