Gara për Kuvend Komunal ishte e fortë këto zgjedhje dhe për të marrë ulëse pati më shumë interesim nga partitë politike.
Vendin pas 4 vjetëve do ta ndryshojnë asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në vend të tyre do të ulen këshilltarët e zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilën rikthehen si partia e parë me 15 këshilltarë komunalë.
Partia Demokratike e Kosovës është partia e dyta me 12 këshilltarë komunalë.
LVV-ja fillimisht u tha se do të ketë 11 por me votat e diasporës arriti në 12 ulëse por megjithatë ka ulje në numrin e këshilltarëve.
E votuesit ndëshkuan edhe disa këshilltarë komunalë duke i lënë jashtë kuvendit komunal.
Edmond Azemi kishte hyrë si Vetëvendosje e këto zgjedhje garoi me LDK-në.
Ndërrimi i partisë i kushtoi me humbje ku ai mori vetëm 199 vota.
Zgjedhjet e kaluara Gëzim Mehmeti ishte kandidat për kryetar komune dhe bartës liste nga Aleanca Kosova e Re. Kësaj radhe ai si pjesë e AKR-së garoi në listën e LDK-së. E kjo i kushtoi Mehmetit, që mori vetëm 293 vota.
Kurse Sami Boroci nga partia e njëjtë ka arritur t’i sigurojë 555 vota.
LDK-ja u rikthye si forcë dhe brenda saj do të ketë forca të reja.
3 më të votuarit nuk ishin as në top 10-shen e listës së partisë për kuvendin komunal.
Doktor Bujar Gashi garonte me numrin 35 por ai është këshilltari më i votuar me 1316 vota. Gashi në emisionin “038” në KTV ka thënë se ka persona që janë befasuar me suksesin e tij. “Nuk ka lidhje që kam qenë numri 35. Ata që më njohin e dinë se unë nuk premtoj, por punoj. Që nga viti 2016 kam punuar në shëndetësi me suksese dhe ky është rezultati”, ka thënë ai.
Me numër 13 nga LDK-ja garonte Bekim Gashi. Hajvalia i siguroi primatin e personit të dytë më të votuar me 1193 vota.
I treti është Milazim Vitija me 1.170 vota ndonëse partia e kishte ranguar të 31-tin në listë.
Partia e dytë që ka siguruar ulëse më shumë se mandatin e kaluar është PDK-ja.
Listës i prin Agron Canolli me 1,112 vota, pas tij është Leutrim Retkoceri me 882 vota, Ilirik Musliu me 857 vota dhe Besianë Musëmurati me 846 vota.
Në kuvendin komunal edhe për 4 vjet të tjera do të jenë Granit Geci, Kumirije Shabani- Ramadani dhe Muhamet Selmani.
Jashtë kuvendit ka mbetur Arbnora Ajeti, Granit Rugova dhe Shegë Beqiri.
Në LVV më i votuari është Gëzim Sveçla me 1,534 vota dhe emri i ri në këtë parti si gruaja më e votuar nga të gjitha subjektet politike në Prishtinë, Jeta Bujari me 1,175 vota.
Në kuvend prapë do të jenë Feim Osmani, Besart Krasniqi dhe Nora Kelmendi.
Kurse jashtë listës ka mbetur Faton Zeka, Arbër Limani, Ermal Osmani dhe Petrit Reçica.
Emrat e rinj që do të jenë në asamble për 4 vjetët e ardhshëm janë Berita Abazi- Muhadri me 782 vota dhe rikthehet pas 4 vjetësh Egzon Azemi me 716 vota.
Pragun nuk ka mundur që ta sigurojë as shefi i grupit të AAK-së nga mandati i kaluar Bahri Gashi. Ai ka arritur t’i sigurojë 488 vota.
Fehmi Kupina do të jetë prapë pjesë e kuvendit me partinë e re “Lidhja për Prishtinën”, e themeluar nga ai, e që ka arritur t’i marrë 7,356 vota që kthehen në 4 ulëse.
Për herë të parë në këto zgjedhje ka kandiduar për asamble edhe subjekti “Guxo”, bartësja e listës Jeta Statovci ka arritur t’i sigurojë 2,022 vota.
PSD-ja do të hyjë me kandidaten për kryetare Besa Shahini që ka marrë 2, 614 vota.