Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar pas deklaratave të kandidatit për kryeministër Nenad Rashiq, se po kërcënohen nga Beogradi, duke kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të fillojë hetimet zyrtare në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i jetës së Rashiqit dhe serbëve tjerë që janë në listën e linçimit verbal, transmeton kp.
KMDLNj thotë se në rrethanat aktuale, nën kërcënim të vazhdueshëm dhe serioz, deri në rrezikim të jetës, liderët serbë të Kosovës, si dhe votuesit e tyre, për shkak të pabarazisë që u janë nënshtruar, nuk mund të bëjnë fushatë të rregullt, nuk mund të takohen me qytetarë, votues potencialë madje as familjet nuk i kanë të sigurta.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së:
Nenad Rashiq, kandidat për kryeministër i Koalicionit “Slobodna” në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 shumë herë ka deklaruar se të gjithë politikanët serbë në Kosovë sikur edhe votuesit që nuk janë të bindur ndaj Beogradit dhe që nuk janë pjesë e Listës Serbe, marionetë e Serbisë në Kosovë, po kërcënohen nga Beogradi sikur që edhe po largohen nga vendi i punës për çka dha edhe shembuj konkretë, si me emra të të larguarve nga puna ashtu edhe në komunat ku kanë qenë të punësuar.
Ndaj udhëheqësve serbë të Kosovës, Nenad Rashiq, Sllobodan Petroviq, Rada Trajkoviq e të tjerë ka filluar një fushatë linçuese nga Beogradi zyrtar dhe marioneta e tyre në Kosovë , Lista Serbe.
Tash , sipas deklaratës së Nenad Rashiqit , linçimi verbal ka eskaluar deri në rrezikim të jetës së tij prandaj ka frikë se mund të vritet për shkak të përcaktimit politik të kundërshtimit të politikës zyrtare të Serbisë në Kosovë dhe ftesës që ua bënë serbëve të Kosovës që ardhmërinë e tyre ta kërkojnë brenda Kosovës dhe institucioneve të saj.
Nëse kemi parasysh faktin që në zgjedhjet paraprake në Kosovë janë sulmuar dhe rrahur fizikisht anëtarët e Partisë Liberale Serbe në Kosovë e që udhëhiqet nga Sllobodan Petroviq, atëherë kjo mundësi e përsëritjes së dhunës ka gjasa të mëdha të përsëritet edhe në zgjedhjet e 6 tetorit.
Linçimi publik dhe largimi nga puna, si hakmarrje për mosbindje politike ndaj politikës së Beogradit në Kosovë, për serbët që duan të jetojnë dhe integrohen në Kosovë është tregues bindës se dhuna verbale lehtësisht mund të eskalojë në dhunë fizike.
Në kohën midis dy zgjedhjeve në Mitrovicë, në rrethana të pasqaruara u ekzekutua Oliver Ivanoviq i cili botërisht kishte deklaruar se; “ më shumë është i rrezikuar nga serbët dhe Serbia, se nga shqiptarët ...!” Pastaj u ekzekutua dhe rasti mbeti i pandriçuar deri më tani. Shumë zyrtarë serbë që ishin pjesë e institucioneve të Kosovës, në mesin e tyre edhe Sllobodan Petroviq, lider i PLS u ndaluan në kufirin me Serbinë, u arrestuan për një kohë dhe u morën në pyetje nga Sigurimi Shtetërorë i Serbisë ( BIA ).
KMDLNj e merr shumë seriozisht deklaratën e kandidatit për kryeministër të Kosovës nga radhët e serbëve, z. Nenad Rashiq prandaj kërkon nga Prokuroria e Shtetit të fillojë hetimet zyrtare në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i jetës së zotit Rashiq dhe serbëve tjerë që janë në listën e linçimit verbal, sa për fillim, të Beogradit zyrtar dhe marionetës së quajtur Lista Serbe duke krijuar kushte të barabarta dhe jodiskriminuese për të gjithë garuesit potencialë për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 të cilët do të votonin për kandidatët dhe subjektet politike, sipas vullnetit të tyre dhe jo nën kushte të kërcënimit dhe të frikës.
Në rrethanat aktuale, nën kërcënim të vazhdueshëm dhe serioz, deri në rrezikim të jetës, liderët serbë të Kosovës si dhe votuesit e tyre, për shkak të pabarazisë që u janë nënshtruar, nuk mund të bëjnë fushatë të rregullt, nuk mund të takohen me qytetarë, votues potencialë madje as familjet nuk i kanë të sigurta. E drejta për votim të lirë dhe të pakushtëzuar është e drejtë elementare e njeriut e që në rastin konkret kemi të bëjmë me shkelje flagrante të kësaj të drejteje.
KMDLNj kërkon nga autoritetet kosovare që të ndërmarrin masa parandaluese në mënyrë që të mos merren pastaj me pasojat. Nëse nuk sigurohen kushte të barabarta, nëse nuk krijohen kushte të sigurta për fushatë dhe votim në përputhje me vullnetin për qytetarët serbë të Kosovës e që nuk janë të bindur ndaj Beogradit, KMDLNj do të konsiderojë se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë i kontestueshëm dhe se nuk do të duhej të pranohej.