Vonesat në formimin e institucioneve qendrore që prej zgjedhjeve të 9 shkurtit rrezikon t’ua zbehë interesimin qytetarëve edhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sipas analistit të politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, dhe njohësit të politikave lokale, Oktaj Hasani.
Salihu ka thënë se qytetarët mund të shfaqin distancim nga fushata që nis nesër.
“Pamundësia e formimit të institucioneve në nivelin qendror nga shkurti, gjykoj se ka dhënë sinjal të keq sa i përket angazhimit qytetar dhe sa i përket interesimit qytetar për politikat publike. Kjo besoj ose pres se do të mund të reflektojë edhe në nivel lokal. Qytetarët do të mund të shfaqin distancim edhe nga zgjedhjet edhe nga fushata. Janë të dekurajuar. Është njëfarë amullie me shumë faktorë të përzier e po duket situatë pa zgjidhje”, ka thënë ai në debatin për zgjedhjet lokale të premten në KTV. “Ky është sinjal që e ka sulmuar motivin e qytetarit për të qenë pjesë e procesit politik, përfshirë zgjedhjet. Por ky është mesazh dhe imazh që e kanë krijuar këto subjekte dhe le të ballafaqohen me këtë realitet që është krijuar 5-6 muajt e fundit”.
E Hasani ka thënë se neglizhenca për formimin e institucioneve qendrore do t’u kushtojë partive me më pak votues në zgjedhjet lokale.
“Neglizhenca do të ndikojë në numrin e votuesve në zgjedhjet lokale, por s’do të dëshiroja të ndodhë kjo.... Por zgjedhja e përfaqësuesit në nivel komunal të bën ta ballafaqosh direkt me problemin që e ke si lagje apo si komunitet ku jeton. Uroj që qytetarët ta shohin kështu qytetarët dhe t’i shohin zgjedhjet lokale s’i mënyrë për t’i zgjidhur çështjet me të cilat përballen në baza ditore”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor i Telegrafi.com, ka thënë se qytetarët mund të nxiten nga “listat më interesante për asamble”.
“Qytetarët duhet të votojnë sepse një herë në katër vjet rikthehemi në terren. Për dallim prej zgjedhjeve nacionale që mund të jenë më të jashtëzakonshme e më të shpeshta, që duket se do t’i kemi edhe këto nëse s’kemi qeveri të re pas zgjedhjeve të shkurtit, është e rëndësishme që qytetarët të dalin në zgjedhja sepse i zgjedhin njëherë në katër vjet... pos rasteve të rralla. Çka kam pa gjatë parafushatës zgjedhore? Partitë si duket e kanë marrë shumë seriozisht punën e listave për asamble. Përse po mendoj kështu? Janë dy-tre aspekte. Kam pa shumë njerëz të rinj të mirë në të gjitha partitë që po garojnë. E ky është motivi për qytetarët sepse partitë e kanë marrë seriozisht garën dhe qytetarët duke e parë këtë proaktivitet të partive, mund të shohin njerëz më interesant në lista që mund t’i përfaqësojnë ata”, ka thënë ai.
E Rajmonda Zhdrella, autore e emisionit 038 në KTV, ka thënë se listat më të shpërndara për asamblistë nëpër nivele lokale do të sillnin edhe më shumë barazi nëpër komuna.
“Kur ke përfaqësim të fortë në Kuvendin komunal, kur vjen buxheti secili duhet ta ketë zërin e vet... Tash në Prishtinë, për shembull, s’ka ndarje të barabartë të buxhetit. Asamblistët që përfaqësojnë lagjen s’mund të lejojnë që paratë të shkojnë në vetëm disa shkolla të caktuara”, ka thënë ajo duke shtuar se duhet të ketë më shumë vota edhe për kandidatët nga fshatrat dhe jo vetëm nga qytetet.
Ajo ka thënë se edhe rritja e pagave ka mundur të ndikojë në përmirësim të listave për asamble.
E Salihu ka thënë se uji i pijes, kanalizimi, mungesa e gjelbrimit, parkingjet, ndërtimet janë disa prej problemeve që i shoqërojnë shumicën dërrmuese të komunave.