Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit janë zhvilluar në mënyrë të rregullt, të qetë dhe pa incidente të mëdha ka vlerësuar delegacioni vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Megjithatë, vëzhguesit kanë theksuae se rënia e ndjeshme e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime duhet të shërbejë si një “thirrje zgjimi” për klasën politike. Si shqetësim është përmendur edhe ndërhyrja e Serbisë në përpjekje për të ndikuar votën e serbëve të Kosovës
Delegacioni vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka vlerësuar se procesi zgjedhor i së dielës është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe pa incidente, por ka thënë gjithashtu se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje duhet të shihet si “thirrje zgjimi” për klasën politike.
Kryesuesi i këtij delegacioni, Iulian Bulai, si shqetësues ka përmendur faktin se edhe gjatë këtij procesi është vërejtur ndërhyrje nga Serbia për të ndikuar votën e serbëve të Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“U vu re ndërhyrje nga Serbia me qëllim ndikimin e votës së serbëve të Kosovës në favor të një partie të caktuar. Veçanërisht shqetësues ishte fakti se këto forma të dezinformimit dhe abuzimit online shpesh kishin në shënjestër gratë politikane, duke cenuar aftësinë e tyre për të bërë fushatë dhe për të marrë pjesë në jetën publike”, ka thënë Bulai.
Bulai ka deklaruar se zgjedhjet janë zhvilluar në një atmosferë lodhjeje dhe frustrimi të votuesve.
Ai ka shtuar se në vendvotimet që delegacioni i PACE-it ka vizituar, procesi është zhvilluar në mënyrë profesionale dhe të qetë, megjithëse janë evidentuar disa probleme lidhur me përfaqësimin gjuhësor në komuna të caktuara.
“Megjithatë, në një vend me histori të pjesëmarrjes së lartë në votime, rënia e ndjeshme e pjesëmarrjes së votuesve duhet të shërbejë si një alarm serioz. Në numrin e kufizuar të qendrave të votimit që vëzhguam, delegacioni konstatoi se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe profesionale. Zyrtarët zgjedhorë treguan kompetencë dhe atmosfera ishte e qetë dhe e rregullt, ndërsa qendrat e votimit u menaxhuan në mënyrë efektive si nga përfaqësuesit e komuniteteve shumicë ashtu edhe nga ata të komuniteteve joshumicë”, ka thënë ai.
Një nga shqetësimet e tjera të ngritura ishte lejimi i votimit me dokumente identifikimi të skaduara.
Ai ka thënë se është shënuar progres sa i përket numrit të ankesave zgjedhore, por ka theksuar se ndryshimet e fundit në rregullat e KQZ-së kanë komplikuar regjistrimin e vëzhguesve të shoqërisë civile.
Bulai po ashtu ka përsëritur thirrjen ndaj politikanëve për të nisur dialog serioz dhe për të shmangur zhgënjimin e mëtejshëm të qytetarëve.
Delegacioni i kryesuar nga Iulian Bulai që vjen nga Rumania, ka qëndruar në Prishtinë nga 5 deri më 8 qershor për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor.