Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Fushatë me 2 milionët për mërgatën

Qeveria

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Katër ditë pasi ndau 105 milionë euro për shtesa, e 11 ditë para zgjedhjeve, qeveria në detyrë ka ndarë edhe 2 milionë euro, për t’i subvencionuar linjat ajrore që destinacion e kanë aeroportin “Adem Jashari”. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vendimi është bërë pas rrezikut të anulimit të fluturimeve, pas rritjes së kostos së karburantit, dhe nuk ka përmendur muajin qershor si kohë kur paga ekzekutohet por korrikun e gushtin. E në PDK e AAK kanë bërë thirrje për hetim nga prokuroria

Ka ndezur përplasjet politike vendimi që një ditë më parë ka marrë Qeveria në detyrë, për ndarjen e 2 milionë eurosh, me qëllim “mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë”.

Oponentët e Kurtit e kanë cilësuar vendimin si mjet me të cilin synohet të blihen vota.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se subvencionimin e linjave ajrore për destinacione të caktuara e bëjnë shumica e shteteve në rajon e më gjerë, me qëllim nxitjen e turizmit.

“Me mërgatën tonë të mrekullueshme që nuk humb asnjë vit pa ardhur në vendlindje, ne e kemi edhe një arsye më shumë që ta bëjmë këtë. E përballë rrezikut që një pjesë e fluturimeve të planifikuara gjatë muajve korrik dhe gusht të anulohen për shkak të rritjes së kostos së karburantit, vendimi ynë i djeshëm për të subvencionuar linjat ajrore që lidhin destinacionet e mërgatës sonë u bë i domosdoshëm”, ka theksuar Kurti, një ditë pas vendimit.

Vendimi nxiti reagime të mëdha, meqë u mor dy ditë para se të nisë zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, të cilën e drejton Kurti, është mbështetur në përqindje më të lartë nga votuesit nga mërgata, krahasuar me përqindjen e marrë nga votuesit rezidentë të Kosovës.

Në reagimin e tij, Kurti nuk ka përmendur muajin qershor për subvencionim.

“Anulimi i fluturimeve në muajt e verës, do të nënkuptonte që një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve të mos mund te vinin siç vijnë zakonisht në muajt korrik dhe gusht. E kjo do të ishte keq për ta dhe familjet e tyre, por do të ishte fatale edhe për ekonominë e vendit. Prandaj kam angazhuar ministrat Hekuran Murati dhe Dimal Basha për të parë mundësinë e një mase që do ta parandalonte një situatë të tillë”, ka thënë Kurti. “Vendimi i djeshëm për të ndarë 2 milionë euro ka për qëllim subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin ‘Adem Jashari’ me aeroportet prej nga vjen mërgata jonë, dhe mbulon periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit, që është deri në fund të muajit tetor”.

Ai ka insistuar se vendimi nuk është bërë për qëllim përfitimi elektoral.

“Pra nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit, e cila mundëson që mërgata jonë të mund të vijnë e të na vizitojnë edhe këtë verë, sikurse çdo vit”, ka shkruar Kurti në Facebook. “Mërgatë, mirë se vini”.

Qeveria në detyrë, të martën, 11 ditë para ditës së zgjedhjeve, e në periudhën kur ka nisur procesi i votimit me postë nga jashtë, nxori vendim që në emër të mbështetjes së mërgatës, t’i ndajë mjetet, për siç u tha në vendim, mirëmbajtjen ose shtimin e linjave të reja.

Për këtë vendim të ekzekutivit, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Përparim Gruda, ka thënë se është keqpërdorim i pastër i parasë publike për interesa partiake. 

“Kur pushteti përdor buxhetin e Kosovës për fushatë, zgjedhjet nuk janë më as të lira dhe as të ndershme. Prokuroria e Shtetit duhet të nisë menjëherë hetime për këtë skandal dhe për përgjegjësit e këtij vendimi. Heshtja në këtë rast do të ishte bashkëfajësi”, ka thënë ai.

E, ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar të turpshëm dhe të papranueshëm vendimin e Qeverisë duke e quajtur atë si “keqpërdorim klasik i buxhetit në kohë zgjedhjesh”. 

“Para një jave ndau rreth 100 milionë euro. Sot edhe 2 milionë të tjera për bileta. 100-she, 500-she, subvencione e bileta – krejt këto jo pse Kurti brengoset për ju, po sepse ju votoni me 7 qershor”, ka shkruar ajo në Facebook. “Mos harroni: këto janë paratë e rrugëve që nuk u kryen, shkollave e çerdheve që nuk u ndërtuan, digjitalizimit të arsimit që nuk nisi asnjëherë, barnave që mungojnë në spitale dhe naftës që e keni paguar më shtrenjtë. Mbi të gjitha janë paratë tuaja e tonat me të cilat po tentohet të blihet vota juaj me 7 qershor e me të edhe heshtja juaj për 4 vjet. Kurrë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhë keqpërdorim kaq i madh i buxhetit në prag të zgjedhjeve”.

E kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, vendimin e ka quajtur kriminal.

“Në Kosovë po tentohet të instalohet regjim kriminal totalitar! Derisa ne jemi në terren çdo ditë duke bërë publike platformën tonë, një njeri po e shkatërron demokracinë dhe po e shkatërron shtetin që e kemi ëndërruar. Njeriu që ka akuzuar regjime joekzistente, sot vetë po ndërton regjim kriminal. Ky njeri po abuzon me gjithçka deri në skaj, veç për me mbet vetë në pushtet. Nuk ka ndjenja për popullin, nuk ka ndjenja për njerëzit, e as për vendin e tij. Po e çon vendin drejt situatave të paparashikueshme”, ka shkruar ai në reagim. “Këto veprime janë të papërgjegjshme. E thënë butë, këto janë vendime kriminale! Prandaj, ky njeri ose ka me u ndal me votë, ose e çon Kosovën drejtë përçarjes shkatërruese. Kjo nuk mundet me vazhdu më kështu”. 

Lidhur me këto pretendime, KOHA i ka dërguar pyetje Prokurorisë Themelore të Prishtinës se a ka dyshime për vepër penale për këtë vendim dhe nëse kanë nisur hetime. 

Por në një përgjigje thanë se kompetente për këtë çështje është Prokuroria Speciale.

“Sa i përket pyetjes suaj, ju njoftoj se ne nuk jemi kompetentë, por Prokuroria Speciale”, thuhet në përgjigje.

E në Prokurorinë Speciale nuk kthyen përgjigje gjatë së mërkurës. 

Drejtori ekzekutiv në “Sbunker”, Fitim Gashi, thotë se qasja e partisë në pushtet për ndarjen e mjeteve financiare para zgjedhjeve, e dëmton garën elektorale dhe minon besimin publik në zgjedhje. 

“Sigurisht që kjo qasje e dëmton, le të themi, seriozisht parimin e barazisë në garën politike dhe po krijon një avantazh, tashmë të padrejtë për pushtetin, përmes përdorimit të parasë publike dhe mekanizmave institucional. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme kërkojnë kushte të barabarta për të gjithë, e jo praktika të tilla që në njëfarë forme e deformojnë konkurrencën demokratike dhe e minojnë besimin edhe të opozitës por edhe të qytetarëve në procesin zgjedhor”, ka thënë Gashi.
Të premten e kaluar, qeveria vendosi t’i ndajë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat, pensionistët dhe fëmijët. 

Vjet, 3 ditë para rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Qeveria pati ekzekutuar 100 euro për grupin e parë të studentëve.

Ndërkaq 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, pati ekzekutuar 100 euro për grupin e dytë të studentëve.