Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së tetë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Aliu: Qytetarët në Ferizaj shumë shërbime do t’i marrin nëpërmjet telefonit

1 muaj më parë / 20 sht 2025 22:19 Nga: Marigona Brahimi
Agim Aliu

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili si kandidat i Partisë Demokratike (PDK) synon edhe një mandat, është zotuar të shtunën për digjitalizim të shërbimeve publike.

Aliu u shpreh se përmes platformës së re digjitale, shërbimet komunale qytetarët do t’i marrin përmes telefonave të tyre, përfshirë shërbimet për vërtetim pronësie, ndryshime kadastrale, leje ndërtimore, aplikime për subvencione e raportime për ankesa, shqetësime a parregullsi. Ai tha se do të integrohen edhe hartat nëntokësore të qytetit dhe ndërhyrjet infrastrukturore do të jenë më të lehta.

“Ferizaj do ta ketë hartën e rrjeteve të infrastrukturës nëntokësore për secilën zonë të tij. Në të gjithë territorin e Ferizajt do të dihet me saktësi sistemi i ndërtuar i ujësjellësit dhe kanalizimit dhe rrjeteve kabllore. Kjo hartë e integruar do t’i eliminojë dëmet në infrastrukturën publike, do t’i lehtësojë investimet për të ardhmen, do të ofrojë siguri për qytetarët dhe mbi të gjitha është bazë mbi të cilën investohet për avancimin e infrastrukturës publike”, ka thënë Aliu.

E kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka shpalosur planet e tij për fshatin Bardhosh, të cilat tha se do të realizohen gjatë mandatit katërvjeçar. Për këtë fshat, Ismaili premtoi rregullimin e sheshit përgjatë kanalit të Ibër-Lepencit, shkollë të re, përmirësim të rrjetit të tensionit elektrik dhe furnizimit me ujë, krijim të shtigjeve për këmbësorë e mbështetje për agroturizëm e zhvillim rural.

“Qe cilat janë zotimet e mia për Bardhoshin: Rregullimi i sheshit përgjatë kanalit Ibër-Lepenc, qendër multifunksionale me hapësirë për sport e kulturë. Bardhoshi meriton të jetë pjesë e investimeve komunale, jo të harrohet nga qeverisja e qytetit”, ka theksuar Ismaili.

Në Prizren, kryetari Shaqir Totaj që është në garë për edhe një mandat, është zotuar se në katër vjetët e ardhshme do ta dyfishojë përkrahjen për fermerët, do të sigurojë shumë pajisje të makinerisë dhe do të bëjë hapjen e rrugëve fushore.

Në Pejë, kandidatja e PDK-së për kryetare, Arta Vokshi-Nallbani, tha se ndër sfidat kryesore të Komunës është edhe procedura e legalizimit të objekteve dhe ndërtimeve pa leje. Ajo tha se do ta përshpejtojë këtë procedurë për familjet që kanë ndërtuar me mund objektet e tyre, e të cilat kanë mbetur të bllokuara me vite, si pasojë e procedurave të vështira dhe burokratike për leje.

“Si kryetare e ardhshme e qytetit të Pejës, unë premtoj se do të përshpejtoj procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, duke e bërë atë më të thjeshtë dhe më transparent për qytetarët tanë. Do të krijoj një zyrë të posaçme me staf të trajnuar, kryesisht me juristë dhe gjeodetë të licencuar, të cilët do të merren ekskluzivisht me kërkesat e legalizimit të ndërtimeve pa leje”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Rrahim Tërnava, i cili është kandidat për kryetar të Fushë-Kosovës, ka thënë se qyteti meriton qeverisje më të mirë që punon për qytetarët dhe për çdo lagje. Ai tha se PDK-ja ofron zgjidhje të qëndrueshme dhe jo fushata të përkohshme për Komunën. Premtoi ndërtimin e një Qendre të re të Mjekësisë Familjare si nevojë urgjente për qytetarët.

“Fushë-Kosova ka nevojë urgjente për një QKMF të re! Shëndeti i qytetarëve nuk mund të presë dhe nuk mund t’i besohet këtij pushteti që ‘zgjohet’ vetëm 6 muaj para zgjedhjeve”, ka thënë ai.

E në Drenas, kandidati për kryetar, Petrit Hajdari ka publikuar një fotografi nga pritja që i është bërë në fshatin Gllanasellë, nga i cili është kryetari aktual, Ramiz Lladrovci.

“Nuk është vetëm nder, është shprehje e qartë që tregon se ke plot bashkëmendimtarë, se nuk je vetëm në përpjekjen për ta ndryshuar vendin. Përkundrazi, kjo është kërkesë e secilit, kudo, siç u konfirmua edhe sot në Gllanasellë”, ka shkruar ai. “Pritje si kjo ta bëjnë të qartë jo veç nderin e respektin, po përgjegjësinë e thellë që duhet ta ndiejë ai që synon të drejtojë”.

E në Skënderaj, kandidati për kryetar, Sami Lushtaku ka bërë vizitë në disa fshatra, ku është shprehur se do ta bëjë me përkushtim udhëheqjen e komunës e do ta kthejë në projekte konkrete mbështetjen e qytetarëve.

Çeku zotohet për dialog e jo për ndarje në Prishtinë

1 muaj më parë / 20 sht 2025 22:18 Nga: Marigona Brahimi
Hajrulla Ceku

Votë për kandidatin për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, ka kërkuar kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë një vizite në këtë qytet të shtunën, në kuadër të fushatës zgjedhore.

Kurti para banorëve të Pejës tha se ndryshimi politik që e ka përfshirë Kosovën para gati pesë vjetësh, ka nevojë që ta përfshijë edhe Pejën. Ai tha se vota për Kelmendin do t’i sjellë komunës një kryetar për të gjithë qytetarët, duke përmendur se edhe programi i tij qeverisës, në qendër e ka kujdesin e mirëqenien e banorëve të të gjitha moshave.

“Taulant Kelmendi edhe është i ri, edhe ka përvojë. Prej kohës si aktivist politik i LVV-së, e deri tash që është zëvendësministër i Arsimit, ne kemi bashkëpunuar shkëlqyeshëm, i ka kryer të gjitha detyrat dhe është shumë punëtor, i ndershëm dhe patriot”, ka thënë Kurti.

E Kelmendi u shpreh se do të qeverisë ndryshe nga kryetari aktual, Gazmend Muhaxheri, i cili sipas tij është përkujdesur më shumë për asfalt e beton sesa për njerëzit.

“Në programin tonë, në paketën e mirëqenies, kemi menduar prej lindjes. Çdo foshnjë që lind, 250 euro subvencionim i drejtpërdrejtë, e deri tek mosha e tretë, e cila ka mbështetje në listën e barnave dhe ilaçeve, ku 50 për qind e faturës do të mbulohet nga komuna”, ka thënë Kelmendi.

Pos Pejës, Kurti ka vizituar edhe Deçanin për t’i dhënë mbështetje kandidatit të partisë së tij për kryetar të Komunës, Faton Selmanaj. Aty ka thënë se Deçanit i duhet një kryetar që nuk bën ankesa por kërkesa dhe që punon e bashkëpunon me qeverinë qendrore në të mirë të komunës dhe qytetarëve.

Fushatë kanë zhvilluar edhe kandidatët tjerë për kryetarë komunash.

Në Prishtinë , pretendenti për të parin e komunës, Hajrulla Çeku, është zotuar se do të sjellë frymë të bashkëpunimit në kryeqytet. Ai ka thënë se për shkak të ndarjeve të thella e mungesës së bashkëpunimit, shumë ide mbeten të parealizuara. U zotua se do ta ndryshojë këtë mënyrë veprimi dhe se do ta kanalizojë energjinë e rinisë, kulturës, biznesit e krijimtarisë në veprime konkrete.

“Unë kam punuar gjithmonë për dialog, jam kundër ndarjeve, kundër polarizimit dhe këtë frymë do ta sjellë edhe në krye të qytetit tonë. Do të punoj me të gjithë ata që vendosin interesin e Prishtinës përpara, me partitë, bizneset, organizatat, mediat, çdo grup të shoqërisë”, ka thënë Çeku.

Park të ri në Lipjan është zotuar se do të ndërtojë kandidati i Vetëvendosjes për kryetar, Ilir Qeriqi. Me hapësira për ecje, lojë, sport e argëtim, Qeriqi ka thënë se ky park do të vihet në dispozicion për të gjitha gjeneratat e kësaj komune.

“Ky është plani ynë për parkun e ri të Lipjanit: Një hapësirë e gjelbër, moderne dhe e gjallë për çdo qytetar. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për gjelbërim, ky park është përgjigje ndaj kësaj mungese. Një vend ku natyra do të marrë frymë, ku qytetarët do të gjejnë qetësinë e tyre dhe ku shëndeti i komunitetit do të vihet në plan të parë”, është shprehur Qeriqi.

Në Lloshkobare të Ferizajt, kandidati për kryetar të kësaj komune, Enver Haliti, ka premtuar funksionalizimin e çerdhes menjëherë pas marrjes së mandatit.

Edhe në Mitrovicë është premtuar kopsht fëmijësh. Kandidati për kryetar Faton Peci, pas vizitës në fshatrat Shipol dhe Lushtë, është zotuar për ndërtimin e një çerdheje, sigurim të transportit publik, rregullim të udhëkryqeve e krijim të hapësirave gjelbëruese.

E në Skënderaj, kandidati Hysni Mehani, derisa ka kërkuar votë për vete, ka kërkuar edhe ndëshkim për partitë tjera të cilat sipas tij nuk e kanë prioritet interesin publik.

“U bënë tash sërish bashkë. Kjo logjika që sërish mblidhemi ne ujqit e bëjmë një marrëveshje, e mandej çka e pret qytetarin nuk është gajle. E këtë duhet ta luftojë secili prej nesh”, ka thënë ai.

Në Dragash, kandidati për kryetar, Filiz Mustafa, ka premtuar ndërtimin e stacionit të autobusëve i cili, siç ka thënë është një nga zotimet kryesore infrastrukturore të tij.

Abdixhiku: Me Plakollin, problemeve në Mitrovicë u dalim përballë

1 muaj më parë / 20 sht 2025 22:16 Nga: Ardona Popova
Lumir Abdixhiku

Të shtunën, Lidhja Demokratike (LDK) e ka fokusuar fushatën parazgjedhore në Mitrovicë, ku është prezantuar kandidati për kryetar komune, Gëzim Plakolli, si dhe kandidatët për anëtarë të Kuvendit Komunal. Aty, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Plakolli u del problemeve përballë.

Abdixhiku e përshkroi kandidatin për kryetar komunë si një figurë të ndershme, të përgjegjshme dhe të përkushtuar, që sipas tij, ndodhet çdo ditë pranë qytetarëve dhe sfidave të tyre.

“Një kryetar që nuk ikën nga problemet, por i përballon ato. Një kryetar që nuk i fsheh sfidat, por sjell zgjidhje. Një kryetar që nuk i lë qytetarët në harresë, por i bën ata pjesë të qeverisjes. Ky është dallimi ynë. Ky është dallimi i Lidhjes Demokratike. Ky është dallimi i Gëzim Plakollit”, ka thënë Abdixhiku. “Gëzimi nuk është vetëm. Përkrah tij është një ekip i tërë, lista e Lidhjes Demokratike për Asamblenë Komunale të Mitrovicës. Janë gra dhe burra të ndershëm, profesionistë, qytetarë që nuk hyjnë në politikë për privilegje, por për shërbim. Ky ekip është garancia që fjala e dhënë do të kthehet në vepra. Ky ekip është ura mes qytetarëve dhe qeverisjes lokale. Ky ekip është garancia që vendimet do të merren me përgjegjësi e transparencë”.

Para elektoratit, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja është gjithmonë aty ku qytetarët kërkojnë shpresë, stabilitet dhe punë konkrete.

“Ne jemi partia e zhvillimit, e ligjshmërisë, e demokracisë dhe e orientimit euroatlantik. Në Mitrovicë, si kudo tjetër në Kosovë, LDK-ja mbetet garancia e ndryshimit të vërtetë”, ka thënë ai.

E, në Prishtinë, kryetari Përparim Rama, i cili synon ta marrë edhe një mandat si kandidat i LDK-së, foli për zgjerimin e linjave të autobusëve urbanë drejt fshatrave të kryeqytetit dhe për përfundimin e asfaltimit të rrugës në lagjen Kodra e Trimave. Ai vizitoi edhe stadiumin e ri në Hajvali, që sipas tij pritet të përfundojë së shpejti.

E kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, prezantoi në fshatrat Miradi e Poshtme, Miradi e Epërme dhe Vragoli, programin e tij dhe listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal. Ai tha se çdo projekt apo investim do të synojë përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe se ata do të jenë partnerë të barabartë në vendimmarrje.

“Synimi ynë është një qytet modern, funksional dhe i drejtë, ku qytetari është gjithmonë në qendër të vendimeve dhe ku secili ndihet i mbështetur dhe i fuqizuar për të kontribuar në të ardhmen e tij dhe të komunitetit tonë”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, në Lipjan, kryetari Imri Ahmeti, i cili i është rrekur garës për mandatin e ri, prezantoi projektin për ndërtimin e rrugës “Qamil Olluri”, që do të lidhej me magjistralen Prishtinë-Lipjan si pjesë e planit për lehtësimin e qarkullimit. Në Dobrajë të Madhe promovoi stadiumin e ri, që u hap zyrtarisht me një ndeshje mes veteranëve të KF Arbëria dhe veteranëve të KF Uniteti.

Në Pejë, kryetari Gazmend Muhaxheri që synon mandatin e radhës, ka promovuar punën e bërë deri tash. Ai tha se janë ndërtuar 11 palestra të reja.

“Rinia jonë ka sot hapësira moderne për sport dhe zhvillim, nga qyteti deri në fshat”, ka thënë Muhaxheri. “Ky është ndryshimi që shihet dhe jetohet çdo ditë”.

Ndërkaq, kryetari i Istogut Ilir Ferati, që po kështu synon edhe një mandat si kandidat i LDK-së, në një tubim me banorë të lagjes Mulaj në Orroberdë, vendosi gurthemelin e Shtëpisë së Kulturës. Ferati theksoi se ky projekt përfaqëson angazhimin e përbashkët për zhvillim kulturor dhe komunitar.

E, kandidati për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, premtoi se qytetarët nuk do të përballen më me mungesë të ujit të pijshëm. Ai është zotuar se çdo shtëpi në Prizren do të ketë ujë të pastër dhe të pijshëm pa ndërprerje.

Problemin e ngjashëm e ngriti edhe kandidati për kryetar të Shtimes, Kastriot Shabani, i cili premtoi ndërtimin e infrastrukturës së re që, sipas tij, do ta zgjidhë përfundimisht problemin.

Në Viti, kryetari Sokol Haliti që është në garë më mandatin e ri, foli për investimet në sport. Sipas tij, deri tash janë ndërtuar fusha, palestra dhe stadiume dhe premtoi edhe investime të reja.

Haradinaj: Sa herë që kemi marrë përgjegjësi, kemi dëshmuar

1 muaj më parë / 20 sht 2025 22:16 Nga: Ardona Popova
Ramush Haradinaj

Në ditën e tetë të fushatës elektorale, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vijuar prezantimin e projekteve të kandidatëve të saj në disa komuna.

Kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, ka vizituar Mitrovicën, ku ka ftuar qytetarët të mbështesin konceptin “Dritë për Mitrovicën”, teksa kandidatin për kryetar komune, Qazim Nimani, e ka vlerësuar si një figurë të angazhuar në çështjet kombëtare.

“Sa herë që kemi marrë përgjegjësi, kemi dëshmuar rezultate. Qazim Nimani, kandidati ynë për kryetar të Mitrovicës, ka qenë gjithmonë aktiv në çështjen kombëtare, duke i shërbyer qytetarëve edhe në kohët më të rënda të okupimit, si dhe në funksione të rëndësishme gjatë shtetndërtimit. Ai dhe lista jonë për Asamble kanë për t’ia rikthyer qytetit madhështinë që meriton”, ka thënë Haradinaj.

Ai aktivitetin në kuadër të fushatës elektorale e ka vazhduar edhe në Pejë. Aty ka thënë se me qeverisjen e Aleancës, nën udhëheqjen e kandidatit për kryetar komune, Ali Berisha, qyteti do ta rifitojë vendin e vet si qendra e zhvillimit për të gjithë Dukagjinin.

“Lista e Aleancës në Pejë bashkon njerëz me vlera të larta, të dëshmuar në të gjitha kohërat dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Në krye të saj qëndron z. Ali Berisha, mjek i luftës çlirimtare dhe një personalitet i dëshmuar në përgjegjësitë e deritanishme. Kandidatura e z. Ali Berisha për kryetar të Pejës po vlerësohet si alternativa e domosdoshme për t’i kthyer qytetit shkëlqimin e dikurshëm”, ka thënë Haradinaj.

Në Rahovec, kryetari aktual i komunës, Smajl Laifi, i cili synon edhe një mandat, ka theksuar para qytetarëve se i duhet ndihmë dhe mbështetje.

“Kjo betejë pavarësisht që ne ja bëjmë hyzmetin tash edhe në fushatë, këndo që ta pyetësh, thonë Rahoveci është i mbyllur. Krejt përpjekja jonë është që edhe pak ndihmë, edhe pak përkrahje me kalu me raundin e parë. Nuk është as dëshira jonë, as interesi ynë i përbashkët me hy edhe njëherë në votime”, ka thënë Latifi.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqi, ka prezantuar planin për mbështetje për objektet e kultit.

Ai ka theksuar se një rregullore që do të hartohej për këtë, do të përfshijë heqjen e shpenzimeve për energji elektrike, mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe ndriçimin profesional.

E, në Gjilan, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Nazim Gagica, ka prezantuar projektin për Transportin Publik Urban, me të cilin tha se synon të zgjidhë kaosin e përditshëm në rrugët e qytetit.

Ai ka premtuar funksionalizimin e katër linjave të reja të transportit publik, të cilat do të operonin me autobusë modernë.

“Ky projekt do të funksionalizohet në mes katër linjave kryesore të transportit publik. Linja e parë, Pasjak-Qendër-Malishevë. Linja e dytë, Livoq i Poshtëm-Qendër-Udhëkryqi i rrugës tranzit. Linja e tretë, Velekincë-Qendër-Rr. “Halim Orana” e që lidhet me lagjen Dardani I dhe II. Linja e katërt, Livoq i Epërm-Qendër-Shillovë. Qarkullimi në këto linja do të zhvillohet me autobusë modernë, me kapacitet deri më 25 pasagjerë duke ofruar frekuencë prej 14 qarkullimesh në ditë për secilën linjë në fazën fillestare”, ka thënë Gagica.

Në Istog, kandidati për asamblist, Ekrem Metaj, ka premtuar se në qeverisjen e AAK-së do të zgjidhet problemi i rrugëve të paasfaltuara nëpër lagje e fshatra.

Ndërsa në Viti, kandidati për kryetar komune, Labinot Bislimi, ka prezantuar projektin për kanalin e ri të ujit të Moravës, duke theksuar se do të ngjajë me sistemin modern të qytetit suedez Malmo.

Gjobitet Sokol Halili, bëri krahasime të Lushtakut me Radoiçiqin

1 muaj më parë / 20 sht 2025 19:03
Sokol Halili - Sami Lushtaku

Kandidati i Iniciativës Qytetare për Skenderaj për kryetar të kësaj komune, Sokol Halili, është gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me 1500 euro për fyerje dhe krahasim të kundërkandidatit të tij, Sami Lushtaku, me Milan Radoiçiqin.

Partia Demokratike e Kosovës ishte ankuar ndaj Halilit për statusin e tij në Facebook të datës 18 shtator. “Bashke kundër çdo krimineli apo argati të armikut tone shekullor serbe unë armike kam vetëm Milan Radoiqiqin dhe shokun e Tina Sami Lushtakun te tjerët janë viktime i hapur për gjithë Drenicaket përjashtim Sami Lushtaku”, kishte shkruar ai.

E sipas PZAP-së, deklarata shkel Kodin e Mirësjelljes së kandidatëve.

“Paneli gjeti se gjuha e përdorur nga kandidati i Iniciativës Qytetare për Skenderaj Sokol Halili, ndaj kandidatit për kryetar të Komunës së Skenderajt të PDK-së Sami Lushtaku në fushatë zgjedhore dhe përdorimi i termave kriminel dhe argat i armikut kundrejt kandidatëve të tjerë, si dhe krahasimet e kandidatëve me persona me precedentë penalë, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, përkatësisht, me dispozitat e nenit 34 paragrafi 1, pika 1.11, të LZP-së, ku janë të përcaktuara veprimet e ndaluara të subjekteve politike. Në këtë rast duhet marrë parasysh bazë konteksti dhe qëllimi për të cilin është dhënë deklarata në rrjetin social Facebook, prandaj, sipas Panelit, përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim nxitje të dhunës dhe urrejtjes. Rregullat që rregullojnë fushatën zgjedhore kërkojnë nga subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre të shmangin përdorimin e gjuhës fyese, denigruese dhe urrejtëse. Përdorimi i kësaj gjuhe nga Iniciativa Qytetare për Skenderaj, kandidati Sokol Halili, sipas Panelit është shkelje e etikës zgjedhore dhe standardeve të sjelljes në fushatë zgjedhore. Sjellja e tillë minon procesin demokratik dhe promovimin e zgjedhjeve të lira e të drejta. PZAP-i në rastin e shqyrtimit të gjobës ka marrë për bazë kontekstin se deklarata është bërë në kohën e fushatës zgjedhore dhe se nxit dhunë dhe urrejtje politike”, thuhet në vendim.

Lushtaku po synon të rikthehet në krye të Skenderajt me PDK-në.

E Radoiçiqi është ish-nënkryetar i Listës Serbe, e i cili duke qenë në arrati, ka marrë përsipër organizimin e sulmit terrorist në Banjskë.

 

Partia e Arsenijeviqit premton ta kthejë në pazar të hapur urën më të re mbi Ibër

1 muaj më parë / 20 sht 2025 18:35
Hapet ura e re mbi Ibër

Ura e re mbi Ibër (Foto: Xhelal Sveçla /facebook)

Demokracia Serbe e ka në arrati kryetarin e saj dhe kandidatin për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Arsenijeviq.

Ai ka thënë se dyshimet për posedim të paautorizuar të armëve dhe arsenalit të gjetur në stallën e tij, janë të pabaza.

E nënkryetari i kësaj partie që kandidon edhe për asamble komunale, Stefan Velkoviq, ka premtuar se do ta shndërrojë në pazar urën më të re mbi lumin Ibër, në të cilën aktualisht qarkullohet me vetura.

“Ndoshta nuk iu duket tash ashtu, por jemi në vendin ku do të jetë tregu i ri i hapur. Ndryshe nga ura e inatit të Kurtit, tregun e hapur të ri do të mund ta përdorin të gjithë, serbët, shqiptarët, goranët, romët dhe të gjithë bashkëqytetarët tanë”, ka thënë Velkoviq.

Akuza e partisë “Fytyra e Re – Drejtësi për Popullin”: Sërpska po mobilizon dhunshëm mantelbardhët

1 muaj më parë / 20 sht 2025 18:28
Të premten, në Mitrovicë të Veriut protestuan pjesëtarë të stafit shëndetësor që punojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Të premten, në Mitrovicë të Veriut protestuan pjesëtarë të stafit shëndetësor që punojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Partia Fytyra e Re – Drejtësi për Popullin, e cila vepron në veri, ka akuzuar Listën Serbe se po mobilizon dhunshëm punëtorët shëndetësorë. 

Ajo ka shpërndarë një postim në faqen e vet në Facebook, në të cilin theksohet se presioni po bëhet nëpërmjet kërcënimeve dhe shantazheve. 

Këtë javë protestuan kundër një aksioni të policisë punëtorët shëndetësorë të prirë nga kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, i cili është edhe drejtor i Qendrës Klinike që funksionon në Mitrovicën e Veriut, në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë. 

Partia Fytyra e Re – Drejtësi për Popullin ka shpërndarë edhe video të deputetit të Kuvendit të Serbisë, Milosh Parandiloviq, i cili është kryetar i partisë opozitare në Serbi, Fytyra e Re e Serbisë (Novo Lice Srbije). 

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve në veri të Kosovës që t’i votojnë kandidatët për kryetarë: Nebojsha Miliqin për Mitrovicën e Veriut, Nenad Radosavleviqin për Leposaiviq dhe Grozdan Bishevacin për Zubin-Potok.

Kurti: Në Deçan na duhet një kryetar që s’bën ankesa, por kërkesa

1 muaj më parë / 20 sht 2025 16:43
Albin Kurti,

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, teksa ka kërkuar votën e deçanasve për Faton Selmanajn për kryetar të kësaj komune, ka thënë se Deçanit i duhet “një kryetar që nuk bën ankesa, por kërkesa”.

Kurti është lavdëruar për punën e Qeverisë së tij në këtë komunë. Siç ka thënë ai, për katër vjet kanë ndarë mbi 60 milionë euro për investime në Deçan.

“Në këto katër vjet, mbi 60 milionë euro investime i kemi ndarë për Komunën e Deçanit, përfshirë këtu rrugë, Qendrën Rinore në Deçan, pishinën gjysmë-olimpike që po e ndërtojmë, objektet e shkollave në Lumbardh, Gramaqel, Glogjan dhe Deçan dhe çerdhen për fëmijë, si dhe mbështetjen për fermerë përmes subvencioneve, granteve dhe kanaleve të ujitjes. Na duhet një kryetar i komunës që nuk bën ankesa por kërkesa, që punon ditë e natë dhe bashkëpunon me qeverinë qendrore në të mirë të komunës dhe qytetarëve. Deçanit i duhet Faton Selmanaj për kryetar: punëtor, i sinqertë e besnik”, ka shkruar ai në Facebook.

Komunën e Deçanit e udhëheq Bashkim Ramosaj i AAK-së që në 12 tetor kërkon edhe një mandat.

Haradinaj: Vota për AAK-në është zgjedhja për një Mitrovicë që bën dritë

1 muaj më parë / 20 sht 2025 14:50
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në qytetin e Mitrovicës në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të partisë për këtë qytet. Ai bëri thirrja që të votohet numri 174.

“Mitrovica, që nga ditët e para të angazhimit tonë për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë, ka qenë gjithmonë pjesë e kauzës sonë. Që atëherë e deri më sot, kemi qenë të përkushtuar për Mitrovicën dhe për Veriun e vendit. Kam qenë gjithmonë pranë njerëzve të vyeshëm e atdhetarë të Mitrovicës dhe të gjithë kësaj treve. E përkrahëm pa rezervë me projekte të shumta zhvillimore dhe mbi të gjitha, i kthyem Trepçën në pronësi të Kosovës, edhe ligjërisht. Vetëm në këtë komunë, si kryeministër i drejtuam mbi 121 milionë euro në projekte madhore”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se Mitrovica ka arsye të forta ta mbështesë konceptin “Dritë për Mitrovicën”, sepse Aleanca ka dëshmuar gjithmonë rezultate kur ka marrë përgjegjësi.

Haradinaj ka shprehur mbështetjen për kandidatin e AAK0së për kryetar të Mitrovicës, Qazim Nimani, duke e cilësuar atë si një figurë që ka qenë gjithmonë aktive në çështjen kombëtare, ka shërbyer qytetarëve në kohët më të rënda të okupimit dhe ka mbajtur funksione të rëndësishme gjatë shtetndërtimit.

“Qazim Nimani dhe lista jonë për Asamble kanë për t’ia rikthyer qytetit madhështinë që meriton. Vota për numrin 174 është zgjedhja për një Mitrovicë që bën Dritë në jetën e përditshme të çdo qytetari”, ka përfunduar Haradinaj.

Tahiri premton fushë moderne të tenisit në Mitrovicë

1 muaj më parë / 20 sht 2025 14:20
Arian Tahiri

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka premtuar ndërtimin e një fushe moderne të tenisit si pjesë të planit të tij për zhvillimin sportiv të qytetit.

“Edhe në tenis, sikur në politikë, gjithçka varet nga përpjekja e vazhdueshme. Mitrovica ka potencial të madh dhe unë angazhohem pareshtur që këtë potencial ta shndërroj në mundësi reale për secilin qytetar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai shtoi se fusha e tenisit do të ofrojë diversitet sportiv dhe do të krijojë mundësi të reja për të rinjtë dhe sportdashësit e Mitrovicës, duke e bërë qytetin më tërheqës për aktivitetet sportive.

4 milionë euro për shtratin e lumit Llap dhe lumenjtë tjerë në Podujevë

1 muaj më parë / 20 sht 2025 11:23
Durmishi & Bulliqi

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur se është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës për një investim prej 4 milionë eurosh.

Sipas tij, bashkë me ushtruesin e detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, po bëhet realitet projekti për ndërtimin dhe meremetimin e shtratit të lumit Llap dhe lumenjve të tjerë në territorin e Podujevës.

“Ky investim i madh nënkupton siguri shtesë për jetën e qytetarëve tanë, të shtëpive dhe të pronave, si një hap i fuqishëm për mbrojtje nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Ai shtoi se ky projekt është dëshmi e bashkëpunimit të Komunës së Podujevës me Qeverinë e Kosovës për punë të mëdha në shërbim të qytetarëve.

Rama: Prishtina po transformohet, por jemi bllokuar nga niveli qendror

1 muaj më parë / 20 sht 2025 09:04
Perparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim me banorët e Lagjes së Muhaxhirëve, ku ka folur gjerësisht për projektet e realizuara dhe ato në zhvillim duke akuzuar nivelin qendror se po e pengon përparimin e kryeqytetit me bllokime të paligjshme.

Ai përmendi ndërhyrjet në hapësirat publike, si zgjerimi i sheshit drejt Katedrales, rruga “Rexhep Luci” e transformuar dhe projekti shumë më i madh i sheshit “Gjorgj Bush”, për të cilin tha se është dhjetëfish më i gjerë dhe më i rëndësishëm. “Nëse keni parë sheshin ‘Rexhep Luci’ sot, është një ndjesi tjetër. Jep energji pozitive dhe siguri. Ky është vetëm një fragment i mozaikut që po ndërtojmë për ta transformuar qytetin”, tha Rama.

Sipas tij, projektet e shesheve janë vetëm një pjesë e planit më të madh që lidhet me zgjidhjen e trafikut: unaza e brendshme dhe e jashtme të Prishtinës, ndërlidhja me rrugën “Xhim Xhema” që lidh lindjen dhe perëndimin e qytetit, si dhe ndërtimi i dhjetë shkollave të reja në periferi, prej të cilave tri tashmë janë përfunduar dhe shtatë janë në ndërtim.

“Këto shkolla periferike ulin stresin e familjeve që nuk do të kenë më nevojë t’i sjellin fëmijët në qendër duke lehtësuar edhe trafikun”, shtoi ai.

Rama theksoi se përgatitjet për Lojërat Mesdhetare janë një moment historik për kryeqytetin dhe se për këtë arsye duhet të përfundojnë të gjitha unazat dhe projektet madhore.

“Niveli qendror nuk po më ndihmon duke thënë se janë premtime tua zgjedhore. Këto nuk janë projekte të miat personale. Nuk i marr me vete. Janë për qytetin, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen tonë”, tha ai duke përmendur edhe master-planin e fshatit olimpik, i cili sipas tij krijon mundësi të reja për investitorë ndërkombëtarë.

Ai u ndal edhe te raporti i fundit i GAP, që sipas tij dëshmon se Komuna e Prishtinës ka realizuar 72% të premtimeve për katër vjet.

“Në fakt, janë 119 projekte të realizuara. Ndërsa Shpend Ahmeti në tetë vjet kishte përfunduar 79 projekte. Pra, ekipi ynë i kryeqytetit ka bërë shumë më tepër në një mandat të vetëm”, tha Rama duke ironizuar se Vetëvendosjes do t’i duheshin edhe 16 vjet për ta arritur nivelin e tij.

Në fjalimin e tij, Rama foli edhe për sportin dhe infrastrukturën sportive duke theksuar ndërtimin e hapësirave të reja në lagje të ndryshme, përfshirë fushën e parë të futbollit për vajzat e KFV Prishtina, e cila u inaugurua së fundmi. Ai përmendi edhe projektin për gjetjen e një fushe për klubin “Besëlidhja”.

Në fund, kryetari falënderoi qytetarët për përkrahjen dhe i ftoi për një bashkëbisedim të hapur.

 “E di që kemi shumë punë, shumë sfida dhe shumë nevoja, por ne kemi ekip profesional, vizion të qartë dhe projekte konkrete që tashmë po japin rezultate. Përkundër pengesave, po ecim përpara”, përfundoi Rama.