Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se fitorja e Faton Pecit në Mitrovicën e Jugut është e fabrikuar.
Në një postim në Facebook ai ka shkruar se në pesë vjetët e fundit Kurti e ka suspenduar logjikën, e sipas tij, në vend të saj e ka injektuar inatin, përçarjen, urrejtjen në shoqërinë tonë. Ka shtuar se zgjedhjet lokale janë reflektim i kësaj urrejtje, i këtij inati që ka ndjellë!
Behrami ka thënë se në Mitrovicë, përveç kësaj, “Kurti ka shfrytëzuar krejt potencialin shtetëror, grupe të nëntokës, grupe kriminale për të fabrikuar një fitore, e cila ditëve të ardhshme mund të shndërrohet në skandalin më të madh zgjedhor në historinë e Kosovës së pasluftës”.
Sipas tij, ajo që është parë nga procesi i numërimit, në Mitrovicë nuk ka pasur tren bullgar,” aty ka pasur tren qeveritar”.
“Pra një fabrikim shtetëror, jo individual, apo i udhëhequr vetëm nga grupe kriminale. Në pothuajse çdo klasë nëpër vendvotime të mëdha janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt nëpër klasa – një shenjë e qartë e trafikimit të fletëvotimeve dhe të asaj që quhet treni bullgar. Madje, janë gjetur edhe fletëvotime të njërës klasë në tjetrën. Masiviteti i këtij fenomeni është i frikshëm dhe një shenjë e qartë po ashtu që këtu nuk bëhet fjalë për individ, por për një sistem të organizuar nga institucionet e okupuara”, ka thënë ai.
Sipas tij, krimi zgjedhor në Mitrovicë do të ekspozohet i plotë, ashtu siç Behrami thotë se ka qenë.
“Ftoj vëzhgues ndërkombëtarë, ftoj vëzhgues nga organizatat jo qeveritare, ftoj mediat që 24 orë të monitorojnë numërimin në QNR në Mitrovicë”, ka shkruar ai.