Dy lejlekë, Serafina dhe Mareci, kanë nisur shtegtimin nga Kosova në shtete të tjera, për të mbërritur së fundmi në Rumani e Egjipt. Fotografët Arian Mavriqi dhe Lulzim Demaj, deklaruan se lejlekët e zinj, janë autoktonë dhe u janë vendosur GPS për t’ua përcjellë shtegtimin.
“Kemi bërë histori sepse është për herë të parë në Ballkan, t’i vendoset lejlekut të zi një GPS dhe të ndiqen rrugët e shtegtimit. Ka qenë projekt që e kemi pasur ëndërr. Kemi synuar t’i vendosim GPS lejlekut të zi se cilat rrugë të shtegtimit i përdor. Tash, lejleku Serafina, e ka vagonin e fundit që të marrë një vendim për të vendosur kah të shkojë. Aktualisht është në Rumani, por moti do të jetë i ftohtë dhe i mbetet të vendosë se kah do të shkojë”, ka deklaruar Mavriqi.
Ai ka shtuar se lejleku i zi, Mareci, i ka përdor rrugët tokësore drejt Egjiptit, që janë më të lehta për të lëvizur.
“Ekzistojnë disa fise në Liban që i vrasin lejlekët. Momentalisht lejlekët janë në Egjipt, por kanë ende rrezik. Lejleku i zi nuk kthehet vitin tjetër. Nuk është pjekur seksualisht, por i mbetet të kthehet pas dy vjetësh në foletë e vjetra. Këta zogj vendosin të ndërtojnë një fole që të kthehen”, ka thënë Mavriqi.
Fotografi Demaj u shpreh se Mareci i ka përshkruar dymijë kilometra dhe të dhënat e GPS-it rifreskohen çdo 24 orë.
“Vendosja e GPS ishte për herën e dytë. Në tentimin e parë nuk arritëm të ngjitemi në folën. Me ndihmën e ekipit për kërkim shpëtim dhe të një kompanie kemi arritur të kemi qasje në fole”, ka thënë ai.