Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar parashikimin e motit për ditët në vijim, ku priten kryesisht kushte të qëndrueshme atmosferike, me intervale me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat do të shënojnë rritje graduale gjatë javës, duke arritur deri në 29 gradë Celsius.
Të hënën, më 14 shtator, moti do të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 6 deri në 9°C, ndërsa maksimalet nga 18 deri në 24°C.
Të martën, më 15 shtator, parashikohet mot me diell dhe pjesërisht i vranët, ndërsa në disa pjesë të vendit mund të ketë riga shiu. Temperaturat minimale do të jenë nga 7 deri në 11°C, ndërsa maksimalet nga 19 deri në 24°C. Era do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi prej 1 deri në 7 m/s.
Të mërkurën, më 16 shtator, moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 7 deri në 10°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 22 deri në 28°C. Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-4 m/s. Të enjten, më 17 shtator, pritet mot me diell dhe pjesërisht i vranët, me temperatura minimale nga 7 deri në 10°C dhe maksimale nga 23 deri në 29°C. Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-3 m/s.
Të premten, më 18 shtator, do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në disa zona të kufizuara mund të ketë ndonjë rigë shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri në 13°C, ndërsa maksimalet nga 23 deri në 27°C. Era do të fryjë nga juglindja me shpejtësi 1-4 m/s.