Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Zbatimi i vendimeve të Konferencës për Ndryshimet Klimatike

Shkalla e sfidës klimatike nuk mund të mbivlerësohet. Përballja me të do të kërkojë një kombinim të lehtësimit, të ndërtimit të qëndrueshmërisë dhe të përshtatjes, të mundësuar nga partneritetet strategjike, nga shkëmbimi efektiv i njohurive dhe nga ofrimi i mbështetjes adekuate financiare dhe njohurive teknike. Afrika po e kryen hisen e saj. Edhe pjesa tjetër e botës duhet që ta bëjë të njëjtën – duke nisur nga COP27

Konferenca e këtij nëntori e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP27) do të ndodhë në një kohë trazirash ekonomike dhe gjeopolitike që prekin sigurinë e ushqimit, shëndetin publik dhe shumë më tepër. Por sfidat e menjëhershme me të cilat përballemi nuk duhet të na shpërqendrojnë nga një e vërtetë e pakundërshtueshme: beteja e vetme më e rëndësishme me të cilën do të përballet brezi ynë është lufta kundër ndryshimeve klimatike.

Në fillim të vitit, reshjet ekstreme të shiut e shkaktuan njërën prej fatkeqësive më vdekjeprurëse të këtij shekulli në Afrikën Jugore. Sot, përmbytjet më të rënda në historinë e Pakistanit e kanë lënë një të tretën e vendit nën ujë. Larg prej të qenët dukuri të çuditshme, ngjarjet e tilla të rënda të motit po shndërrohen në një normale të re. Ekspertët besojnë se reshjet ekstreme të shiut tani janë dyfish më të mundshme, për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat kanë shpjerë gjithashtu te format e tjera të shkatërrimeve, siç janë thatësirat dhe zjarret në pyje.

Afrika është veçanërisht e cenueshme karshi këtyre efekteve. Sipas kryeekonomistit të Bankës Afrikane për Zhvillim (AfDB), ndryshimet klimatike po i kushtojnë kontinentit me rreth 5 deri në 15 për qind të rritjes së PBB-së. Teksa koha po kalon, këto humbje mund të rriten ndjeshëm, teksa bujqësia e pëson më së tepërmi. Kjo do të kishte pasoja shkatërruese jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për sigurinë e ushqimit.

Shumica po e quajnë COP27-shin – i cili do të mbahet në Sharm El-Sheikh të Egjiptit – si “COP e Afrikës”. Por ne në Afrikë parapëlqejmë që ta shohim më tepër si “zbatimi i COP-sës”, si një takim që do të shkojë përtej aspiratave të larta dhe premtimeve të paqarta për ta jetësuar një agjendë gjithëpërfshirëse të orientuar drejt rezultateve. Dhe, po, kjo agjendë duhet ta përfshijë ofrimin e mbështetjes më të madhe – financiare dhe tjetër fare – për Afrikën, e cila i ka kontribuuar më së paku ndryshimit të klimës.

Për t'i dhënë jehonë kryetarit të AfDB-së, Akinwumi Adesina, ne afrikanët nuk vijmë për të lypur; ne vijmë me burime dhe me zgjidhje. Ne tanimë po ndërmarrim veprime konkrete për ta përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe për ta mbrojtur veten nga efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike.

Sa për dijeni, vendet afrikane po e përqafojnë energjinë e gjelbër. Viteve të fundit, kapaciteti i kontinentit për energji të ripërtëritshme është rritur theksueshëm, duke e përfshirë rritje vjetore dyshifrore në energji diellore, të erës dhe të ujit. Afrika është vatër e dy prej projekteve më të mëdha diellore në botë (në Egjipt dhe Marok) dhe dy prej 20 kompanive të Afrikës me rritjen më të shpejtë në vitin 2022 janë të përfshira në biznesin e energjisë diellore. Nga Nigeria deri në Namibi, vendet po e përqafojnë teknologjinë miqësore me klimën, si hidrogjeni i gjelbër.

Komisioni i Unionit Afrikan është i angazhuar plotësisht në luftimin e ndryshimeve klimatike në shumë fronte. Mandati i Komisionit të AU-së për Bujqësinë, për Zhvillimin Rural, për Ekonominë Blu dhe për Mjedisin e Qëndrueshëm (ARBE) është zgjeruar për ta reflektuar rëndësinë e ndërtimit, përshtatjes dhe lehtësimit të qëndrueshmërisë. ARBE-ja ka punuar në një sërë projektesh definuese me organizatat partnere, duke përfshirë në elaborimin e Strategjisë së AU-së për Ndryshimet Klimatike. Kohëve të fundit edhe i ka kontribuuar zhvillimit të një strategjie të integruar për udhëheqjen e zhvillimit dhe të zbatimit të shërbimeve për motin dhe klimën në Afrikë.

Në ndërkohë, agjencitë e specializuara të AU-së, si Grupi Afrikan i Kapacitetit të Rrezikut (ARC), po i ndihmojnë vendet afrikane që të përfitojnë nga sistemet e bazuara në teknologji për paralajmërim të hershëm dhe të sistemeve të gatishmërisë për përmirësimin e qëndrueshmërisë së tyre. Organizata bashkëpunon ngushtësisht me qeveritë për forcimin e kapaciteteve të tyre në mbrojtje të jetëve dhe në mbështetje të rindërtimit të infrastrukturës së dëmtuar si rrjedhojë e fatkeqësive natyrore. Nëpërmjet ARC Limited, një filial ky i sigurimeve i Grupit, ai ofron sigurime parametrike kundër ngjarjeve ekstreme të motit.

Nga ana e saj, AfDB-ja e ka zhvendosur vëmendjen e saj – si dhe burimet – drejt ndryshimeve klimatike. Në vitin 2020, 63 për qind e fondeve të AfDB-së kanë shkuar për projekte që ndërlidhen me përshtatjen karshi ndryshimeve klimatike, si hisja më e madhe e çdo institucioni financiar zhvillimi. Sivjet, Banka ka bërë zotimin për ndarjen e edhe 12.5 miliardë dollarëve të tjerë për financim të përshtatjes klimatike nëpërmjet Programit të Përshpejtimit të Përshtatjes së Afrikës (AAAP) - një organ ky me shumë hisedarë, i drejtuara nga Afrika dhe i themeluar më 2021.

Nevojat e Afrikës për financimin e përshtatjes llogaritet të jenë 52.7 miliardë dollarë në vit, deri në vitin 2030. Caku i financimit të AAAP-së ishte caktuar të jetë 25 miliardë dollarë, me ç’rast vendet e pasura pritet ta përbëjnë pjesën tjetër. Por, ani se Afrika u qepet pas – dhe i financon – veprimet klimatike, përkushtimi i komunitetit ndërkombëtar vazhdon të jetë i mangët.

Dhe përkushtimet janë vetëm hapi i parë. Ne e lavdërojmë suksesin e Qeverisë britanike, në COP26 të mbajtur vitin e shkuar në Glasgow, për mobilizimin jo vetëm të komunitetit ndërkombëtar, por edhe të sektorit privat dhe të shoqërisë civile, duke grumbulluar kësisoj zotime rekord për financimin e klimës. Mirëpo një vit pas kësaj, shumë prej këtyre zotimeve mbetën vetëm kaq: premtime.

Mbase nuk duhet të jemi të befasuar. Tekefundit, në COP të 2009-s në Kopenhagë, vendet e pasura u zotuan që t’i ndajnë 100 miliardë dollarë fonde vjetore për t’i ndihmuar vendet në zhvillim drejt avancimit të objektivave të lehtësimit dhe përshtatjes deri në vitin 2020. Dy vjet pas datës së caktuar, përkushtimet e vendeve të pasura mbeten kryesisht të papërmbushura.

Kjo është arsyeja përse ne bëjmë thirrje për prezantimin e mekanizmave të përmirësuar për monitorimin dhe për gjurmimin e përkushtimeve për financim në klimë. Nuk duhet të jetë e vështirë që të ndërlidhen afatet e qarta kohore dhe zbatimi i standardeve gjer në zotime. Proceset e qasjes në këto fonde duhet gjithashtu të thjeshtohen.

Do të jetë thelbësore që në COP27 të zhvendoset vëmendja nga vendimet në veprim. Nuk na nevojiten më shumë marrëveshje për përparimin e ardhshëm. Përkundrazi, ne duhet t’i përkthejmë të arriturat e samiteve të mëhershme në një bashkëpunim global mbi veprimin gjithëpërfshirës të klimës. Për shembull, iniciativat për forcimin e menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë duhet të kenë një qasje gjithëpërfshirëse, duke mbuluar gjithçka që prej mobilizimit të burimeve dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm e deri te transferimi i teknologjisë dhe ngritja e kapaciteteve.

Qasja më gjithëpërfshirëse është po ashtu e nevojshme në Afrikë, gjë kjo që nuk është vetëm tejet e çmueshme për ndryshimet klimatike, por ka edhe nevoja të konsiderueshme zhvillimore. Një qasje e këtillë do të kërkojë shpenzim të konsiderueshëm kapitali, i cili nuk mund të financohet duke marrë hua pa i shtyrë drejt krizës vendet afrikane tashmë të prekura nga borxhi.

Përtej përmbushjes së angazhimeve të financimit, akterët ndërkombëtarë duhet të ofrojnë një përzgjedhje më të gjerë të opsioneve të financimit për të gjitha vendet afrikane, pavarësisht pozitës së tyre financiare. Kjo përpjekje duhet ta përfshijë sektorin privat. Për ta mbështetur zbatimin, vendet afrikane do të kenë nevojë për qasje në mbështetjen adekuate teknike.

Shkalla e sfidës klimatike nuk mund të mbivlerësohet. Përballja me të do të kërkojë një kombinim të lehtësimit, të ndërtimit të qëndrueshmërisë dhe të përshtatjes, të mundësuar nga partneritetet strategjike, nga shkëmbimi efektiv i njohurive dhe nga ofrimi i mbështetjes adekuate financiare dhe njohurive teknike.

Afrika po e kryen hisen e saj. Edhe pjesa tjetër e botës duhet që ta bëjë të njëjtën – duke nisur nga COP27.

(Josefa Leonel Sacko është komisionare për Bujqësinë, Zhvillimin Rural, Ekonominë Blu dhe Mjedisin e Qëndrueshëm në Komisionin e Bashkimit Afrikan. Kevin Kariuki është zëvendëspresident për Energjinë, Klimën dhe Rritjen e Gjelbër në Bankën Afrikane të Zhvillimit. Ibrahima Cheikh Diong, ndihmëssekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, është drejtor i përgjithshëm i Grupit të Kapacitetit të Rrezikut Afrikan. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

Artikuj të ngjashëm