Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Vetëvendosje e propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës

Glauk Konjufca

Foto: Driton Paçarada

Pak orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, partitë parlamentare kanë intensifikuar takimet. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për postin e presidentit, ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca. Reagon LDK-ja thotë se vendi rrezikon që të shkojë në zgjedhje.

Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Glauk Konjufcën për president të Kosovës, si dhe u ka bërë thirrje partive të tjera ta propozojnë kandidatin e tyre.

Në një komunikatë të lëshuar në Facebook, thuhet se pas dështimit për të arritur një marrëveshje me partitë e tjera, Vetëvendosje u ofron nënshkrime plotësuese që të propozojnë një kandidat.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në këto rrethana, Lëvizja Vetëvendosje!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për president ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca”, tha Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar duke thënë se vendi rrezikon që të shkojë në zgjedhje.

“Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional”, u tha nga LDK-ja.

E gjatë ditës, tri parti kanë mbajtur mbledhje të grupit parlamentar kur vendi ka hyrë në orët e fundit të aftit për zgjedhjen e presidentit.

E para, Lëvizja Vetëvendosje, e pastaj edhe Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas mbledhjes së Grupit parlamentar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia që ai përfaqëson nuk do të japë votë për president pa një marrëveshje paraprake politike.

Hamza tha se qëndrimi i PDK-së ka qenë konsistent.

“Qëndrimi është i njëjti, Partia Demokratike e Kosovës ka konsistencë, s’kemi pas vija të kuqe, kemi pas vullnet të plotë me votu një kandidat, po nëse do të kishte qenë dikush prej familjes Jashari, flas me respekt, me respekt deri në përulje e vlerësojmë vendimin e familjes. Kemi thanë që duhet të ketë marrëveshje politike, që paraprakisht mi parapri marrëveshja politike që të kemi president të zgjedhur, të propozuarin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Hamza.

Ndërsa deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku tha se nuk do të pranojnë imponime nga partia në pushtet.

“Derisa ka prapë tentime që ta çojnë në qosh opozitën dhe ta imponojnë kandidatin e tyre politik, sigurisht që ne nuk qëndrojmë në qosh dhe me përgjegjësi të lartë do të qëndrojmë karshi premtimeve dhe qëndrimeve tona që i kemi dhënë vazhdimisht që të mos jemi mbështetës të një pushteti autoritar”, tha Lushtaku.

E Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së, pas mbledhjes së deputetëve të partisë e kritikoi Vetëvendosjen për mos propozim të ndonjë kandidati me kohë.

“Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit fillimisht i takon partisë parlamentare që i ka fituar 51%”, tha Tahiri.

Gjatë ditës, akademiku Arsim Bajrami ka tërhequr kandidaturën e tij, që e pati ofruar para disa ditësh.