Zgjedhjet 2025

Numërohen 52% e votave me kusht, këta janë kandidatët më të votuar

Numërimi i votave

Foto: Driton Paçarada

(Lajm i përditësuar 12:25) - Janë numëruar 52.63 e votave me kusht nga të cilat prin Lëvizja Vetëvendosje me 49.30 për qind, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës  me 19.31 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.06 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.56 për qind.

Kandidatët më të votuar janë Albin Kurti me 1.687 vota, Glauk Konjufca me 1.321 vota, Albulena Haxhiu me 730 vota. Në PDK, Bedri Hamza ka 696 vota, Arian Tahiri 354 vota dhe Përparim Gruda 304 vota. Në LDK, Lumir Abdixhiku ka 311 vota, Hykmete Bajrami 244 dhe Daorsa Kica-Xhelili 181 vota. Në AAK-, Ramush Haradinaj ka 258 vota, Besnik Tahiri 164 vota dhe Daut Haradinaj 152 vota.

Ende nuk janë numëruar në tërësi votat me postë dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

 Numërohen mbi 30 për qind e votave me kusht

Pas numërimit të votave me postë të cilat janë verifikuar para Vitit të Ri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin e atyre me kusht.

18 nga 57 kutitë e votimit apo 31.58 për qind janë numëruar, prej të hënës mbrëma kur ka nisur ky proces.

Lëvizja Vetëvendosje prin me 49.81 për qind ose 1.313 vota, e dyta është Partia Demokratike me 20.45 për qind ose 539 vota, Lidhja Demokratike me 11.65 për qind  ose 307  vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind ose 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të votave të numëruara deri tash, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke ia marrë edhe një deputet Partisë Demokratike të Kosovës, e cila aktualisht ka 20.43 për qind të votave.

Nga 56 deputetë siç parashihej në rezultatet preliminare, VV-ja do t’i marrë 57 ndërkaq PDK-ja 22 nga 23.