Në Ferizaj, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pretendenti i partisë së tij për kryetar, Visar Azemi, është kandidati i shpresës dhe i së ardhmes për komunën, pasi që ai e kupton se Ferizaj nuk mund të jetë qyteti i stagnimit. Në kuadër të fushatës elektorale të së mërkurës, kandidatë të LDK-së për kryetarë komunash kanë prezantuar zotime konkrete. Gëzim Plakolli, që synon ta udhëheqë Mitrovicën, ka thënë se me të kryetar do të sigurohet mbështetje për bizneset e vogla. Ndërkaq në Prizren, kandidati Driton Selmanaj është zotuar që në rast se e fiton garën lokale të 12 tetorit, do ta funksionalizojë zonën industriale dhe do të ngrejë pesë zona të tjera ekonomike në qytet
Kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë zotimin për ringjalljen e ekonomisë, për investime në arsim dhe shëndetësi, si dhe për qeverisje me dinjitet në Ferizaj gjatë tubimit elektoral të mbajtur në këtë qytet.
Para qytetarëve në Ferizaj, ai ka shprehur kritikë ndaj qeverisjes aktuale për mungesë vizioni dhe për premtime të papërmbushura në komunën të cilën e ka kualifikuar si gjenerator të zhvillimit të Kosovës.
“Ferizaj nuk është thjesht një qytet i zakonshëm në hartën e Kosovës. Ferizaj është zemra e ekonomisë sonë, është zemra e industrisë, është qendra e ndërmarrësisë, është djepi i rinisë dhe i energjisë që e çon Kosovën përpara. Kur flasim për Ferizajn, flasim për qytetin që gjithmonë ka pasur guximin të ëndërrojë më shumë, të punojë më shumë, të ndërtojë më shumë. Për katër vjet me radhë, pushteti lokal dhe qendror kanë dështuar. Në vend që të përkrahnin biznesin, ata e kanë ngufatur atë. Në vend që të investonin për të rinjtë, ata i kanë lënë të ikin, duke e zbrazur qytetin nga energjia e tij më e madhe. Në vend që të ndërtonin shkolla moderne, ata kanë lënë klasa të vjetruara”, ka theksuar Abdixhiku.
Qytetarëve në Ferizaj ai ua ka kërkuar mbështetjen më 12 tetor për kandidatin e LDK-së për kryetar komune, Visar Azemi.
“Visar Azemi nuk është vetëm kandidat i Lidhjes Demokratike. Ai është kandidati i shpresës, kandidati i punës, kandidati i së ardhmes. Sepse ai e kupton se Ferizaj nuk mund të jetë qyteti i stagnimit, por duhet të jetë qyteti i inovacionit. Nuk mund të jetë qyteti i dështimit, por duhet të jetë qyteti i suksesit. Nuk mund të jetë qyteti i ikjes, por duhet të jetë qyteti i kthimit. Nuk mund të jetë qyteti i propagandës, por duhet të jetë qyteti i rezultateve”, ka thënë Abdixhiku.
Në vazhdën e fushatës të mërkurën, kandidatë të LDK-së për kryetarë komunash kanë prezantuar zotime konkrete.
Në Mitrovicë, kandidati Gëzim Plakolli është zotuar që në rast se e fiton garën për kryetar do të ofrojë mbështetje për bizneset e vogla, të cilat i ka quajtur shtyllë kryesore të ekonomisë së qytetit.
“Nga këpucëtaritë, mobilieritë, dyqanet e telefonave, marketet e vogla individuale e deri te tregtarët në rrugë, pashë nga afër punën, përkushtimin dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë qytetarët tanë punëtorë. Si kryetar i ardhshëm i Mitrovicës, angazhimi im është i qartë: T’i mbështesim bizneset e vogla me lehtësira konkrete. Të krijojmë hapësira për zhvillim e inovacion”, ka theksuar Plakolli.
Në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli u ka premtuar banorëve të fshatit Pogragjë ujë të pijshëm, asfaltimin e rrugëve lokale, funksionalizimin e infrastrukturës turistike te Kalaja e Pogragjës, si dhe pastrimin e rregullimin e shtratit të lumit.
“Pogragja: 3 projekte kryesore në qeverisjen tonë; Ujë i pijshëm i sigurt për çdo familje. Asfaltim i rrugëve lokale dhe funksionalizim i Kalasë së Pogragjës si destinacion turistik. Pastrim dhe rregullim i shtratit të lumit për një ambient më të pastër e më të shëndetshëm”, është zotuar Ismajli.
E kandidati i LDK-së për kryetar komune në Prizren, Driton Selmanaj, e ka premtuar funksionalizimin e zonës industriale, ndërsa ka paralajmëruar dhe projektin e pesë zonave të tjera ekonomike për zhvillimin e bizneseve.
“Ideja jonë si LDK është që vërtet me transformu Prizrenin, me kriju hapësira të mjaftueshme për zhvillim biznesi. Tani ne e kemi pjesë të programit, bashkë me ekonomistët tanë, që LDK-ja shquhet edhe në nivel vendi që i ka ekonomistët më të mirë, e kemi bërë bashkë me ta një program që jo vetëm që do ta funksionalizojmë zonën industrial, po se po atë, por edhe pesë zona të tjera ekonomike do t’i projektojmë”, ka deklaruar Selmanaj.
Xhafer Tahiri, i cili më 12 tetor synon që të kthehet në krye të Komunës së Vushtrrisë, është zotuar të mërkurën që fshatin Studime dhe lagjen “Galip Badivuku” t’i ketë prioritete të para gjatë qeverisjes së tij lokale. Në këtë synim ai ka premtuar se do të bëjë investime në infrastrukturë, në hapësira të gjelbra dhe t’u ofrojë mbështetje bizneseve lokale.
