Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2025

PDK-ja kërkon të anulohen votat që ia humbën një ulëse

Pamje nga QNR ne Prishtine, salla 1 tetori, zgjedhjet 2025 (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar anulimin e më shumë se 20 mijë votave të ardhura me postë.

Në ankesën drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PDK-ja ka vlerësuar se këto vota janë pranuar pas afatit ligjor dhe si të tilla janë të pavlefshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

PDK-ja në ankesë ka cekur po ashtu se sipas ligjit për zgjedhje, votat e dërguara me postë pranohen vetëm “deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00”. Në këtë ankesë, ajo ka kujtuar se më 2 janar janë pranuar rreth 8200 pako me fletëvotime dhe rreth 11900 më 5 janar. Pas vlerësimit, nga to janë miratuar rreth 16 mijë, ndërsa të enjten ka nisur numërimi edhe i 3185 pakove me fletëvotime.

“Pra bëhet fjalë për mbi 20,000 pako me fletëvotime që janë tërhequr dhe proceduar pas afatit ligjor, pa asnjë bazë normative në ligj”, thuhet në ankesën e siguruar nga KOHA.

PDK-ja ka vlerësuar se si pasojë e numërimit të këtyre votave e ka humbur një ulëse në Kuvend duke rënë nga 23 në 22 ulëse. Kjo parti ka thënë se ekziston rreziku që ta humbë edhe një mandat në Kuvend.

“Një zhvillim i tillë do të ishte pasojë direkte e një procesi të paligjshëm administrativ dhe jo e një vullneti të shprehur në përputhje me ligjin nga trupi elektoral. Për këtë arsye, ndërhyrja e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk është vetëm e justifikuar, por është e domosdoshme dhe urgjente për të parandaluar prodhimin e pasojave të pakthyeshme juridike dhe institucionale”, thuhet në ankesë.

Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, ka komentuar ankesën duke thënë se PDK-ja është ankuar “kundër votave të mërgatës kur e panë që dështuan ta pengonin e ta pamundësonin votimin përmes postës”.

“Vet e votuan në KQZ procedurën dhe afatet, e tash kur mërgata u vetorganizua dhe arriti të sjellë fletëvotimet nga gjithandej globit këtyre u djeg ky fakt duke harruar që humbjen nuk e kanë nga mërgata, e as nga votuesit në Kosovë, por nga sjellja, veprimet dhe vendimet e dëmshme të vet PDK-së që prej themelimit të saj e deri tek ky i sotit përmes kësaj ankese të turpshme kundër mërgatës”, ka shkruar ai në Facebook.

Nga numërimi i deritashëm i votave me postë, PDK-ja është e treta me 9.14 për qind. Vetëvendosje prin me më shumë se 72 për qind, ndërsa LDK-ja është e dyta me 10.27.

Në nivel të përgjithshëm, PDK-ja është e dyta me 20.24 për qind. LVV-ja prin me më shumë se 51 për qind të votave. LDK-ja është e treta me 13.26 për qind.

Në ulëse, VV-ja ka siguruar 57, PDK-ja ka 22 e LDK-ja 15-të.