Në ditën e tetë të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka premtuar përfundimin e autostradës Prishtinë- Gjilan para qytetarëve të Gjilanit, në tubimin e së mërkurës në këtë komunë. Ai premtoi edhe themelimin e Ministrisë së Familjes
Me thirrjet “Krejt Gjilani LDK”, simpatizantë të Lidhjes Demokratike e pritën kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili është edhe kandidat për kryeministër. Këto brohoritje të qytetarëve pasuan fjalët në superlativ për Gjilanin, që i tha para mbështetësve kryetari i LDK-së.
“Gjilani nuk është një qytet i zhurmës, është një qytet i peshës së madhe. Nuk është një qytet i improvizimit, është qytet që kërkon drejtim. Këtu njerëzit punojnë mbarë, sepse jetuar gjithmonë mbarë”, ka thënë Abdixhiku.
Në këtë aktivitet parazgjedhor, Abdixhiku kritikoi qeverisjen qendrore. Aty dha premtimin se, nëse bëhet kryeministër, prioritet do ta ketë përfundimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.
“Autostradën e lënë në lloq tash e 5 vjet, do ta përfundojmë në më pak se 20 muaj në qeverinë e ardhshme, me prioritet absolut. Do ta bëjmë me prioritet unë dhe ekipi ynë, do të jem në terren për ta bërë këtë rrugë të mundshme, realitet për Gjilanin, Kamenicën, për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin”, ka thënë ai.
Përveç premtimeve në infrastrukturë, Abdixhiku dha zotime edhe për mbështetjen e familjes. Ai tha se do të themelojë ministri të veçantë për ta jetësuar zotimin.
“Në qendër të mbështetjes sonë kemi pasurinë tonë më të madhe kombëtare, kemi familjen tonë kosovare. Do të themelojmë menjëherë Ministrinë e Familjes dhe Mirëqenies, në mënyrë që familjes kosovare t’i japim mbështetje në çdo etapë të rritjes. Në Ministrinë e Familjes dhe Mirëqenies nga 200 euro në muaj për vitin e parë, pra 2400 për vit, do t’i jepen secilës familje me fëmijë në vitin e parë të lindjes së tij ose saj”, ka thënë ai.
Gjatë ditës, kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka premtuar pagë deri në 1 mijë euro për secilin mësimdhënës, si shenjë respekti real për profesionin dhe për dinjitetin e tyre.
Në takim me mësimdhënës në Prishtinë, në ditën e tetë të fushatës zgjedhore, ai ka thënë se zotimet e LDK-së për arsim janë të qarta dhe të panegociueshme.
Abdixhiku ka premtuar gjithashtu se në qeverisjen e tij do të ndërtohen 80 çerdhe të reja, në mënyrë që fëmijët të kenë fillim të duhur, ndërsa prindërit mbështetjen që u mungon.
Në mesin e zotimeve për arsimin, ai ka numëruar mësimin tërëditor, shkolla më cilësore, barazi më të madhe dhe zhvillim të plotë të nxënësve.
Kandidati i LDK-së për kryeministër ka premtuar edhe përfshirjen e kodimit dhe inteligjencës artificiale si lëndë mësimore në shkolla, në mënyrë që, siç ka thënë, Kosova të përgatitet për botën e së nesërmes dhe jo për të djeshmen.
E në një mesazh politik të shpërndarë nga “Bregu i Diellit”, të shoqëruar me një video të publikuar në Facebook nga kryetari i LDK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, theksohet se Prishtina meriton një Qeveri që e ndihmon dhe e zhvillon, e jo një që e bllokon.
Në përshkrimin e videos përmendet edhe shifra prej 1.5 miliardë eurosh si investim i nevojshëm për kryeqytetin.
“Nga Bregu i Diellit: Prishtina e meriton një Qeveri që nuk e bllokon, nuk e saboton, por e ndihmon. E zhvillon. ‘Qiti paret’; plot 1.5 miliardë euro për Kryeqytetin tonë”, ka shkruar Abdixhiku.
Në tubimin partiak në Prishtinë, kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka thënë se me Lumir Abdixhikun kryeministër, sipas tij, nuk do të kishte nevojë për thirrje publike për lirimin e mjeteve financiare.
“Me Lumirin kryeministër nuk kemi nevojë të themi ‘qiti paret’. I qet paret me kënaqësi, sepse e do Prishtinën, e do Kosovën”, është shprehur Rama.
Gjatë së mërkurës, Lidhja Demokratike e Kosovës me një video në Facebook ka renditur premtimet për prindërit. “Kjo është kontrata juaj me shtetin”, ka shkruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, si përshkrim të videos me premtime, në rast se kjo parti bën qeverinë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Premtimi i parë në këtë aspekt është ndarja prej 2.400 eurosh për fëmijën në vitin e parë. Premtim i dytë është vazhdimi i shtesave deri në pesë vjet dhe për 80 çerdhe të reja.
Për fëmijët nga 6 deri në 11 vjet, LDK-ja ka premtuar mësim tërëditor dhe shujta të ngrohta për secilin fëmijë.
Adoleshenca deri në 16 vjet, sipas LDK-së, do të përfshijë kodimin në shkolla.
Për të rinjtë nga 16 deri 21 vjeç, LDK-ja ka premtuar trajnimin e 40 mijë të rinjve për teknologji informative.
“Pas diplomimit askush s’duhet të presë”, thuhet në videon e LDK-së që ka premtuar punësimin e garantuar me pagë prej 500 eurosh për 6-12 muajt e parë të punës.
“Një shtet që investon herët te qytetari, nuk paguan më vonë çmimin e papunësisë dhe emigrimit”, ka thënë Abdixhiku në këtë video.