Fushata prej 10 ditësh për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur më 28 maj e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit. Në këtë tekst do të mund të lexoni për aktivitetet e partive politike gjatë ditës së tetë të fushatës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPSD: S’na duhen njerëz që qëndrojnë gatitu për të shkuar te Kurti
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka akuzuar bartësen e listës së LDK-së dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, se po punon vetëm për interesa të saj dhe se po i mashtron qytetarët. Në një video të publikuar të enjten, Molliqaj ka krahasuar deklaratat e Osmanit tash gjatë fushatës, kur ka thënë se e ka lutur Albin Kurtin “që në zgjedhje të shkojnë vetëm pretendentët për president e të mos preket 51-përqindëshi dhe Qeveria” dhe deklaratën e para disa javëve kur ka iniciuar ndryshimet kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjidhet direkt nga populli, e kur pati thënë se këtë po e bën për ata që do të zgjidhen pas 5 vjetëve, e jo për vete.
“Krejt çka ka thënë Vjosa gjatë fushatës kundër Albin Kurtit ka qene veç mashtrim dhe veç për interesa të saj për pozitën e presidentes. Kjo ka qenë gati me e lënë Albinin me 51 për qind veç ai me ia mundësu me shku me u zgjedh presidenti drejtpërdrejt nga populli, pra nuk i ka interesuar qeveria”, ka thënë Molliqaj në video. “Nuk i ka interesuar a është rrezik, a na ka prishur me ndërkombëtarë, gazi amerikan a gazi rus, asnjë fjalë të vetme. Pra vetë po kallxon”.
Molliqaj ka vazhduar me akuza, dhe ka pyetur: Kush është duke i kërkuar votë qytetarëve?
“Me këto dy të vërteta që i patë, qytetarë të Republikës nuk ia vlen me e votu këtë mendësi politike, sepse këta e kanë veç për pozita. Nuk po e thotë PSD-ja, po e thonë vetë. Prandaj është e rëndësishme që këto pak ditë që kanë mbetur, me u mobilizu dhe me mbështet Partinë Socialdemokrate se s’ka garancë tjetër që vendi do të ketë opozitë. Këta shkojnë te Albini sa herë të ketë nevojë Albini e për çka të ka nevojë Albini”, ka thënë Molliqaj në video-adresim.
E, kandidatja për deputete e kësaj partie, Natyra Kuçi, po nëpërmjet video-adresimit, ka kritikuar nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismaili. Për të ka thënë se bën fushatë me tiktokera të blerë, dhe se ka billboarde në kryeqytet, që i kanë kushtuar rreth 40 mijë eurosh.
“Ky, këtë mendësi e ka. Mendësinë e biznesit”, ka thënë Kuçi. “Ky po mendon që me para e merr drejtimin formal të PDK-së, e mandej me ia qu PDK-në në prehër Albin Kurtit”.
Ajo ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për njerëz që qëndrojnë gatitu për të shkuar te Kurti, por për parti që bën opozitë përnjëmend. E këtë ka thënë se e bën PSD-ja.
Hamza zotohet për ulje të barrës financiare për familjet
Kryetari i Partisë Demokratike (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, e ka prezantuar zotimin e katërt të programit qeverisës, i cili parasheh arsim cilësor, zhvillim të aftësive për të ardhmen dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
Hamza tha se arsimi do të trajtohet si prioritet kombëtar nga qeveria e udhëhequr nga PDK-ja. Sipas tij, një nga prioritetet kryesore do të jetë digjitalizimi i sistemit arsimor përmes investimeve në teknologji moderne, zhvillimit të platformave bashkëkohore të mësimit dhe avancimit të aftësive digjitale që nga mosha e hershme. Ai premtoi kujdes të veçantë për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, dhe tha se synon forcimin e rolit të universiteteve publike si qendra të dijes dhe inovacionit.
Kryetari i PDK-së ka premtuar se do të krijohet fondi i bursave prej 30 milionë eurove. Ai ka paraqitur vizionin e tij për, siç tha, një Kosovë me çmime më të përballueshme, paga më të larta, energji të sigurt, infrastrukturë moderne dhe mundësi reale për të rinjtë.
E, në një video të publikuar gjatë ditës, Hamza ka adresuar ato që i ka quajtur shqetësime kryesore të familjeve kosovare. Sipas tij, pas gjashtë vjetësh qeverisje, Kosova po përballet me një krizë të shumëfishtë – ekonomike, energjetike, infrastrukturore dhe të shpresës.
“Për shumë familje, çdo ditë është mbijetesë. Familjet punojnë më shumë, por jetojnë më keq. Të rinjtë nuk po kërkojnë më ëndrra në Kosovë, por rrugë për t’u larguar prej saj”, thuhet në pjesën e parë të videos.
Videoja përçon mesazhin e programit të PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit: ulje të barrës financiare për familjet, paga dhe pensione më të larta, mbështetje për bizneset, investime strategjike në energji dhe infrastrukturë, shëndetësi më cilësore dhe arsim më konkurrues.
“Nuk duhet të mësohemi me krizën. Kosova mund të jetë një vend ku familjet jetojnë me dinjitet, ku të rinjtë ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe ku shteti punon përsëri për qytetarët”, ka thënë ai.
Këto i ka theksuar edhe para elektoratit në tubimet që gjatë ditës i ka mbajtur, e më kryesori në Prizren. Hamza ka ftuar qytetarët që më 7 qershor të votojnë “për ndryshim” dhe që “t’i japin fund krizës”, e cila, sipas tij, ka prekur çdo aspekt të jetës në Kosovë.
Kurti: T'i bllokojmë bllokuesit, më 7 qershor
Në ditën e tetë të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, la një porosi për mbështetësit, gjatë një tubimi në Mitrovicë. Pasi bëri përgjegjës oponentët politikë për zgjedhjet e parakohshme shkaku i bllokadës për zgjedhjen e presidentit, ai tha se të dielën duhet të "bllokohen bllokuesit".
Kurti synon mandatin e radhës dhe në komunën ku vitin e shkuar ka siguruar edhe qeverisjen lokale, dha zotime për një numër investimesh. Duke folur në qytetin që pas lufte ka qenë qendër e vlimeve politike, fokusin e vuri te investimet në ushtri.
“Për një shekull e gjysmë, nuk ka pasur asnjë brez të shqiptarëve pa e pasur së paku një luftë. Për një shekull e gjysmë, katër gjenocide kundër neve. Asnjë brez pa së paku një luftë e ka brez edhe me dy e madje edhe me tri luftëra të përjetuara. E ne duam që brezi i fëmijëve sot, dhe i rinisë sonë, dhe brezi i fëmijëve që do të lindin në të ardhmen, të jetë brezi i parë pa asnjë luftë që nga shekulli i 19, e për këtë qëllim neve na duhet ushtri moderne dhe e fortë”, ka thënë Kurti. “Kjo është arsyeja pse ushtrinë tonë, FSK-në që e kemi gjetë me 2500 pjesëtarë ia kemi shtuar edhe 2700 pjesëtarë, e kemi ngritur moshën e rekrutimit prej 23 në 25 vjeç, mandatin e ardhshëm do ta kemi rezervën vullnetare, mbrojtjen gjithëpërfshirëse, edukimin mbi sigurinë dhe përveç blerjeve të armatimit... do të investojmë edhe në industrinë ushtarake".
Gjatë ditës, Vetëvendosja ka zhvilluar edhe një numër aktivitetesh të tjera.
Në Shtime, Kurti ka premtuar autostradë Duhël-Shtime-Banullë, për të cilën tha se është prioritet në mandatin e ardhshëm qeverisës.
“Për siguri me furnizim të ujit dhe potencial zhvillimor për bujqësinë dhe ekonominë lokale në Shtime, do ta ndërtojmë edhe Digën e Carralevës dhe Firajës”, ka premtuar ai në komunën që qeveriset nga LVV-ja.
E, në një aktivitet tjetër, Kurti ka folur për partnerin e LVV-së, Partinë Guxo. Ai ka thënë se janë bashkë për ndërtimin e një shteti të drejtë, të zhvilluar dhe demokratik.
“Jemi bashkë për shtet për krejt, për të luftuar padrejtësitë dhe korrupsionin, rritur ekonominë, shtuar punësimin dhe për të investuar për më shumë rrugë, hekurudha e diga. Këtë të diel, krejt për fitoren e radhës, me rekord të ri, e vendimtare për të ardhmen e vendit”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Abdixhiku premton objekte për operë e balet, teatër të ri e muze të paqes
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova duhet ta përcaktojë qartë rrugën e saj strategjike, duke u rreshtuar pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E ka thënë, pas kritikave se gjatë fushatës, lidershipi i LDK-së është thirrur vazhdimisht në Ibrahim Rugovën, kryetarin e saj historik.
“Si nuk arrijnë ta kuptojnë se ne po e ndjekim një filozofi, një bindje politike, që i ka vënë themelet më të forta, më të qëndrueshme të Republikës së Kosovës. Një filozofi politike që sot na shpërfaqet më së miri me një qëndrim zyrtar të aleatit më të madh të Republikës së Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për një paralajmërim të madh se Kosova duhet të zgjedhë qartë rrugën e vet strategjike përpara: a do të shkojë në krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo me kundërshtarët tanë historikë”, ka thënë Abdixhiku, në tubimin e mbajtur në Vushtrri.
Abdixhiku premtoi gjithashtu realizimin e projektit të gazifikimit të Kosovës me gaz amerikan.
“LDK-ja do ta implementojë menjëherë, pa asnjë vonesë, projektin e madh të gazifikimit të Kosovës dhe atë me gaz amerikan”, është shprehur ai.
Edhe prijësja e listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së, Vjosa Osmani, ka folur për raportet me SHBA-në. Ajo iu referua rëndësisë së partneritetit strategjik me SHBA-në për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës.
“E bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse as zhvillimi, as ekonomia e as siguria nuk ndërtohen vetëm”, ka thënë Osmani.
Gjatë ditës, LDK-ja ka realizuar edhe aktivitete të tjera.
Abdixhiku ka premtuar ndërtimin e një mori objektesh për kulturën e artin në Kosovë.
Në një takim të enjten në Prishtinë me artistë, shkrimtarë, piktorë e njerëz të artit e kulturës, Abdixhiku është zotuar për ndërtimin e Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, Teatrin e ri Kombëtar, Muzeun e Paqes dhe Rezistencës, Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe Qendrën e Librit.
Ai ka thënë se këto projekte janë në mesin e 113 zotimeve që LDK-ja ka prezantuar para qytetarëve për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Shteti ndërtohet me identitet, kujtesë e krijimtari. Me artistët, shkrimtarët, piktorët e njerëzit e kulturës që i japin shpirt shoqërisë sonë. Prandaj, arti e kultura nuk do të jenë në margjina, por pjesë e dinjitetshme e zhvillimit të Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Gjini: Më 7 qershor përfundon epoka e mashtrimit
Kryetari i Aleancës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ardian Gjini, ka akuzuar pushtetin se e ka izoluar vendin dhe se epoka e mashtrimit, sipas tij, do të përfundojë më 7 qershor.
Gjini në një postim në Facebook, të enjten, ka thënë se Kosova ka djegur plot 735 milionë euro të taksapaguesve në import të rrymës vetëm katër vjetët e fundit, duke u rritur, sipas tij, nga 142 milionë në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.
“Aleanca e ka ditur që nga dita e parë se projekti i gazit amerikan do të ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë. Ne e kishim jetësuar dhe projektuar këtë si projektin më të madh të shekullit. Por, paranoja ideologjike dhe vendimi skandaloz i qeverisë në ikje, në vitin 2021 për ta bllokuar këtë projekt strategjik, e la Kosovën në errësirë, të izoluar dhe të varur tërësisht nga vendet e rajonit”, ka thënë Gjini. “Në takimin tim të para dy ditëve me u.d. ambasadoren Prattipati, ia bëra të qartë pozicionin tonë: Qëndrimi i Aleancës për gazin amerikan mbetet i palëkundur. Ky projekt është shtylla kryesore e planit tonë qeverisës, njëjtë siç kishte qenë edhe atëherë kur e kishim sjellë në Kosovë, falë miqve tanë ndërkombëtarë”.
Kur të tjerët eksperimentonin me fatin e Kosovës dhe refuzonin mbi 200 milionë dollarë grante falas nga MCC-ja amerikane, sipas Gjinit, Aleanca paralajmëronte për këtë krizë.
“Sot faturat e larta të rrymës po i paguajnë familjet dhe bizneset kosovare sepse qeveria në ikje dëboi investimet dhe teknologjinë amerikane për llogari të politikave izoluese. Plani ynë parasheh zhbllokim të menjëhershëm të projektit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë. Do t'i bashkohemi menjëherë projekteve të gazit natyror nëpër Ballkan për të siguruar pavarësinë tonë energjetike”, ka thënë Gjini.
Ai ka theksuar se siguria energjetike është siguri kombëtare.
“Epoka e mashtrimit dhe izolimit përfundon më 7 qershor”, ka thënë kreu i Aleancës. “Kosova do t’i kthehet zhvillimit dhe aleancës së shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në ditën e tetë të fushatës, Aleanca ka zhvilluar një numër aktivitetesh, përfshirë edhe takimin qendror të ditës që e ka realizuar në Suharekë. Aty është bërë thirrje për mobilizim të mbështetësve në mënyrë që sa më shumë të dalin për votim më 7 qershor.
PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja premtojnë t’i bashkohen projektit amerikan për gazin
Udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë premtuar lidhjen e Kosovës me gazin amerikan, teksa e kanë cilësuar si alarmues një mesazh të të ngarkuarës me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Në një opinion të publikuar në disa media, Prattipati bëri thirrje që Kosova të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me SHBA-në, përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që s’është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të SHBA-së në rajon.
Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër Bedri Hamza, pas këtij mesazhi, tha se po që se fiton në zgjedhjet e 7 qershorit, do ta jetësojë projektin. Ai e ka cilësuar jetik dhe të pazëvendësueshëm partneritetin me SHBA-në.
“Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme. Për Partinë Demokratike të Kosovës, partneriteti strategjik me SHBA-në është jetik, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kështu ka qenë dje, kështu është sot dhe kështu do të jetë edhe nesër. Gazi amerikan nënkupton më shumë siguri energjetike, më shumë investime, më pak ndotje dhe, mbi të gjitha, energji me çmime më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. Koha për të vepruar është tani. Jo pas një krize tjetër. Jo pas një dimri tjetër me çmime rekord. Kosova duhet të ecë përpara, krah për krah me aleatin e saj më të madh dhe më të besueshëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Hamza në Facebook.
E udhëheqja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, dhe kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, kanë thënë se ky qëndrim i Prattipatit, “është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës”. Osmani e Abdixhiku në një deklaratë të përbashkët kanë thënë se çështja tejkalon nivelin ekonomik dhe se në pyetje është edhe siguria kombëtare. Ata kanë akuzuar pushtetin aktual për stagnim.
“Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë. Alternativa kryesore ndaj integrimit në projektet energjetike amerikane mbetet rritja e varësisë nga burime dhe ndikime të tjera malinje gjeopolitike, përfshirë ato ruse. Prandaj, rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të reflektohet edhe në politikën tonë energjetike. Siç e kemi bërë të qartë tash e një kohë, përfshirë gjatë kësaj fushate, LDK është e bindur se interesi shtetëror i Kosovës është i bazuar në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrim në projektet rajonale të gazit, diversifikim i burimeve energjetike dhe forcim i sigurisë kombëtare. Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë”, thuhet në deklaratën e tyre.
Ndërkaq kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka akuzuar qeverinë Kurti për “krim ekonomik dhe gjeostrategjik” duke e fajësuar për bllokim të projektit të gazit amerikan dhe rritjen e importit të energjisë. Gjini ka thënë se mesazhi i Prattipatit është dëshmi e “dështimit të politikave energjetike të Qeverisë”.
Gjini ka thënë se qëndrimin e tij pro projektit ia ka thënë Parttipatit edhe në takimin e para dy ditëve.
“Siguria energjetike është siguri kombëtare. Epoka e mashtrimit dhe izolimit përfundon më 7 qershor. Kosova do t’i kthehet zhvillimit dhe aleancës së shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Gjini.
Kurti: Bashkë me Guxo për të luftuar padrejtësitë dhe korrupsionin
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti ka thënë se edhe në këto zgjedhje partner të koalicionit e kanë partinë Guxo.
Në një postim në Facebook ku ka shkruar për një nga tubimet e mbajtura në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, Kurti ka thënë se janë bashkë për ndërtimin e një shteti të drejtë, të zhvilluar dhe demokratik.
“Jemi bashkë për shtet për krejt, për të luftuar padrejtësitë dhe korrupsionin, rritur ekonominë, shtuar punësimin dhe investuar për më shumë rrugë, hekurudha e diga. Këtë të diel, krejt për fitoren e radhës, me rekord të ri, e vendimtare për të ardhmen e vendit”, ka shkruar Kurti.
Abdixhiku: Kultura ka vend të veçantë në 113 zotimet e LDK-së
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në 113 zotimet e tyre kulturës i kanë dhënë vend të veçantë.
Ai në një postim ku ka treguar se e ka zhvilluar një takim me artistë, shkrimtarë, piktorë e persona të të artit e kulturës, ka premtuar ndërtimin e Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, Teatrin e ri Kombëtar, Muzeun e Paqes dhe Rezistencës, Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe Qendrën e Librit.
“Shteti ndërtohet me identitet, kujtesë e krijimtari. Me artistët, shkrimtarët, piktorët e njerëzit e kulturës që i japin shpirt shoqërisë sonë. Prandaj, arti e kultura nuk do të jenë në margjina, por pjesë e dinjitetshme e zhvillimit të Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Në një postim tjetër ai ka treguar se të enjten bashkë me bartësen e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, kanë qëndruar në lagjen “Darandia” ku ka thënë se kanë takuar qytetarë dhe përfaqësues të biznese dhe e kanë shpërndarë programin me 113 zotime.
“Folëm drejtpërdrejt për vizionin tonë, për projektet që e transformojnë Kosovën dhe për zotimet konkrete që prekin jetën e secilit: më shumë zhvillim, më shumë dinjitet, më shumë mundësi për familjet, të rinjtë e bizneset. Sepse ndryshimi nis kur njerëzit dëgjohen, kur flitet hapur dhe kur politika kthehet tek qytetari e tek ëndrra për një Kosovë që ecën përpara”, ka shkruar Abdixhiku.
Hamza prezanton zotimet për arsimin: Digjitalizim dhe Fond të Bursave në vlerë prej 30 milionë eurosh
Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka prezantuar zotimin e katërt të programit të tij qeverisës për reformim dhe modernizim të sistemit arsimor, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë
Hamza, në një konferencë për media, është shprehur se një sistem arsimor cilësor aftëson qytetarë, ndërton ekonomi konkurruese dhe institucione të qëndrueshme, prandaj, Qeveria e udhëhequr nga PDK-ja do ta trajtojë këtë sektor si prioritet kombëtar.
“Arsimi nuk është shpenzim. Arsimi është investimi më i sigurt që një shtet mund të bëjë për të ardhmen e vet. Prandaj, më 7 qershor, ne kërkojmë besimin e qytetarëve për të ndërtuar një sistem arsimor modern, cilësor dhe konkurrues, që u jep fëmijëve dhe të rinjve tanë njohuritë, aftësitë dhe mundësitë që meritojnë. Sepse ndryshimi i Kosovës fillon me edukimin e brezit që do ta ndërtojë Kosovën e së nesërmes”, ka thënë kryetari i PDK-së.
Hamza duke nënvizuar sfidat me të cilat ballafaqohen mësimdhënësit dhe nxënësit e studentët, ka treguar se në qendër të vizionit të tij për arsimin është rinia e Kosovës.
Ai premtoi Fond të Bursave prej 30 milionësh euro në vit dhe programe studimi që garantojnë mundësi punësimi, që të rinjtë ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre në Kosovë.
“Qeveria e PDK-së do të forcojë autonominë universitare, do të mbështesë kërkimin shkencor dhe do të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar me universitetet më prestigjioze evropiane dhe botërore. Ne duam universitete që jo vetëm japin diploma, por prodhojnë dije, inovacion dhe zgjidhje për zhvillimin e vendit. Në këtë drejtim, do ta themelojmë edhe Fondin e Bursave për Studentët. Për herë të parë do të krijojmë Fondin e Bursave për Studentët me vlerë prej 30 milionë euro në vit. Ky fond do të garantojë mbështetje të drejtpërdrejtë për studentët, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike apo sociale. Investimi në studentët tanë është investim në kapitalin më të çmuar të Kosovës, në qytetarët e saj. Rrafsh tjetër ku do të fokusohemi është edhe arsimi joformal dhe kreativiteti rinor”, premtoi Hamza.
Ka shtuar se një nga prioritetet e PDK-së është edhe modernizimi i arsimit profesional dhe lidhja e tij e drejtpërdrejtë me nevojat e ekonomisë.
“Shkollat profesionale do të pajisen me infrastrukturë moderne, ndërsa bizneset do të përfshihen aktivisht në procesin e edukimit praktik të nxënësve. Qëllimi ynë është i qartë: më shumë aftësi profesionale, më shumë vende pune dhe më shumë mundësi për të rinjtë që të ndërtojnë karrierën e tyre në Kosovë”, tha Hamza. “Kudo që kemi qenë, kemi ndjerë energjinë e qytetarëve për ndryshim. Kemi ndjerë dëshirën e tyre për t’i dhënë fund krizës, për të rikthyer shpresën dhe për të ndërtuar një Kosovë me më shumë mundësi për të gjithë. Prandaj, sot dua t’i ftoj të gjithë qytetarët që të na bashkohen në tubimin tonë përmbyllës, të shtunën, më 6 qershor, nga ora 20:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Le ta përmbyllim së bashku këtë rrugëtim me një mesazh të qartë: Kosova meriton më shumë. Dhe, Kosova do të ndryshojë. Do ta ndryshojmë ne”.