Udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë premtuar lidhjen e Kosovës me gazin amerikan, teksa e kanë cilësuar si alarmues një mesazh të të ngarkuarës me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Në një opinion të publikuar në disa media, Prattipati bëri thirrje që Kosova të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me SHBA-në, përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që s’është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të SHBA-së në rajon.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër Bedri Hamza, pas këtij mesazhi, tha se po që se fiton në zgjedhjet e 7 qershorit, do ta jetësojë projektin. Ai e ka cilësuar jetik dhe të pazëvendësueshëm partneritetin me SHBA-në.
“Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme. Për Partinë Demokratike të Kosovës, partneriteti strategjik me SHBA-në është jetik, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kështu ka qenë dje, kështu është sot dhe kështu do të jetë edhe nesër. Gazi amerikan nënkupton më shumë siguri energjetike, më shumë investime, më pak ndotje dhe, mbi të gjitha, energji me çmime më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. Koha për të vepruar është tani. Jo pas një krize tjetër. Jo pas një dimri tjetër me çmime rekord. Kosova duhet të ecë përpara, krah për krah me aleatin e saj më të madh dhe më të besueshëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Hamza në Facebook.
E udhëheqja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, dhe kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, kanë thënë se ky qëndrim i Prattipatit, “është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës”. Osmani e Abdixhiku në një deklaratë të përbashkët kanë thënë se çështja tejkalon nivelin ekonomik dhe se në pyetje është edhe siguria kombëtare. Ata kanë akuzuar pushtetin aktual për stagnim.
“Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë. Alternativa kryesore ndaj integrimit në projektet energjetike amerikane mbetet rritja e varësisë nga burime dhe ndikime të tjera malinje gjeopolitike, përfshirë ato ruse. Prandaj, rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të reflektohet edhe në politikën tonë energjetike. Siç e kemi bërë të qartë tash e një kohë, përfshirë gjatë kësaj fushate, LDK është e bindur se interesi shtetëror i Kosovës është i bazuar në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrim në projektet rajonale të gazit, diversifikim i burimeve energjetike dhe forcim i sigurisë kombëtare. Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë”, thuhet në deklaratën e tyre.
Ndërkaq kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka akuzuar qeverinë Kurti për “krim ekonomik dhe gjeostrategjik” duke e fajësuar për bllokim të projektit të gazit amerikan dhe rritjen e importit të energjisë. Gjini ka thënë se mesazhi i Prattipatit është dëshmi e “dështimit të politikave energjetike të Qeverisë”.
Gjini ka thënë se qëndrimin e tij pro projektit ia ka thënë Parttipatit edhe në takimin e para dy ditëve.
“Siguria energjetike është siguri kombëtare. Epoka e mashtrimit dhe izolimit përfundon më 7 qershor. Kosova do t’i kthehet zhvillimit dhe aleancës së shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Gjini.