Zgjedhjet 2019

KOMF kërkon nga partitë politike që të adresojnë nevojat e fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) iu është adresuar partive politike duke iu rikujtuar disa fakte rreth situatës së fëmijëve dhe nevojës që një qeverisje e mirë t’i adresojë ato.

KOMF përmes një dokumenti “Një Kryeministër për Fëmijët” ka kërkuar adresimin e problematikave kyçe të fëmijëve në Kosovë, që kërkojnë zgjidhje emergjente.

Si koalicion me mision mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, KOMF u ka rikujtuar politikanëve nevojat kryesore të fëmijëve.

Përmes këtij dokumenti, KOMF ka kërkuar që asnjë fëmijë të mos kryejë punë të rënda, të investohet në zhvillimin në fëmijërinë e hershme, të aplikohen masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë qasje në shërbime shëndetësore, sociale dhe arsimore, të mbrohen fëmijët nga duhani dhe drogat, përmes zbatimit të legjislacionit dhe aplikimit të programeve parandaluese, si dhe që të investohet në avancimin e formave të mbrojtjes për fëmijët pa kujdes prindëror.

“Në Kosovë 6.8% e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme për të mbajtur familjen. 61.4% e fëmijëve kanë pësuar nga dhuna psikologjike apo ndëshkimi fizik. Vetëm 4.5 % e fëmijëve janë të përfshirë në institucione parashkollore të licencuara. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbimet. Duhani dhe drogat po rrezikojnë seriozisht shëndetin e fëmijëve. Shumë fëmijë pa kujdes prindëror, viktima të abuzimit kanë nevojë për strehim dhe shërbime”, thuhet në këtë dokument.