Bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidatja e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmani, ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj mirëqenies së pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës, duke thënë se siguria shtetërore duhet të jetë prioritet dhe se ushtarakët e policët duhet të trajtohen me dinjitet.
Osmani ka thënë se është e pafalshme që pjesëtarëve të FSK-së nuk u janë dhënë shtesat që u takojnë sipas ligjit, përfshirë ato për rrezikshmëri, punë jashtë orarit dhe trajnimet afatgjata.
“Unë e kam thënë publikisht që ushtarakëve të FSK-së është e pafalshme që të mos u jepen shtesat për rrezikshmëri, për punë pas orarit, mëditje për trajnimet mbi një muaj e shumëçka tjetër që u takon sipas ligjit. Kam propozuar edhe një plan shtatëpikësh që do ta rriste mirëqenien e FSK-së”, ka deklaruar ajo në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.
Sipas Osmanit, edhe Policia e Kosovës përballet me mungesë të përkrahjes institucionale, ndonëse zyrtarët policorë rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë në mbrojtje të integritetit territorial të vendit.
“Edhe Policisë duhet t’i rritet mirëqenia sepse këta djem dhe vajza në baza ditore rrezikojnë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës. Qe gjashtë muaj, Policia nuk i merr shtesat që i takojnë. Pastaj rrobat që i kanë t’i marrin çdo gjashtë muaj sipas rregullores, nuk i kanë. Për vite të tëra nuk kanë marrë të reja. Janë kushte bazike që do t’i motivonin ata”, ka thënë ajo.
Edhe
Osmani: Kompromisi kërkohet për Qeverinë, Kuvendin e presidentin
Osmani kritikoi edhe arsyetimet që, sipas saj, janë dhënë për mosrealizimin e këtyre kërkesave, duke përmendur ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
“Nuk e di pse atij (Kurtit) i kanë penguar këto kërkesa, sepse mirëqenia e ushtarakut dhe e policit nuk mund të shikohet thjesht nga mendësia e një kontabilisti (Hekuran Murati), i cili thoshte se nëse i japim këtyre, duhet t’i japim të gjithëve. Por ne kemi prioritet sigurinë shtetërore. Përtej armatimit, ushtaraku dhe polici duhet të ndihen të motivuar”, ka deklaruar Osmani.