Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramosaj për buxhetin 2027: Me këtë shkallë të inflacionit, s’ka rritje në krahasim me vitin e kaluar

Berim Ramosaj

Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, ka thënë se buxheti i Kosovës për vitin 2027, ndonëse nominalisht paraqitet më i lartë se ai i vitit të kaluar, në terma realë nuk përbën rritje.

Ramosaj ka thënë se diferenca prej rreth 200 deri në 300 milionë euro në mes të buxhetit të vitit 2027 dhe atij të vitit të kaluar, sipas tij, neutralizohet nga inflacioni dhe rritja e çmimeve.

“Ata janë në të drejtën e vet kur e thonë, Qeveria që thotë se buxheti është rritur, por e jona kur i bëjmë analizë të pastër profesionale tregon se ky shtim i buxhetit për vitin 2027 figuron nominalisht pak më i lartë, për nja 200-300 milionë sesa buxheti i vitit të kaluar. Por, nëse e përkthejmë në terma realë, duke e parë edhe ndikimin e inflacionit, rritjes së çmimeve dhe dukurive të tjera variabile që ndikojnë që vetëm të fryhen shifrat në kuptimin nominal, tregon se ky buxhet, me këtë shkallë të inflacionit, nuk ka rritje në krahasim me buxhetin e vitit të kaluar”, ka deklaruar Ramosaj në “Konfront” të KTV-së. 

Sipas tij, inflacioni prej rreth 4 për qind është një prej faktorëve kryesorë që e bën rritjen nominale të buxhetit të duket më e madhe sesa është në realitet.

“Sepse ai inflacioni prej 4 për qind, nëse përkthehet në Produktin e Brendshëm Bruto, del ai 200 milionëshi apo 300 milionëshi që e llogarisin këta si rritje. Nga aspekti i masës, buxheti është relativisht i njëjtë”, ka thënë Ramosaj.