Pas dhjetë ditë fushate të ndarë, lideri i PDK-së Kadri Veseli, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, janë bërë bashkë në përmbyllje të fushatës zgjedhore në kryeqytet.
Liderët e koalicionit PDK-AAK-Nisma para simpatizantëve dhe qytetarëve të Prishtinës e Kosovës, kanë ftuar të gjithë që të bashkohen dhe më 11 qershor të shënojnë një fitore bindëse, e cila do të jetë fitore për Kosovën dhe për qytetarët e saj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMes thirrjeve të emrit të tij, të UÇK-së, e Ramush Haradinajt, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, u ka thënë mijëra qytetareve e simpatizantëve të koalicionit, që të bashkohen më 11 qershor dhe të votojnë koalicionin i cili është bërë bashkë për Kosovën dhe për qytetarët.
Dy mesazhe, Veseli tha se i ka për gjithë qytetarët e Kosovës.
“’Fillimi i Ri’ është bashkimi ynë për Kosovën tonë shtet të pavarur sovran, Kosovën tonë të lirë. I thërras të gjithë qytetarët e vendit tonë, i thërras të gjithë ata që ende kanë dilema bashkohuni bashkë sepse ne jemi bërë bashkë për ju dhe e dini pse jemi bërë bashkë që më kurrë Serbia të mos kthehet në Kosovë. Ne jemi bërë bashkë që të jemi bashkë për Kosovën që të kemi qetësi për fëmijët tonë, që të kemi paqe në familjet tona, që atdheu jonë Kosova të ecë përpara drejt integrimeve euroatlantike. Thërras të gjithë qytetarët e vendit tonë ata të cilët kanë ende dilema bashkohuni këtij entuziazmi, bashkohuni kësaj fitoreje, ne kemi nevojë për ju, ne kemi nevojë të jemi bashkë për arsye se përkrahja juaj i jep fuqi ‘Fillimit të Ri’, përkrahja juaj e mban lart”, tha lideri i PDK-së, përcjell Ksp.
Kreu i PDK-së, pati edhe një mesazh tjetër për qytetarët e Kosovës, që të flenë të qetë, sepse do të jetë një qeveri e guximshme.
Por, kur lideri i PDK-së përfundoi fjalën ftoi që t’i bashkohen edhe liderët e partive të koalicionit, por që ra në sy lideri i Nismë për Kosovën Fatmir Limaj, i cili nuk deshi të dilte, por që me zor këtë e shtyri ta bëjë Ramush Haradinaj.
Kandidati për kryeministër i nominuar nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, tha se shërbimi ndaj atdheut është nderim për miqtë ndërkombëtarë. Kreu i AAK-së, ka shpalosur edhe disa pjesë të punës se tij si kryeministër i ardhshëm.
“Ta nderojmë veten, t’i nderojmë miqtë duke forcuar shtetin ligjor me profesionist të zotë e me integritet. Ta kthejmë besimin në institucionet tona e shtetin tonë, ta rrisim e forcojmë ekonominë duke rritur e forcuar qytetarin sipërmarrës, ta forcojmë prodhuesin tonë dhe prodhimin vendor, t’i aktivizojmë minierat të përkrahim shpirtin krijuar të rinjve tanë, grave, ta kthejmë besimin e diasporës në atdheun tonë për të cilin atyre iu rrah zemra pa ndalë e të cilin kurrë nuk e lanë vetëm. Të krijojmë vlerë të re në ekonomi, të rrisim buxhetin e Kosovës, por jo duke i rrit taksat, por duke zgjeruar bazën ekonomike, duke hapur vende të reja të punës për të rinjtë tanë që t’i ndalim në vendin tonë. T’i rrisim pagat për shërbyesit civil, t’i rrisim pensionet e ta kthejmë fondin e pensioneve që na u ka marrë padrejtësisht”, tha Haradinaj.
Haradinaj pati edhe urime për qytetarët e Kosovës për qeverinë e ardhshme të Kosovës, derisa ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë Fillimin e Ri dhe koalicionin PDK-AAK-Nisma.
“Urime koalicioni i fitores, urime Fillimi i Ri votoni koalicionin PDK-AAK-Nisma dhe partitë tjera me numër 12. Urime qeveria e integritetit territorial, urime qeveria e kufijve të paprekshëm, urime qeveria Kosovë që e bënë Kosovën me ushtrinë e vet dhe që e anëtarëson në NATO, urime qeveria që integron komunitetet dhe bën të barabartë në Kosovën tonë, Kosovë urime qeveria që respekton i pozitën që i respekton mediat e lira e të pavarura, që respekton shoqërinë civile dhe që respekton të gjitha organizimet tjera qytetare pa diskriminim”, u shpreh Haradinaj.
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se qytetarët e Kosovës më 11 qershor do të thonë fjalën e tyre për drejtimin e ri dhe për vizionin e përbashkët. Koalicionin PDK-AAK-Nisma, Limaj e ka quajtur mundësi për Kosovën, me të cilin askush nuk do të humb.
“Tanimë është e qartë, ngado që kemi shkuar kemi shpalosur program, është e qartë për të gjithë që me ato që ballafaqohet Kosova dhe që është ballafaquar dhe problemet e vështirësitë që e presin atdheun tonë, këto mund t’i tejkalojmë, vizionin tonë mund ta implementojmë, jo më me veprime individuale, jo me arrogancë, jo me egoizëm, jo me shpirtngushtësi, por koha ka ardhur që Kosova brenda vetes dhe të tjerëve të veprojë si ekip, si ekip i përbashkët në realizimin e objektivave tona madhore, në ndërtimin e vendit tonë, mirëqenies dhe forcimin e shtetit të lirë. Me ne nuk humb askush, ne nuk u bashkuam për të mundur njerëzit tanë, ne u bashkuam për t’ia dhënë një mundësi vendit tonë, e ne të bashkuarit jemi bashkuar për të pasur një ekip të fuqishëm përball atyre që njëherë i kemi mundur dhe do të jemi të gatshëm përsëri për të mbrojtur Kosovën”, tha Limaj.
Nesër do të jetë heshtje zgjedhore, deri të dielën me 11 qershor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Koalicioni PDK-AAK dhe Nisma në këto zgjedhje garojnë me listë të përbashkët prej 110 kandidatësh. Bashkë me tri partitë janë edhe disa parti tjera si Lëvizja për Bashkim, Partia e Drejtësisë, Demokristiane dhe parti tjera më të vogla.