Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, sot ka bërë hapjen e Fushatës Zgjedhore në komunën e Deçanit, ku bashkë me partnerët e koalicionit LDK-LD-Alternativa kanë bërë prezantimin e kandidatit për kryeministër Avdullah Hotin.
“Jemi këtu për ta mbështetur shpirtërisht dhe me krejt çka është në mundësitë tona Avdullah Hotin, për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Ai është njeri i fjalës dhe ne duhet ta mbështesim me votën tonë me datën 11 qershor. Unë erdha me AKR-në dhe krejt çka kisha, në shtëpinë tonë të përbashkët, në shtëpinë e Presidentit historik Ibrahim Rugova”, ka thënë Pacolli.
“Presidenti Rugova e donte bashkimin, ne tash jemi bërë bashkë dhe jemi të vendosur ta realizojmë porosinë e Presidentit Rugova për një Kosovë dinjitoze dhe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Ne jemi ata që do ta ndërtojmë Kosovën dhe do ta zhvillojmë atë ekonomikisht”, ka shtuar ai.
Ndërsa kandidati i koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, për kryeministër Avdullah Hoti ka thënë se me qeverisjen e koalicionit të shpresës, Kosova do të shndërrohet në shtet të së drejtës dhe të ardhmes së mirëfilltë për qytetarët e Kosovës.
“Koalicioni ynë do ta integrojë Kosovën në BE, ne do ta formojmë edhe ushtrinë e Kosovës por gjithmonë me bashkëpunim me miqtë tanë në SHBA dhe NATO. Është amanet i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova që ta ruajmë miqësinë tonë me SHBA-të dhe BE-në, ne gjithmonë do ta mbajmë këtë miqësi”, ka thënë ndër të tjera Hoti. Ai ka shtuar se programi që ofron koalicioni i shpresës është alternativa e vetme, që siguron rritje ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës. “Me 11 qershor përcaktohet një periudhë 4 vjeçare për Kosovën. Atë ditë ne nuk guxojmë të gabojmë, duhet të mendojmë mirë dhe ti votojmë njerëzit e punës, e ata janë në listën e koalicionit LDK-AKR-Alternativa”, ka thënë Hoti.
-
Pacolli: Ata që e gjymtuan Kosovën duhet të shkojnë në shtëpi
-
Tahiri: Pacolli me mjetet e veta ka punësuar mijëra qytetarë
-
Pacolli për një Kosovë sipas idealeve të Rugovës dhe dëshmorëve të luftës
-
Pacolli në Prishtinë: Mos e humbni shpresën, ende ka njerëz që mendojnë për mirëqenien tuaj
-
Pacolli në Istog: Amanetin e Rugovës do ta çojmë në vend