Rekomandimi për dhënien e statusit të kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, dhënien e “perspektivës evropiane” për Gjeorgjinë, dëshmon se në BE, kur ka vullnet politik, vendimet mund të merren me shpejtësi të madhe edhe në procesin e zgjerimit. Ajo që dikur dukej si e pabesueshme, u bë e mundshme. Një kthesë e tillë e të menduarit në BE, e nxitur nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, mund të shfrytëzohet për të lëvizur më shpejt integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE
Sikur Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia të kishin dashur para vetëm pesë muajsh të dorëzonin kërkesën për anëtarësim në BE, me siguri se do të merrnin këshilla që të mos e bënin një gjë të tillë. Sepse këto shtete, thoshin në BE, kanë “aspirata evropiane”, por BE-ja nuk u ka premtuar dhe nuk do të merr përgjegjësi për t’iu premtuar “perspektivë evropiane”.
Prapa këtyre dallimeve semantike qëndronte një politikë e krijuar për shumë vjet në BE rreth të ardhmes së procesit të zgjerimit. Sipas kësaj qasjeje, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të anëtarësimit në BE, por me këtë përfundon obligimi që BE-ja merr në procesin e zgjerimit. Natyrisht, këtu nuk llogariten vendet e pasura dhe të zhvilluara perëndimore si Zvicra, Norvegjia apo Islanda. Ato nuk duan, dhe sikur të donin do të mund të integroheshin shpejt në BE.
Zvicra nuk do dhe ka hequr dorë qëmoti nga ky qëllim. Norvegjia kishte kërkuar anëtarësim, kishte statusin e kandidatit, kishte kryer negociata, por qytetarët e saj kishin vendosur që vendi i tyre të mos hyjë në BE. Islanda nisi negociatat, por në mënyrë unilaterale u largua nga to dhe e njoftoi Brukselin se ia ka hequr vetvetes statusin e kandidatit.
Pra, kemi vetëm vende të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Lindore që duan të hyjnë në BE. Po ashtu edhe Turqinë, e cila i kishte nisur negociatat në vjeshtën e vitit 2005, por procesi i negociatave është bllokuar për gjashtë vjet. Pakkush beson se Turqia ndonjëherë mund të hyjë në BE.
Edhe pse disa herë u kishin premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor se do t’i integrojnë në BE, përfshirë edhe në Samitin e Selanikut në vitin 2003, asnjë vend i rajonit, me përjashtim të Kroacisë, nuk është afruar shumë në rrugën e realizimit të anëtarësimit të plotë si qëllim. Kroacia është i vetmi vend nga Procesi i Stabilizim-Asocimit i cili përmbylli ciklin duke u bërë vend anëtar në vitin 2013. Por edhe për Kroacinë procesi ishte më i vështirë dhe më i gjatë sesa me vendet që në BE hynë para saj.
Tash përnjëherë, me shpejtësi të paparë deri me tash në proces, vetëm tre muaj nga dorëzimi i aplikimit formal, Komisioni Evropian dha rekomandimin për t’ua dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, ndërsa “perspektivën evropiane” Gjeorgjisë.
Në këtë mënyrë, brenda pak muajsh, nga vendet që “nuk kishin perspektivë të integrimit në BE”, këto shtete dolën shumë, shumë para Kosovës që ka “perspektivë evropiane”, ndërsa Ukraina dhe Moldavia edhe para Bosnjë-Hercegovinës, e cila ka aplikuar për anëtarësim para më shumë se gjashtë vjetësh, por nuk ka akoma as rekomandim nga Komisioni Evropian për status kandidati.
Natyrisht se në BE do të thonë se “i kanë shqyrtuar kërkesat e këtyre shteteve sipas procedurave ekzistuese”. Por është më se e qartë se kësaj radhe kanë qenë motivet politike dhe strategjike që kanë ndikuar në mendimin e Komisionit Evropian. Madje shumë burime në Bruksel kanë konfirmuar se praktikisht edhe përgjigjet në Pyetësorin e BE-së i kanë shkruar në emër të Ukrainës dhe Moldavisë nëpunësit e BE-së.
Do të ishte e pabesueshme që në kohë lufte dikush në Ukrainë me atë shpejtësi të përgjigjej në atë pyetësor aq të detajuar. Kroacisë, për shembull, iu desh një vit për të marrë mendimin e Komisionit pas dorëzimit të aplikimit. Vendeve të tjera edhe më shumë, por asnjëherë më pak se një vit.
Por është mirë që BE-ja dëshiron Ukrainës dhe Moldavis t’ua japë statusin e kandidatit për qëllime politike dhe sipas prioriteteve politike. Kjo nuk do të thotë se shpejt ato do të hyjnë në BE. Në këtë mënyrë, BE-ja po ia kthen vetes rëndësinë gjeostrategjike dhe po e kupton se procesi i zgjerimit është proces i ndërtimit të paqes në kontinent e jo thjesht një proces formal, teknik, që zgjat me vite dhe e kryejnë burokratët.
Rekomandimi për dhënien e statusit të kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, dhënien e “perspektivës evropiane” për Gjeorgjinë, dëshmon se në BE, kur ka vullnet politik, vendimet mund të merren me shpejtësi të madhe edhe në procesin e zgjerimit. Ajo që dikur dukej si e pabesueshme u bë e mundshme. Një kthesë e tillë e të menduarit në BE, e nxitur nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, mund të shfrytëzohet për të lëvizur më shpejt integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.
BE-ja nuk do të duhej të fshihej prapa kushteve formale, e besa edhe të mos i përmbushë obligimet e veta kur ato kushte janë plotësuar. Kosova është shembull se si edhe kur i përmbush kërkesat e BE-së nuk merret vendimi. Kjo u dëshmua me liberalizimin e vizave. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shembull tjetër. I kanë përmbushur kushtet për nisjen e negociatave, por ato nuk kanë nisur. Mali i Zi nuk ka avancuar aq shumë, edhe pse për dhjetë vjet po negocion anëtarësimin në BE.
Sikur të zbatonte të njëjtat standarde, BE-ja nuk do të rekomandonte dhënien e statusit të kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë. Por sikur t’i kishte pasur të njëjtat standarde, as disa nga vendet që sot janë në BE nuk do të kishin hyrë në vitin 2004 apo 2007 si anëtare.
Por procesi i zgjerimit ka qenë dhe duhet të jetë proces i bazuar pikë së pari në interesa politike dhe strategjike. Sepse refuzimi i BE-së që të zgjerohet, qoftë me vendet e Ballkanit Perëndimor apo ato të Evropës Lindore, do të ishte dhuratë për aktorët e tjerë që duan të ndikojnë në këto hapësira, dhe me këtë ta rrezikojnë tërë kontinentin. Në fakt, Ukraina është gjeografikisht më afër Austrisë sesa që është Austria me Belgjikën. Dhe kjo luftë dëshmoi se pasojat e luftës nuk i ndien vetëm vendi që është në luftë, por e tërë Evropa. Hezitimi i BE-së ka ndikuar që Rusia të inkurajohet për të sulmuar Ukrainën dhe për të ushtruar ndikim negativ në Ballkan. Kjo tash është kuptuar dhe do të duhej të mbahej edhe pasi lufta të përfundojë. Të mos përsëritet shembulli me vendet e Ballkanit, të cilave iu premtua shumë pas luftës, ndërsa tash kanë negociuar aq shumë me pjesën tjetër të Evropës.