Zgjedhjet 2025

Ragip Xhaka dorëhiqet nga posti i kryetarit të PDK-së në Zvicër

Ragip Xhaka

Kryetari i degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Përmes një njoftimi, ai ka thënë se ky vendim erdhi pas rezultatit të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

“Pas vendimit tim për të dhënë dorëheqje nga funksioni i Kryetarit të Degës së PDK-së në Zvicër, ndjej obligim moral dhe njerëzor që t’ju drejtohem me mirënjohje të thellë për të gjithë ju. Falënderimi im i parë shkon për strukturat e Degës së PDK-së në Zvicër, për kryesinë, nëndegët, aktivistët dhe secilin anëtar e simpatizant që me përkushtim, vullnet dhe sakrificë ka kontribuar ndër vite për fuqizimin e PDK-së në mërgatë. Angazhimi juaj ka qenë vendimtar në çdo proces organizativ, politik dhe elektoral. Zgjedhjet e fundit janë një moment reflektimi për të gjithë ne si parti. Ato kërkojnë analizë të qetë, përgjegjësi kolektive dhe angazhim të shtuar për të forcuar strukturat tona dhe për t’u përgatitur më mirë për sfidat që na presin”, ka thënë Xhaka.

Tutje ai ka thënë se do të mbetet anëtar i PDK-së ndërsa ka falënderuar kryetarin e kësaj partie Bedri Hamzën dhe ish-kryetarin Memli Krasniqi.

“Një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin aktual të PDK-së, z. Bedri Hamza, për punën dhe angazhimin e tij në një periudhë sfiduese për partinë, si dhe për ish-Kryetarin z. Memli Krasniqi, për kontributin dhe udhëheqjen e tij me dinjitet në shërbim të PDK-së dhe vendit. Po ashtu, falënderoj Kryetarin e Komisionit për Mërgatën, z. Elmi Reçica, për bashkëpunimin korrekt dhe angazhimin në procesin e riorganizimit dhe forcimit të Degës së PDK-së në Zvicër. Në fund, dua ta theksoj qartë dhe pa asnjë dilemë: unë do të mbetem gjithmonë anëtar besnik i Partisë Demokratike të Kosovës – partisë së themeluar mbi sakrificën dhe vizionin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, partisë që i dha Kosovës lirinë dhe shtetin”, ka shkruar Xhaka.

Sipas rezultateve preliminare, PDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit mori rreth 21%.