Akuza në drejtim të kryetarit aktual të Lipjanit, Imri Ahmetit dhe djalit të tij, ka bërë kandidati për kryetar të kësaj komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Qeriqi.
Derisa ka folur për investimet në infrastrukturë në emisionin “Zgjedhjet në KOHË-Debati për Lipjanin”, Qeriqi ka thënë se për të marrë leje ndërtimore në këtë komunë duhet të shkohet tek Imri Ahmeti dhe djali i tij.
“Djali i tij është sekseri kryesor”, ka thënë Qeriqi.
Kandidati i LVV-së ka thënë se në rast vjen në krye të kësaj komunë punët e tij të para do të jetë rregullimi i çështjeve të infrastrukturës.
“Qytetin duhet ta shpëtojmë nga ky urbanizëm i egër, nuk duam me shndërruar Lipjanin në Fushë-Kosovë 2.0, duam me largu bërllokun nga Lipjani që e ka mbushur Lipjanin, sipas “Institutit Atlas” ka dal që i ka 86 deponi, zyrtarisht i ka 62 fshatra e i ka 86 deponi që i bie që ka ma shumë deponi”, ka thënë Qeriqi.
Sipas tij kandidati i LDK-së, Imri Ahmeti, do të mbahet mend për bërllok dhe korrupsion.
Qeriqi është zotuar se do ta zgjedhë çështjen e ujit të pijshëm si dhe ka premtuar ndërtimin e 4 çerdheve të reja të cilat do të ndërtohen në mesin e disa fshatrave.
