Zgjedhjet 2019

Shoqëria civile thirrje partive: Mos i kandidoni individët me aktakuza

Të premten është bërë edhe një thirrje për mospërfshirje të personave që kanë probleme me ligjin, në listat e partive me kandidatë për deputetë për zgjedhjet e parakohshme nacionale.

Këtë apel e kanë bërë dy organizatat e shoqërisë civile, Fondacioni Uestminister për Demokraci dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilët kanë prezantuar një raport krahasues me kandidatët me aktakuza në tri palë zgjedhjet e fundit nacionale.

Albert Krasniqi, nga WFD-ja, tha se partitë nuk mund të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin me njerëz që kanë aktakuza, raporton KTV.

Ndërsa, Betim Musliu nga IKD-ja, foli për personat me aktakuza në legjislaturën, tashmë të shpërndarë të Kuvendit dhe Qeverinë e dorëhequr.

Sipas raportit, në listat e kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet e vitit 2014, ka pasur 15 persona me aktakuza, 12 prej të cilëve ishin zgjedhur deputetë.

Ndërsa, në zgjedhjet e 2017-s, në listat e partive kanë qenë 27 kandidatë me aktakuza, prej të cilëve 21 ishin bërë deputetë.

Partitë politike kanë afat që t’i dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat e tyre me kandidatë për deputetë, deri të premten në mesnatë.