Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Partitë zotohen të mos i angazhojnë komisionerët manipulues

KQZ

Në disa nga partitë kanë thënë se nuk do të riangazhojnë persona që janë duke u hetuar për manipulim me vota apo që kanë shfaqur neglizhencë gjatë procesit të fundit zgjedhor. E rregullat e KQZ-së ndalojnë vetëm personat e dënuar me vendim të formës së prerë, jo edhe ata që po hetohen

Përfaqësues të partive politike kanë deklaruar se në zgjedhjet e 7 qershorit nuk do të angazhojnë si komisionerë persona që po hetohen për manipulim me vota ose që, sipas tyre, nuk kanë treguar kujdes të mjaftueshëm gjatë procesit të kaluar zgjedhor.

Subjektet garuese tashmë kanë nisur dërgimin e emrave të komisionerëve në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ata do t’i nënshtrohen verifikimit për përmbushjen e kritereve ligjore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas rregullores së KQZ-së, personat e dënuar me vendim të formës së prerë gjatë tri vjetëve të fundit nuk mund të angazhohen në këtë funksion. Megjithatë, nuk ekziston ndonjë kriter që ndalon përfshirjen e personave që janë nën hetime.

Paris Guri, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se partia e tij ka marrë vendim që të mos përfshijë persona të dyshuar për shkelje zgjedhore.

“Po ka vendim që krejt ata që kanë qenë duke u hetuar, të hetuar, të përfshirë, edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka pasur numrin më të vogël kështu të manipulimeve të votave, por unë kam qenë më i dëmtuari në Lidhjen Demokratike të Kosovës, mirëpo Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim që asnjëri prej tyre mos me qenë prapë komisionerë”, ka thënë Guri.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 dhjetorit 2025, procesi i rinumërimit nxori në pah ndërhyrje në rreth 150 mijë vota të kandidatëve për deputetë, gjatë numërimit fillestar.

Në janar dhe shkurt, qindra komisionerë u arrestuan ose u intervistuan lidhur me dyshimet për manipulim. Megjithatë, deri më tani është ngritur vetëm një aktakuzë për shkelje në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.

Ndër kandidatët më të dëmtuar nga manipulimi, është edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Mërgim Lushtaku. 

Ai thotë se ka kërkuar nga subjekti i tij që personat nën hetime të mos angazhohen si komisionerë dhe, sipas tij, kjo kërkesë është miratuar.

“Partia ka qëndrim që të ruhet vota e gjithsecilit... Jo absolutisht jo, këtë e di me informatat e mia, do të thotë, ne kemi kërkuar që të mos të jenë, do të thotë nëse kanë pasur probleme me proces nuk do të jenë komisionerë”, ka thënë Lushtaku.

E sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka thënë se kriter nuk do të jetë fakti nëse një komisioner po hetohet, por mënyra se si ka kryer detyrën në vendvotimin ku ka shërbyer.

“Të gjithë ata që s’kanë qenë në nivel të detyrës, pra pikat ku kanë qenë ata, tavolinat. Në rastin tonë ka qenë shpesh shkaku i neglizhencës, mungesë të kujdesit dhe të gjithë ata që kanë shfaqur mungesë të kujdesit nuk do të jenë më. Nuk ka nevojë për hetime, unë shoh tavolina ku ka pasur mungesë të kujdesit, ne i kemi bërë analizat e brendshme”, ka thënë Rama.

Sipas Planit të Aktiviteteve të KQZ-së, emërimi i anëtarëve të këshillave të vendvotimit, ku përfshihen edhe komisionerët, është dashur të përfundojë të premten e kaluar. Megjithatë, anëtarë të Komisionit i kanë thënë KOHËS se procesi pritet të përmbyllet deri në fund të kësaj jave.