Zgjedhjet 2025

Cakolli: Ulësja e 15-të e LDK-së përballë të 58-s së LVV-së në Kuvend

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka thënë se derisa kanë mbetur edhe përafërsisht pesë mijë vota me postë pa u numëruar, hapësira për ndryshime në ndarjen e mandateve është shumë e kufizuar.

Sipas Cakollit, i vetmi mandat që mbetet matematikisht në garë është ai i 15-ti i LDK-së, përballë mandatit të 58-të të LVV-së.

“I vetmi mandat që mbetet matematikisht në garë është ai i 15-të i LDK-së, përballë mandatit potencial të 58-të të LVV-së. Të gjitha mandatet e tjera janë praktikisht të mbyllura. Megjithatë, kutitë e fundit të numëruara, LVV ka shënuar një rënie të lehtë prej rreth 0.6 pikë përqindje, ndërsa LDK ka shënuar një rritje pothuajse të njëjtë. Si rezultat, aktualisht koeficienti i 15-të i LDK-së është 8,378, ndërsa koeficienti i 58-të i LVV-së është 8,329 — pra, LDK është rreth 50 pikë përpara. Nëse trendi aktual vazhdon pa ndryshime, pra rreth 73% për LVV-në dhe rreth 10% për LDK-në – LVV do të përfundojë afërsisht me rreth 486 mijë vota, që i jep një koeficient prej ~8,386. Në të njëjtën kohë, LDK do të përfundojë me rreth 126 mijë vota, që prodhon një koeficient prej ~8,408”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Cakollit, që Lëvizja Vetëvendosje të fitojë edhe ulësen e 58-të në Kuvend, do të duhej t’i marrë gati 80% të votave të mbetura ose LDK-ja të bjerë nën 9% që sipas tij janë skenare “praktikisht pothuajse të pamundura”.

Skenari më i mundshëm, sipas tij, mbetet 57 ulëse për Lëvizjen Vetëvendosje, 22 ulëse për PDK-në, 15 për LDK-në dhe 6 ulëse për AAK-në.