Zgjedhjet lajme

Konjufca: Në asnjë mënyrë nuk i japim LDK-së postin e kryeministrit

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca sonte në një intervistë për RTV21 shpalosi planin e kësaj lëvizjeje për Demarkacionin me Malin e Zi

Konjufca tha se një qeveri e ardhshme do të duhej që të hedhte poshtë një version të tillë të demarkacionit.

Mirëpo, i pyetur se a kanë ndonjë plan për demarkacionin nëse do të vijnë në qeveri. Ai u përgjigj se e kanë një plan konkret.

Sipas tij ky plan ka disa pika. “Pika e parë është që në kordinim me subjektet e tjera ta hedhim poshtë një punë e cila tashmë jemi të bindur se është me shumë lshime, e dyta ta bëjmë një strategji, e treta të kontaktohet Mali i Zi, dhe të nxisim një diskutim me Malin e Zi”, tha ai për emisionin “Argument Plus”

Megjithatë, nëse Mali i Zi nuk pranon versione tjera ai shtoi se duhet ta bëjnë një strategji tjetër, duke thënë se janë të bindur se kanë argumente shkencore të vlefshme.

Sipas Konjufcës, populli e ka dhënë një porosi të qartë në këto zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk është në kurrfarë pozite për ta kërkuar postin e kryeministrit, tha Konjufca.

“Ne as që e diskutojmë bile…ata e kishin kryeministrinë për tri vite me radhë na treguan çka dinë dhe çka munden, pikërisht për shkak të kësaj qeverisje, LDK-ja doli në vendin e tretë”, tha Konjufca.

Ditë më parë zyrtari i LDK-së, Muharrem Sfarqa tha se kjo parti hynë në koalicion me Vetëvendosjen nëse u jepet posti i kryeministrisë, Konjufca tha se atëherë LDK-ja të përgatitet për zgjedhjet e reja.

“As që do të ishte pikë në negociatat e ardhshme me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Një porosi të qartë populli e ka dhënë në këto zgjedhje”, përfundoi Konjufca.