2 perditesime
15:07

KQZ thotë se nuk mund t’i publikojë rezultatet e rinumërimit për shkak të ankesës së VV-së në Supreme

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë se KQZ nuk mund të i publikojë rezultatet e rinumërimit për shkak të një ankese në Gjykatën Supreme.

"Më lejoni t’iu informoj se kemi marrë konfirmim se në Gjykatën Supreme është parashtruar ankesë ndaj vendimit të një dite më herët të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, prandaj, rezultatet pas procesit të rinumërimit nuk mund t’i publikojmë në këtë fazë. Rezultatet nuk mund të publikohen pa një konfirmim, në këtë rast nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim", thotë ai.

Lexo edhe: PZAP-ja refuzon ankesën e VV-së për numërimin e 392 pakove të fundit me fletëvotime të diasporës

14:03

Vetëvendosje: Gjykata Supreme të vendosë për numërimin e 392 pakove me vota nga diaspora

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Gjykata Supreme të vendosë për numërimin e pakove me vota nga diaspora.

Sipas njoftimit nga kjo parti, për sa kohë që vazhdonte rinumërimi dhe ende pa u shpallur rezultatet, kanë kuptuar që në adresë të KQZ-së kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime të bashkatdhetarëve me të drejtë vote.

“Gjykata Supreme, në frymë dhe përmbajtje në dy raste të mëparshme ka konfirmuar të drejtën e votuesve nga mërgata që fletëvotimet e tyre të dërguara me kohë dhe para datës së zgjedhjeve, të numërohen dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, aktgjykimet e Gjykatës Supreme do të duhej të shërbenin si bazë e mjaftueshme që KQZ të bëjë edhe numërimin e këtyre 392 pakove, por pas refuzimit për t’i numëruar dhe refuzimit nga ana e PZAP-së për të urdhëruar KQZ-në, çështjen e kemi adresuar në Gjykatën Supreme.

Ata thonë se e drejta e votës si e drejtë kushtetuese dhe universale, duhet të mbrohet dhe të respektohet. Ndërsa çdo votë e ardhur në adresë të KQZ-së dhe e nisur nga votues të regjistruar dhe brenda afatit, duhet të numërohet dhe të përfshihet në rezultatin përfundimtar.

“Shumë shpesh disa palë të përfshira në proces kanë pretenduar se ankesat po e vonojnë certifikimin. Ju kujtojmë se faktori kryesor që ka shkaktuar këtë stërzgjatje të kalendarit të aktiviteteve të KQZ-së është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ka një numër të konsiderueshëm të vendimeve arbitrare të këtij institucioni, të rinumërimeve, ndërhyrjes në rezultat. Dhe ajo çfarë është më arbitrare, është mosrespektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Supreme lidhur me votat e mërgatës. Në kushte normale, do të kishte mjaftuar vetëm një vendim i Gjykatës Supreme, që për të gjitha rastet e njëjta të vendosjes në analogji nga ana e KQZ-së dhe PZAP-së”, thuhet tutje në njoftim.

Ata thonë se presin, që Gjykata Supreme të rikonfirmojë edhe njëherë këtë të drejtë dhe të urdhërojë numërimin e tyre pa humbur kohë.

12:37

PZAP-ja pranon një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas përfundimit të rinumërimit të 1407 vendvotimeve, deri në këto momente është dorëzuar vetëm një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, kryesuesi i sekretariat të PZAP-së, Mul Desku, i cili tha se që nga dje ky organ ka pranuar një ankesë nga LVV-ja e cila ka të bëjë me administrimin në QNR.

“Deri në këto momente kemi pranuar vetëm një ankesë lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Kjo ankesë është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe se së shpejti ky subjekt politik do njoftohet me vendimin e PZAP-së“, tha Desku.

Desku përmes telefonit i ka thënë KosovaPress-it, se që nga momenti kur ka filluar rinumërimi i vendvotimeve pas vendimit, kanë pranuar rreth 20 ankesa.

Subjektet politike që janë ankuar në PZAP, sipas kryesuesit të sekretariatit janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate.

E në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve bëjnë të ditur se presin afatin ligjor nëse ka ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, para se të procedojmë me publikimin e rezultateve pas procesit të rinumërimit.