Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore rreth aktiviteteve të partive politike në ditën e dhjetë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Për premtimet kryesore që kanë dhënë kandidatët për kryeministër e për akuzat e tyre ndaj kundërkandidatëve. Teksti do të përditësohet gjatë ditës me zhvillimet kryesore
Limaj: Ne do t’ia rikthejmë shpresën Kosovës
“Kosova është në gjendje të rëndë dhe për këtë po flet e vërteta”, ka thënë Fatmir Limaj, kryetar i Nismës në tubimin elektoral me bashkëvendësit nga rajoni i tij.
“Në vitin 2007, kur erdhëm ne në pushtet Kosova ka qenë tërësisht në terr, me gjenerator në çdo qytet e në çdo fshat në një gjendje skandaloze. Ne premtuam 24 orë energji elektrike dhe atë e bëmë. Kush e ka menduar se 15 vjet pas, kthehemi në gjendje terri. Kush e solli këtë gjendje? Ata që premtonin lirimin e çmimit të bukës, vajit, sheqerit e kripës. Premtime të kota e mashtrime e kanë sjellë vendin ku jemi sot. Prandaj më shumë se kurrë duhet të bashkohemi për ta rikthyer shpresën", ka thënë Limaj.
Ai ka shtuar se motoja e Nismës është bashkimi, për ta rikthyer Kosovën në punë dhe mirëqenie.
Haradinaj: Nuk do të ketë pagë nën 1 mijë euro e pension nën 500 euro
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar aktivitetet për zgjedhjet e 28 dhjetorit në tubime me mbështetës të kësaj partie në Rrafshin e Dukagjinit.
Peja, Gjakova, Juniku e Deçani ishin komunat ku ai zhvilloi takime një ditë para mbylljes së fushatës, duke shpalosur programin e tij qeverisës, me premtime për rritje të pagave e pensioneve, prodhim të energjisë e anëtarësim në NATO.
E nëpërmjet një videoadresimi, Haradinaj foli për rritjen e çmimeve dhe vështirësi me të cilat po përballen qytetarët. Premtoi rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve.
“Edhe rritja e fuqisë blerëse e qytetarit tonë do të bëhet realitet, nuk do të ketë pagë minimale nën 1 mijë euro në vend, nuk do të ketë pension apo shtesë nën 500 euro, sepse këta janë treguesit e ekonomisë sonë dhe ekziston mundësia graduale në Kosovë që të kthehet siguria dhe mirëqenia e qytetarit tonë”, tha ai.
Ai pohoi se çmimet janë rritur dhe jeta është shtrenjtuar. Për këtë, fajtore e bëri rritjen e çmimit të energjisë.
“E si zhvillim ekonomik, mundësi në treg për të gjithë, çmime reale për ekonominë tonë. Rritja ekonomike e Kosovës nga viti në vit, kthimi i investimeve dhe kapitalit vendor edhe të mërgimtarëve, edhe investimeve të huaja, por edhe thithja e fondeve të huaja duhet të ndodhë me urgjencë. Po ashtu e dimë se çmimet janë rritur për shkak të shtrenjtimit të energjisë. Kemi vendosur që të prodhojmë energji në Kosovë me çmime të Kosovës”, u shpreh Haradinaj.
Në takim me veteranët në Pejë, Haradinaj premtoi se nëse e merr pushtetin, partia e tij do të jetë krah veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, “ky takim është një rikujtim se duhet të jemi krah atyre që dhanë gjithçka që Kosova të ekzistojë dhe nuk u dorëzuan as atëherë kur gjithçka dukej e pamundur”.
Haradinaj ka takuar edhe përkrahësit e tij në Junik. Tha se aty dëgjoi hallet e përditshme të qytetarëve, sfidat që po i rëndojnë familjet dhe të rinjtë që kërkojnë perspektivë në vendin e tyre.
Në këtë tubim ai foli për sigurinë, për zhvillimin ekonomik, për dinjitetin e punëtorit, për bujkun, për mësuesin, për mjekun, për veteranin dhe për secilin që, siç ka thënë, e mban këtë vend gjallë me punë e sakrificë.
E në orët e mbrëmjes tubimet i vazhdoi edhe me mbështetësit në Deçan.
Kurti për zhvillimin ekonomik: Ne jemi trefish më të shpejtë sesa ata
“Albin t’i ku je, Krejt Kosovën këtu e ke. Albin Baba, Albin Mos lësho pe”, ishin thirrjet me të cilat u prit kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, nga mbështetësit e tij në Prizren, ku shpalosi programin e tij qeverisës në kërkim të edhe një mandati.
Një ditë para mbylljes zyrtare të fushatës, Kurti krahas premtimeve shpalosi edhe të arriturat e Qeverisë së tij, duke thënë se çdo vit ekonomisë iu shtua nga 1 miliard euro.
“Ekonominë e gjetëm 7 miliardë në 2021, sot që po flasim BBP është 11 miliardë e vitin e ardhshëm do të bëhet 12 miliardë. Do të thotë për çdo vit po ia shtojmë nga 1 miliard, e atyre para nesh iu duhen 3 vjet për ta shtuar një miliard. Kjo do të thotë që kur jemi te rritja ekonomike, ne jemi 3 fish më të shpejtë tek ata. Kur jemi te rritja ekonomike edhe nëse e kanë pasur drejtimin dhe kahen e duhur ata e kanë lënë veturë në të parën. E kanë lodhë veturën t’u e lanë në të parën. A na jena në të tretën. Meqë është rritur ekonomia, është rritur edhe buxheti”, tha ai.
Kurti u zotua se me të marrë mandatin e ri që në mbledhjen e parë, do ta miratojë buxhetin prej 4 miliardë eurosh, e do të nënshkruajë vendimin për Ligjin e ri për çmimin tavan për produktet bazë.
“Duhet ta kthejmë çmimin tavan në mënyrë që shporta e konsumatorëve të jetë e përballueshme. Vendimi i katërt në mandatin e tretë në mbledhjen e parë, me mua kryeministër do të jetë paga e 13 në sektorin publik që nis me buxhetin e vitit 2026. Kjo pagë nuk jepet në fund të vitit, por në fillim të vitit. Paga e 13 në fillim të vitit”, deklaroi Kurti.
E me ironi foli edhe për ata që nuk janë të kënaqur me qeverisjen e tij, duke thënë se e kanë qepur thesin si buxhet të shtetit dhe e kanë thurur gardhin si kufi Kosove.
“Kur filluam ta qepim thesin, u dëgjuan disa piskama e britma. Aty te gjilpëra që qepte thesin e shqyer i kish pasë gishtat dikush dhe ajo gjilpërë ua theri gishtat dhe u ni piskama. Por, ne nuk mund ta ndalnim therjen e thesit, sepse nuk mund të hedhësh gjë në thesin që ngelet i shqyer”, shtoi ai.
Kurti ka përsëritur edhe premtimin për pakon prej 200 milionë eurosh për përballje me inflacionin, që përfshin mbështetje për pensionistët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat.
Në kuadër të saj tha se do ta rikthejnë edhe skemën për ata që kursejnë energji, duke shpërblyer ata që kursejnë.
Vetëvendosje pritet që të shtunën ta përmbyllë fushatën në Prishtinë.
Hamza për Kurtin: Ka qenë përçarës dhe ka bërë drama
Në prani të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës ka shpalosur edhe një herë zotimet e kandidatit të tyre për kryeministër Bedri Hamzës. 5 zotimet kryesore janë shfaqur nëpërmjet një video projektori, ku Hamza premton rritje pagash prej 50%, rritje pensionesh po ashtu dhe ulje tatimesh e TVSH-je në produktet bazë, përfshirë edhe energjinë elektrike.
Kryetari i degës së Mitrovicës, Arian Tahiri, ka thënë se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse janë të parat pas një palë zgjedhjeve që nuk ofruan asnjë zgjidhje për qytetarët e Kosovës.
“Andaj qytetarët e Mitrovicës duhet t’i japin votën një personi që në secilën pozitë ku ka shërbyer, ka qenë i përgjegjshëm dhe llogaridhënës. Kosova sot ka nevojë për lidershp dhe kryeministër racional”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se PDK-ka ka përjetuar presion edhe shantazh në Mitrovicë duke qenë në një betejë të drejtpërdrejtë me Albin Kurtin.
Ndërsa kryetari i PDK-së Bedri Hamza, duke folur për rëndësinë e qytetit të Mitrovicës, tha se pushteti i Kurtit duhet të ndërpritet ngase qeverisja e tij, sipas Hamzës, është karakterizuar me përçarje e ndarje të qytetarëve të Kosovës.
“Viteve të fundit na ka karakterizuar një situatë me një qeveri e cila ka politizuar, e cila ka bërë ndarje, e cila ka premtuar e nuk ka përmbushur premtime, e cila ka përçarë e cila ka bë drama. Kjo duhet të ndërpritet. Ka premtuar shumë, ka realizuar pak. Çmimet janë rritur, ka që janë rritur 100%. Një prej tyre është çmimi i energjisë, që e ka përkeqësuar standardin e jetesës së gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo duhet ndërprerë. Ne do të ndërmarrim reforma për një klimë më të mirë për bizneset, ndërmarrjet dhe gjithë fermerët”, ka thënë Hamza.
Ai ka përsëritur premtimin për të krijuar fondin e sigurisë për punëtorët e sektorit privat, nëse një ditë do të mbesin pa punë.
E po ashtu ka thënë se do të ndajë 30 milionë euro bursa për studentët që në vitin e parë, si dhe se do të subvencionojë me nga 100 euro secilin çift për fëmijën e parë që dërgon në çerdhe.
Ai tha se do ta krijojnë gjykatën e punës, ndërsa Mitrovica do të bëhet me spital të ri regjional.
Ai u tregoi bashkëvendasve të tyre se në nisje të fushatës, ka vizituar në Hagë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët tha se e kanë një porosi, “që PDK të qëndrojë e bashkuar”.
Abdixhiku në mbyllje të fushatës: Pa LDK-në s’ka stabilitet institucional
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të 28 dhjetorit me një tubim në Prishtinë. Kandidati për kryeministër dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, këtë tubim e ka quajtur hapje të një kapitulli të ri për Kosovën.
Ai ka thënë se pa LDK-në “nuk ka stabilitet institucional dhe as partneritet të besueshëm me botën demokratike”.
“Pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk ka stabilitet. Pa LDK-në, nuk ka orientim. Pa LDK-në, nuk ka shtet që flet me botën dhe nuk ka shtet që respekton qytetarin e vet”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se Kosova është lodhur nga mashtrimi dhe keqpërdorimet.
“Jemi këtu për ta thënë qartë se Kosova nuk është e lodhur nga demokracia – Kosova është e lodhur nga mashtrimi. Nuk është e lodhur nga shteti – është e lodhur nga keqpërdorimi i tij. Dhe kur populli lodhet nga gënjeshtra, kërkon të vërtetën. Dhe e vërteta është kjo, është e zëshme, është e qartë: pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk ka stabilitet. Pa LDK-në, nuk ka orientim. Pa LDK-në, nuk ka shtet që flet me botën dhe nuk ka shtet që respekton qytetarin e vet”, ka deklaruar ai.
Në dy palë zgjedhjet e fundit qendrore, LDK-ja ka dalë partia e tretë pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Pas atyre të shkurtit, LVV-ja i bëri ftesë për koalicion LDK-së por kjo refuzoi.
Kurti premton 500 milionë euro investim në Brezovicë
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar 500 milionë euro investim në Brezovicë për ta shndërruar atë në destinacionin më të rëndësishëm të turizmit malor në rajon gjatë katër stinëve.
Sipas një shkrimi në Facebook, investim strategjik do të realizohet përmes një partneriteti publiko-privat, me status që garanton interesin publik dhe kontrollin mbi këtë pasuri kombëtare.
“Brezovica, qendër e turizmit rajonal! Mbi 500 milionë euro investim në Brezovicë, për ta shndërruar atë në destinacionin më të rëndësishëm të turizmit malor në rajon, gjatë të katër stinëve të vitit. Ky investim strategjik do të realizohet përmes një partneriteti publiko-privat, me status që garanton interesin publik dhe kontrollin mbi këtë pasuri kombëtare. Projekti përfshin zgjerimin e Qendrës së Skijimit me kapacitete trefish më të mëdha, transformimin e hoteleve ekzistuese në standarde evropiane dhe ndërtimin e një fshati turistik modern, që do ta bëjë Brezovicën funksionale gjatë gjithë vitit”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, ky projekt është shumë më tepër se turizëm, “është zhvillim ekonomik i qëndrueshëm, që do të krijojë shumë vende pune, fuqizojë prodhimin vendor, bujqësinë, gastronominë dhe artizanatin, duke e kthyer Brezovicën në një motor zhvillimi për gjithë vendin”.
“Me një projekt modern, vizitorët do të kenë qasje të lehtë përmes një sistemi bashkëkohor transporti me kondollë, duke shijuar njëkohësisht bukuritë natyrore të maleve tona. Me këtë investim Brezovica i shërben qytetarëve, ekonomisë dhe imazhit ndërkombëtar të Republikës sonë”, ka shkruar ai.
Haradinaj me veteranët e UÇK-së: Duhet të jemi krah atyre që dhanë gjithçka
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se nëse merr pushtetin pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, partia e tij do të jetë krah veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një tubim në Pejë me bashkëluftëtarët, Haradinaj ka thënë se veteranët janë njerëz që nuk flasin shumë për veten, por se me veprat e tyre kanë shkruar historinë.
“Ky takim na rikujtoi se ne duhet të jemi gjithmonë krah atyre që dhanë gjithçka që Kosova të ekzistojë, krah atyre që nuk u dorëzuan as kur gjithçka dukej e pamundur,” ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Abdixhiku premton përfundimin e rrugëve kryesore brenda një mandati
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar përfundimin e projekteve kryesore rrugore në Kosovë brenda një mandati qeverisës, duke i cilësuar ato si projekte kombëtare zhvillimi.
Abdixhiku ka thënë se, për më pak se një mandat, rrugët kryesore të vendit duhet dhe do të përfundojnë, duke theksuar se ekipet e LDK-së do të jenë në terren ditë e natë për ta bërë realitet lidhjen kombëtare mes qyteteve të Kosovës.
Në këtë kuadër, ai përmendi përfundimin e unazës së kryeqytetit, autostradës së Anamoravës, si dhe magjistraleve që lidhin Podujevën, Mitrovicën, Pejën dhe Gjakovën, të cilat, sipas tij, duhet të trajtohen si projekte strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Rrugët janë ekonomi, janë lëvizje, janë vende pune dhe jetë më e lehtë për qytetarët tanë”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se Kosova ka nevojë për punë konkrete dhe zhvillim të qëndrueshëm.