Zgjedhjet 2019

Nisma kërkon që KQZ-ja të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet, jo vetëm 303

Descriptive Text

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se e kanë mirëpritur vendimin për rinumërim të 303 vendvotimeve për zgjedhjet e 6 tetorit, por ka shtuar se rinumërim duhet të bëhet për secilin vendvotim në vend.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot që për shkak të gabimeve në formularët e rezultateve preliminare të rinumërohen 303 vendvotime. Sipas Sherifit, formulari ishte i njëjtë në të gjitha kutitë e votimit në vend dhe ky fakt duhet të çojë në rinumërim të të gjitha kutive.

“Jam këtu për të shprehur kënaqësinë që KQZ-ja vendosi ashtu siç kemi pretenduar se ka pasur gabime në formularë. Përkundër PZAP-së, KQZ-ja pranoi gabimin dhe ka pranuar se kemi gabime në formularë, gabime teknike i quajnë ata, por ato gabime prodhuan gabime në bartjen e të dhënave në formularë. Jemi të kënaqur me fillimin e pranimit të gabimit. Askush nga Nisma s’po konteston rregullsinë e daljes së qytetarëve në votime. Deri këtu jemi në rregull, por kur janë hapur kutitë e janë numëruar votat e ka filluar bartja e tyre në formularët e rezultateve preliminare, janë bërë gabime të mëdha që rrezikon vërtetësinë e të dhënave. Sipas ligjit duhet të jetë një formular unik, jo dy. Nëse i shikojmë me kujdes, këtë dokumentacion, na del se kemi 3-4 formularë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka formularë ku komisionieri i ka dhënë vetes të drejtë që me shigjetë të tregojë cila shifër vlen për cilën parti. “Kjo është e padrejtë, s’ka të drejtë askush të prekë rubrika apo të bartë shigjeta”, ka thënë ai. Sherifi ka thënë po ashtu se janë edhe modele tjera gabimesh, ku komisionerët kanë tentuar të rregullojnë gabimet në formular, kur kanë shkruar emrat e partive, “duke çuar në kaos të vërtetë”.

“Duke pasur parasysh se kemi prekje të formularëve, 303 sot u vendos të rinumërohen. Por jemi të bindur sipas provave që kemi se të gjitha kutitë kanë të njëjtin formular. Nëse të gjitha e kanë të njëjtin formular, rrjedhimisht del që të gjitha duhet të shkojnë në rinumërim. Nëse për një arsye që u pranua nga KQZ-ja se ka gabime teknike, ku është arsyeja që të tjerat të mos shkojnë në rinumërim”, ka shtuar Sherifi.

Sipas tij, koalicioni Nisma-AKR-PD e kalon pragun edhe pa rinumërim. Ka thënë se rinumërimi ka të bëjë vetëm me besueshmërisë në proces.

Pas numërimit të plotë të votave të rregullta, Nisma ka arritur të marrë 39495 vota apo 4.96 për qind, duke mbetur nën pragun prej 5 për qind.