Arbëri

Opozita refuzoi ftesën e Qeverisë për takim, kritikon Kurtin për qasjen karshi dialogut

Partitë opozitare janë duke kritikuar Qeverinë për mungesë transparence sa i përket procesit të dialogut me Serbinë e kryeministrin Albin Kurti se nuk është duke synuar të ketë unitet politik. Ndonëse shprehet e gatshme për bashkëpunim, opozita ankohet për mosveprim në këtë drejtim nga Qeveria. Por, një ftesë të ekzekutivit për takim së fundmi e refuzuan.

Dy ditë pas dakordimit lidhur me Udhërrëfyesin për Energjinë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ua bëri një ftesë për takim grupeve parlamentare në Kuvend.

Në takim do të diskutoheshin detajet e lidhura me marrëveshjen e arritur më 21 qershor, shkruhet në ftesën që e ka siguruar KOHA dhe e cila u është dërguar PDK-së, LDK-së e AAK-së.

Por, ftesa e Bislimit u refuzua.

Abelard Tahiri i PDK-së ka thënë se njoftimi për një marrëveshje, pasi të arrihet ajo, është i pakuptimtë.

“Për ashtu duhet të vijë në seancë të raportojë në seanca dhe ta njoftojë Kuvendin e Kosovës. Nuk kemi nevojë të takohemi në një nivel të tillë, si shefa të grupeve parlamentare me një zëvendëskryeministër pasi të ndodhë. Ne do të duhej me u njoftu edhe para se me u arritë, do të duhej me ndodhë një takim, gjë që nuk ka ndodhur”, ka thënë shefi i deputetëve të PDK-së.

Tahiri ka adresuar kritika ndaj Qeverisë lidhur me qasjen që e ka karshi opozitës edhe sa i përket procesit të dialogut në tërësi.

E atij i bashkohen edhe partitë e tjera opozitare.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka deklaruar se nga kryeministri Albin Kurti nuk ka transparencë lidhur me bisedimet me Serbinë.

“Nga ky kryeministër nuk kemi çka të presim diçka tjetër për arsye se deri më tash nuk ka qenë transparent për asnjë marrëveshje. Normal, kur është çështja e Kosovës besoj që të gjitha partitë do të kenë unitet, mirëpo presim nga kryeministri që të marrë hapin i pari”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa në AAK kanë vlerësuar se me një qasje të tillë përmbyllja e procesit do të jetë e vështirë.

“Transparenca mungon, mungon veprimi me opozitën, bashkëpunimi me opozitën dhe ne mendojmë që Qeveria duhet të ftojë një kornizë të qartë për dialog dhe mos të bredhë në Bruksel pa e pasur mbështetjen e opozitës. Sepse dihet që çdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të vijë në Kuvend dhe i kërkon 2/3, që kjo Qeveri nuk i ka”, ka thënë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim nga zyra e zv.kryeministrit Besnik Bislimi lidhur me refuzimin që i është bërë e hapat për unitet sa i përket dialogut, por përgjigje nuk ka marrë.