Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se pretendimet për dallavere me vota në Mitrovicën e Jugut nuk mund të reduktohen në një “gabim teknik”.
Sipas tij, çdo fletëvotim që nuk përputhet me kodin e vendvotimit ku është votuar duhet të shpallet i pavlefshëm, por kjo masë nuk mjafton për të garantuar integritetin e procesit.
“Thelbi nuk është vetëm gabimi teknik, por përmasat e tij – pra, sa fletëvotime janë prekur, në cilat vendvotime, dhe a ka pasur ndikim në rezultat. Pa këtë informacion, askush – e sidomos KQZ-ja – s’mund të flasë për integritet të paprekur të zgjedhjeve”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Ai shtoi se “sqarimet” e dhëna nga kompania CETIS dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vetëm sa e kanë bërë rastin më të paqartë.
“Mungesa e informacioneve zyrtare nga KQZ-ja mbi shtrirjen reale të problemit, dhe bartja e përgjegjësisë te CETIS-i, që më shumë krijoi konfuzion sesa sqarim me deklaratën e saj, është tejet problematike”, deklaroi Cakolli.
Sipas tij, nëse as kompania nuk e di sa dengje dhe fletëvotime janë prekur, atëherë është e pamundur të garantohet integriteti i procesit zgjedhor.
“Kur ende rreth 75% e vendvotimeve të Mitrovicës nuk janë procesuar dhe fletëvotimet e dyshimta nuk janë verifikuar fizikisht, çdo deklaratë që e kufizon problemin tek ‘gabimi teknik’ është thjesht spekulim”. theksoi Cakolli, duke shtuar se “në një proces zgjedhor, s’ka më keq se kur një ‘gabim teknik’ trajtohet si rrezik politik që duhet menaxhuar, në vend se si problem që duhet hetuar deri në fund”.
Në Mitrovicë të Jugut mbrëmë u urdhërua të ndërpritej numërimi në Qendrën Komunale të Numërimit për shkak se në disa fletëvotime nuk përputhej numri serik me kodin e vendvotimit. Në vendngjarje doli edhe kryeprokurori i Mitrovicës.
Nga KQZ-ja kanë thënë se bëhet fjalë për gabim teknik. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar rivotim. Pasditen e sotme, u urdhërua që të rifillohej numërimi.
Sipas rezultateve preliminare, Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje e fitoi Mitrovicën.