Zgjedhjet 2019

Subjektet serbe me dallime programore në garën zgjedhore

Foto: Koha

Katër subjekte politike serbe pritet të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit për 10 ulëset e garantuara për këtë komunitet në Kuvendin e Kosovës. E në rast se dalja e votuesve të komunitetit serb në zgjedhje do të jetë më e lartë, ata mund të marrin edhe më shumë mandate.

Sipas Kushtetutës, “në rast se numri i vendeve të fituara është më i vogël se dhjetë”, ata marrin vetëm vendet e garantuara.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrjen në garë e kanë konfirmuar: Partia e Pavarur Liberale, Partia e Serbëve të Kosovës, koalicioni “Liria” , si dhe Lista Serbe.

Lideri i Partisë së Pavarur Liberale, Slobodan Petroviq, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë që në programin e kësaj partie ka qenë dhe mbetet mbijetesa e bashkësisë serbe në këto hapësira, fuqizimi i kualitetit të jetës së njerëzve, siguria dhe fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë.

Rada Trajkoviq nga koalicioni Liria, i cili përshin disa faktorë politik serbë, thotë për Radion Evropa e Lirë, që prioriteti i parë i këtij koalicioni, përmes të cilit edhe do të jetë edhe i dallueshëm, është refuzimi kategorik i ndarjes së hapësirës së Kosovës, si zgjidhje për kontestin me Serbinë.

Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se angazhohet për një punë dhe veprimtari politike të serbëve që mendojnë lirshëm, në mënyrë që të luftohet për të drejtat e bashkësisë serbe, si dhe duke i rezistuar ndikimit dhe presionit të Beogradit zyrtar.

Në anën tjetër, pavarësisht insistimit për të marrë një përgjigje lidhur me programin që ofron Lista Serbe, zyrtarët e këtij subjekti politik, kanë qenë të pa qasshëm.

Por, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, të premten u ka thënë medieve që ky subjekt politik, sërish do ta ketë mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar, për këto zgjedhje.

Detajet mund t’i gjeni në artikullin e plotë në Radion Evropa e Lirë.