Në javën e tretë të fushatës zgjedhore, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vazhduar aktivitetet duke prezantuar investimet e realizuara gjatë mandatit të tij në lagjet e kryeqytetit. Ai ka folur për projektet infrastrukturore në rrugën “Muharrem Fejza”, “Xheladin Rekaliu” si dhe në “Lagjen e Artistëve”.
Në Fushë-Kosovë, kandidati Besnik Osmani ka njoftuar për përfundimin e renovimit të shkollës fillore “Laura Scotti” në fshatin Graboc. Ai bëri të ditur se nga viti i ardhshëm në të do të nisë edhe mësimi gjithëditor. Në Podujevë, kandidati Ekrem Hyseni u zotua se përmirësimi i kushteve të zjarrfikësve do të jetë një nga prioritetet kryesore nëse merr drejtimin e komunës.
Në Istog, kryetari aktual dhe kandidati i LDK-së për një mandat të dytë, Ilir Ferati, ka premtuar bursa prej 650 eurosh për çdo maturant që regjistrohet në fakultet. Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj ka premtuar ndërtimin e një sheshi të ri që do të quhet “Sheshi i kujtesës”. Ai tha se ky do të jetë një vend nderimi, kujtese dhe reflektimi për viktimat e dhunës gjatë viteve 1991–1999.
Në Shtime, kandidati Kastriot Shabani ka prezantuar imazhet e projektit për ndërtimin e stacionit të ri të autobusëve, duke thënë se ky është një hap drejt lehtësimit të ngarkesës në komunikacionin e qytetit. Ndërsa në Kamenicë, kandidati Shaip Surdulli është zotuar për përmirësimin e kushteve sociale, shëndetësore dhe ekonomike të veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve.
“Secili maturant që e përfundon maturën edhe që ka interesim për shkollim tutje e që e regjistron një fakultet qoftë publik apo privat, në momentin që e bjen vërtetimin ka me marrë bursën prej 650 euro. Edhe po ju garantoj që 4 vjet e ardhshme ka me pas transformime aq të mëdha sa për 50 vjet të tjera nuk kanë me harru qytetarët e Istogut”, ka deklaruar Ferati.
“Jam bashkë me Zanën te stacioni i kulturës, është ngjitur me stacionin e trenit. Por sot, këtu po e ndërtojmë stacionin e kulturës edhe hapësira të reja për skenën e artit dhe kulturës në kryeqytet”, ka thënë Rama.
-
Përparim Rama premton fasadimin e objekteve në lagjen “Ulpiana”
-
Rama premton unazën e kryeqytetit, Shehu siguron mbështetjen e PDK-së në Junik
-
Ujë të pijshëm e subvencione për lehona dhe studentë, premtojnë kandidatët e LDK-së
-
Selmanaj premton qendër sportive e pishinë olimpike në Prizren. Ferati zhvillimin e turizmit në Istog
-
Rama prezanton fond emergjent për Prishtinën në vlerë 50 mijë euro