Zëvendëskryeministri në detyrë, Fatmir Limaj së bashku me ministrin në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala kanë marrë pjesë sot në përurimin e asfaltimit të zonës ekonomike në Shirokë të Suharekës, zonë kjo e cila ka mbi 160 hektarë dhe mbi 70 biznese të cilat operojnë në të.
Limaj tha se kur e kanë vizituar për herë të parë këtë park, ka qenë në gjendje të tmerrshme, për çka tha se kanë dhënë edhe premtim që të kompletojnë gjithë infrastrukturën që i duhet 73 kompanive.
"Këtu ia ka vlejt që të gjithë ne të interesohemi për ta kompletuar këtu park ekonomik me gjithë infrastrukturën e vet. Sot ndihem i kënaqur që MTI dhe ministri Shala e ka përmbushur atë premtim që e kemi pasur. E kanë pasur për detyrë që të angazhohen dhe për implementimin e këtij projekti. Siç po e shihni ka filluar faza e fundit e asfaltimit të të gjitha rrugëve dhe blloqeve në këtë park, me implementim, me infrastrukturë, me kanalizim, dhe mbi të gjitha lidhja e rrugës me autostradën", tha Limaj.
Sipas tij, sot po i dhurohet Suharekës një projekt i jashtëzakonshëm, duke hapur mundësi edhe për vende të reja të punës.
E ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se kjo zonë ka qenë e harruar për 10 vjet me radhë nga dora e shtetit. Krahas kësaj, tha se premtimi që kishte dhënë Limaj para dy viteve, tashmë veç se po realizohet.
"Kjo zonë ekonomike tashmë është funksionale, me gjithë infrastrukturën përcjellëse që u nevojitet bizneseve që ta kenë më të lehtë të bërit biznes. Jemi në një zonë ekonomike, e cila është 160 hektarë, ku janë të vendosur mbi 70 biznese dhe me një investim 2.6 milionë euro të MTI", u shpreh Shala.
Mes tjerash, Shala tha se janë duke investuar edhe në tri zona tjera ekonomike, me qëllim që të lehtësohen kushtet e të bërit biznes në Kosovë./KsP/