Zgjedhjet 2019

Bislimi: Subjektet po e shohin vetën në opozitë prandaj janë bërë të zhurmshme

Shefi i Shtabit Zgjedhorë të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka thënë se koalicionin AAK-PSD nuk e sheh askund në pasqyrë prandaj refuzon të merret me ta.

Ai thotë se subjektet politike kanë filluar ta shohin vetën në opozitë, prandaj janë bërë të zhurmshme.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Haradinaj duhet të jetë i lumtur nëse di t’i arrijë deputetët që i ka pasur.

“Subjektet kanë filluar me pa vetën në opozitë e prandaj janë bërë të zhurmshëm. Unë ndjej edhe keqardhje për gjendjen në të cilën ndodhet PSD. Unë e di që AAK-PSD nuk i shoh askund në pasqyrë dhe kur afrohen në 8 deputetë diferencë, atëherë do të merrem me ta. Haradinaj duhet me qenë i lumtur nëse do të arrijë të i bëjë ata deputet që i ka pasur. Për mua është e parëndësishme PSD dhe në programin tonë nuk figuron”, ka thënë ai.

Bislimi tutje ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk i quan tradhtarë e as kriminel të gjithë ata të cilët janë larguar nga ky subjekt.

“Unë nuk dua të ndërtoj opinion për ta. Nga LVV ka dalë edhe Ilir Deda, Driton Çaushi, Besa Baftiu dhe ne nuk kemi thënë asgjë për ta”, ka thënë ai.

Sipas Bislimit të gjitha partitë duhet të konkurrojnë me ide e programe dhe jo me përleshje fizike derisa ka shtuar se subjektet politike po paralajmërojnë një opozitë të zhurmshme.

Ai ka thënë se Vetëvendosje ka të rinj, prandaj i dërgon në debate, duke shtuar se aderimet nuk i kanë marrë për t’i fshehur.

Sipas tij, aderimet e reja nuk janë pranuar për ta shkruar historinë, pasi që sipas tij, ajo është shkruar më herët.

Ai tutje shton se Vetëvendosje ka bërë programin dhe më 18 shtator do të shpaloset dhe se aderimet e reja duhet të pyetën për programet dhe jo për të kaluarën.

Ai tutje ka thënë se ata nuk e kanë akuzuar Dardan Molliqajn për sulm fizik ndaj anëtarit të VV-së Haki Abazit dhe një gjë të tillë e ka bërë policia.

Bislimi thotë se ka kërkuar qasje në videot të cilat kanë incizuar ngjarjen pas debatit, por se nuk ka pasur qasje.

Ai ka thënë se pas daljes nga emisioni, Abazi është sulmuar nga Molliqaj dhe shoqëruesi i tij.

“Nëse Abazi është rrëzuar, pse ka ikur ai, pse nuk është përgjigjur në thirrjet e policisë. Mua më shqetëson vendosmëria e Molliqajt sikur provat do të zhduken”, ka thënë ai duke shtuar se do të bëjnë kërkesë që Abazit t’i lejohet qasja në pamjet e kamerave.

Ai tutje ka thënë se Molliqaj bashkë me subjektin e tij politik nuk kanë rëndësi për të.