Havolli: LDK-ja premton reduktim të TVSH-së në produktet bazë
Lidhja Demokratike e Kosovës premton reduktimin e TVSH-së për produktet bazë, si një masë në luftën ndaj inflacionit.
Kandidati i LDK-së për deputet, Sokol Havolli, ka thënë se një vendim i tillë është dashur të merret edhe nga Qeveria Kurti, e cila sipas tij e ka trajtuar inflacionin në mënyrën më të gabuar të mundshme.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Havolli ka thënë se LDK-ja e sheh si zgjidhje të mirë reduktimin e TVSH-së.
“E para e punës duhet të ndërhyhet përmes TVSH-së në produktet bazike, sepse duke e reduktuar TVSH-në në produkte bazike ajo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë...”, ka thënë Havolli.
Sipas tij, pakësimi i fondeve që do të mblidheshin nga kjo TVSH nuk do të paraqesin ndonjë problem ekonomik.
E derisa ka folur për programin e partisë së tij në çështjet sociale, Havolli ka përmendur krijimin e Ministrisë së Familjes që sipas tij do të merrej me të gjitha nevojat e natyrës sociale, ekonomike, zhvillimore, arsimore e të tjera që lidhen me çështjen e familjes.
Kandidati i LDK-së po ashtu ka përmendur edhe shtesat për fëmijët dhe lehonat.
“Në këtë drejtim janë të parapara skemat për të porsalindurit, 5000 euro për fëmijën e tretë, për fëmijët e porsalindur të vendoset shifra prej 200 eurosh për çdo muaj prej 0 deri në 1 vjeç, ndërsa prej 1 deri në 5 shtesat prej 50 eurove, sipas tij shtesa janë paraparë edhe për të gjitha kategoritë e tjera. Duke përfshirë moshën 21+ të cilit do t’i sigurohet punësimi prej 6 deri në 12 muaj me një rrogë prej 500 euro”, ka theksuar ai.
Gjatë debatit është diskutuar edhe për pensionet e veteranëve dhe pensionet e pleqërisë.
Murtezaj i PDK-së: Pensionin bazë do ta rrisim në 250 euro
Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Ilir Murtezaj, ka shpalosur programin e partisë së tij për pensionistët, në të cilën është paraparë që ato të rriten në 250 euro.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Murtezaj ka thënë se nëse PDK-ja vjen në krye të qeverisë, në pjesën e parë të mandatit do të realizojë një rritje prej 50% të pensioneve të të gjitha kategorive.
“Plani ynë qeverisës ka planifikuar që të ketë rritje të të gjitha kategorive të pensioneve 50% mbi vlerën aktuale që marrin pensionistët, duke përfshirë pensionistët që marrin pensionin bazë dhe ata kontribut dhënës. Pensioni minimal do të jetë 250 euro”, ka thënë Murtezaj.
Kandidati i PDK-së po ashtu ka thënë se do të bëhet kategorizimi i të dhënave, në të cilën kanë paraparë që nëse në një familje të dëshmorit ka një pension atëherë do t’u takojnë të dyja pensionet.
Sipas tij, PDK-ja nuk ka lënë anash as kategoritë e dala nga lufta, për të cilat ka paraparë rritje të të ardhurave deri në 50%.
Në debat Murtezaj ka folur edhe për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Në planprogramin tonë është paraparë që në shtatë qytete të Kosovës të ndërtohen vende të qëndrimit ditor për fëmijët me nevoja të veçanta dhe varësisht prej nevojave në të ardhmen edhe mund të shtohet numri i tyre”, ka shtuar kandidati i PDK-së.
Sipas tij për këta fëmijë buxheti i shtetit do ta mbulojë të gjithë koston e jetesës duke përfshirë kujdesin në aspektin profesional me specialistë të fushës për të cilët ata kanë nevojë.
Gashi i LVV-së: Nga 1 korriku paga minimale do të jetë 500 euro
Rritje të pagës minimale ka premtuar kandidati i LVV-së për deputet, Hekuran Gashi, derisa ka shpalosur programin e partisë së tij.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ku u diskutua për inflacionin dhe çështjet sociale, Gashi tha se partia me të cilën ai po garon ka paraparë rritjen deri në 500 euro të pagës minimale.
“Ne do të vazhdojmë të ngrisim bazën ekonomike, me ngritjen e pagës minimale në sektorin privat, siç e kemi miratuar në nivel të Qeverisë nga 425 euro... do të shënojë rritje në 500 euro nga 1 korriku, kjo do të ketë ndikim në fuqinë blerëse të punëtorëve në sektorin privat që përbëjnë rreth 80 % të fuqisë punëtore në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gashi.
Përveç pagave për punëtorët, LVV-ja sipas Gashit ka paraparë edhe rritje të pensioneve.
“Në programin e tyre parashihet një ngritje si për pensionin bazë, ashtu edhe për pensionistët kontributdhënës. Parashihet një rritje prej 20%, pra për pensionet bazë do të shkojë nga 150 deri në 180 për pensionistët bazë ndërsa për kontributdhënësit rritja do të arrijë në 280”, ka shtuar Gashi.
Sipas tij, Kosova po përballet më një inflacion të importuar pasi ekonomia vendore varet nga importi dhe 80% e këtij inflacioni po vjen prej saj.
Gjatë debatit, Gashi ka kundërshtuar propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për krijimin e një ministrie të posaçme për familjen. Sipas tij, nuk ka nevojë për një ministri të tillë pasi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e mbulon mjaftueshëm një gjë të tillë.
Ai ka theksuar se Qeveria Kurti ka krijuar standard për mirëqenien e fëmijëve, lehonat dhe qytetarët e tjerë.