Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Ramosaj për 2 milionët për mërgatën: Do t’i përshkruhet Qeverisë si ndikim, është në kohë të papërshtatshme

Berim Ramosaj

Ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, ka thënë se vendimi i Qeverisë në detyrë për ndarjen e  2 milionë eurove me qëllim të mbështetjes së linjave ajrore që lidhin Aeroportin “Adem Jashari” me aeroportet prej nga vjen mërgata, nuk është dashur të merrej në kohë fushate. 

Sipas Ramosajt pavarësisht qëllimit të marrjes së këtij vendimi, ai do t’i përshkruhet Qeverisë në detyrë si aftësi për të ndikuar te votuesit. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pavarësiat a e ka Qeveria një mendim të mirë, apo mendim për të ndikuar në zgjedhje, kjo do t’i përshkruhet si ndikim, do t’i përshkruhet si aftësi e Qeverisë në detyrë për të ndikuar te zgjedhësi, edhe nëse e ka qëllimin e mirë”, është shprehur Ramosaj në emisionin “Konfront” të KTV-së.

Ai ka thënë se kjo mbështetje do të mund të bëhej vetëm pas një analize të mirëfilltë dhe ka theksuar se nuk është e qartë se si do të realizohet në praktikë kjo mbështetje.

“Ajo pako do të mund të realizohej pa kurrfarë problemi nëse është krizë energjetike e nivelit global dhe ka probleme të transportit, q faktikisht ka shumë kompani të transportit ajror që kanë falimentuar, respektivisht i kanë zvogëluar linjat, mund të konsiderohet humbje në një farë mënyre, për komunikim, respektivisht për bartje të qytetarëve, mirëpo sikur kjo të kishte ndodhur në një kohë tjetër, në kushte dhe rrethan të tjera dhe për një periudhë të caktuar kohore që do të bëhej ky plasim i mjeteve në mënyrë shumë të selektuar, me një program të mirë, me një model mirë të shikuar, se cilat pjesë, a është transporti ajror apo rrugor, këto do të duhej një analizë e thellë”, është shprehur Ramosaj. 


Ramosaj: Sjelljet e papërgjegjshme të Qeverisë në këtë kohë s’duhet të kuptohen në mënyrë ekstreme

Ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, ka thënë se sjelljet e papërgjegjshme të qeverisë në detyrë në kohën e fushatës nuk duhet të kuptohen në mënyrë ekstreme. 

Ramosaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se këto sjellje ndodhin edhe në vende tjera. 

“Këto sjellje të papërgjegjshme të qeverisë në detyrë në fushatën parazgjedhore, këto ndodhin edhe në vende tjera. Por nuk duhet të kuptohen në mënyrë ekstreme. Shiko t’i thuash ti e ke ble votën e dikujt, jo vetëm që e nënçmon qeverinë në detyrë që ka dhënë mjete në mënyrë të papërgjegjshme, por e ofendon shumë atë që është përfituesi i atyre mjeteve...e qet qytetarin e Kosovës në atë nivel aq të ulët që e shet votën për 100 euro. Këto vendime apo qëndrime që i merr qeveria në detyrë, nëse reagimet e kundërshtarëve politikë janë apriori i kundërt, i qet në pozitë, që ato vërtetë të kenë efektin. Vërtetë ka indicie që ka efekt, se po ndërtohet përceptim”, tha Ramosaj. 

Ai ka thënë se çështja e keqpërdorimit të buxhetit duhet të ngrihet, si nga shoqëria civile, ashtu edhe nga institucionet e qëndrueshme dhe të pavarura. Por, Ramosaj thotë se partitë politike duhet të kenë shumë kujdes, pasi atyre që i janë ofruar ato mjete mund të jenë votues të tyre potencialë. 

“S’mund t’i quash krejt studentët që shesin votën apo janë adhurues të një partie. Ata janë të gjitha ngjyrave politike. Pjesa më e pa politizuar janë ndoshta. Apo pensionistët...Janë dukuri negative të keqmenaxhimit, kjo mënyrë e ndarjes. Respektivisht të shfrytëzimit të papërgjegjshëm të buxhetit. Përdorimi i këtyre vendimeve qeveritare në kohë jo të duhur”, tha Ramosaj. 

Qeveria në detyrë ka vendosur të ndajë nga 100 euro shtesë për pensionistët, fëmijët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat. 

Po ashtu të martën mori vendim që të subvencionohen me 2 milionë euro linjat e fluturimit “për destinacionet që i shërbejnë mërgatën”.


Ramosaj tregon pesë shtyllat mbi të cilat do të zhvillohet fushata zgjedhore

Ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, ka thënë se bazuar në atë që është parë në parafushatë, partitë politike do të kenë pesë shtylla programore në fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. 

Ramosaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se gjitha partitë politike i prekin këto shtylla, sipas mënyrës së vetë. 

“Në shtyllën e parë, shihet te të gjitha se është ekonomia. Është shtyllë kryesore, por secila e sheh në mënyrën e vetë. Një shtyllë tjetër programore, që u pa në këtë pjesë të parafushatës, është mirëqenia. Vërehet te disa më e theksuar e disa më pak. Pastaj është siguria, te disa parti politike e shohin këtë si komponentë të sigurisë së brendshme e disa e shohin si të gjeopolitikës në kuptimin e sigurisë globale”, ka thënë Ramosaj. “Shtyllë tjetër janë integrimet euroatlantike, komponentë tjetër e rëndësishme”. 

E Ramosaj ka thënë se një komponentë që nuk është vërejtur nga zgjedhjet e kaluara, e që vërehet tash, është besueshmëria në qeverisje. 

“Besueshmëria në qeverisje, që secila parti në një mënyrë apo tjetër, pavarësisht ofertës programore, po rrëshqet në këtë komponentin e mirëqeverisjes ose keqqeverisjes”, tha Ramosaj. 

Ai tha se partitë që deri dje ishin në opozitë, i shohin anët e errëta të Qeverisë Kurti, e Vetëvendosja e sheh kontinuitetin dhe qëndrueshmërinë e institucioneve.