Gjatë javës doli një vendim i Supremes, të cilin vendosa të mos e lexoja fare. Pse të lodhesha, kur e dija me siguri se do të lajmëroheshin së paku dy ekonomistë që do t’ia jepnin interpretimin autentik..., të sojit të një analize financiare nga një kimist apo diagnoze mjekësore nga një jurist
“Thuaji Flakës të mos bëhet nervoz”. Kjo qe porosia e një deputeteje të pushtetit të deritanishëm që m’u përcoll gjatë javës.
Ironike. Porosia që të mos bëhem nervoz vjen prej dikujt që është pjesë e krejt skemës që është duke m’i tëholluar nervat që nga fillimi i vitit. Thuajse jemi në një ëndërr të keqe – kjo kolumne publikohet në të tretën e fundit të muajit të parë të pjesës së dytë të këtij viti.
Pra, thuajse shtatë muaj të plotë, dhe Kosova në gjumë të thellë. Ta merr mendja krejt punët i kemi aq mirë, sa nuk na bëhet vonë për asnjë gjë të vetme.
Edhe në situatën hipotetike që të mos bëhesha nervoz me gjithë cirkun dëshpërues që detyrohemi ta përcjellim çdo ditë të lume, nuk do të kisha si të mos bëhesha nervoz me faktin se këta 120 cirkusantë na i hanë nga 223.080 euro në muaj vetëm për pagat bazë që ua njeh ligji. Pra, për tre muaj sa janë paguar që nga certifikimi i tyre, 669.240 euro i kanë marrë nga buxheti për përafërsisht pesë minuta punë çdo të dytën ditë. Gjithsej 240 minuta, apo katër orë.
Dhe këtu nuk po ua llogaris zyrtarët personalë e as mbushjet e telefonit: madje 30 euro në muaj. Heej! Tridhjetë euro. Po get krejt bisedojnë nëpërmjet Starlinkut.
Njëmend, në vend se të bëhesha nervoz, do të duhej të ndihesha e lumtur.
* * *
Gjatë javës doli një vendim i Supremes, të cilin vendosa të mos e lexoja fare. Pse të lodhesha, kur e dija me siguri se do të lajmëroheshin së paku dy ekonomistë që do t’ia jepnin interpretimin autentik. Për shkak se për vendime gjyqësore në këtë vend, më së paku duhen juristë.
Pra, sipas njërës ekonomiste, Supremja thotë se s’mund të jesh edhe deputet edhe ministër. Sipas tjetrit ekonomist, askush asgjë nuk di, për shkak se nuk di të lexojë asnjë aktgjykim. Pra, edhe një veprim në listën e gjatë të talljeve që u bëhen qytetarëve, të cilët, ja nuk kanë qëlluar ekonomistë, për të ditur t’ua japin interpretimin cilitdo vendim, cilitdo aktgjykim.
Është për keqardhje, pra keqardhje shumë të madhe, që brenda VV-së të mos gjendet asnjë jurist i vetëm që do të mund ta jepte një interpretim profesional për çfarëdo. Mbase për shkak se e kanë një xhoker të gjithëdijshëm, ministrin në detyrë të Financave, që stilin e ka si vijon: njëherë del dhe i kryqëzon gjykatësit dhe e kritikon vendimin; mandej të nesërmen, me plotësime e ndryshime, na tregon se askush nuk di ta lexojë aktgjykimin e Kushtetueses, pos tij natyrisht. Dikur në fund na e bën me dije se partia e tij do ta ankimojë këtë vendim në Kushtetuese.
Natyrisht, kritika që i bëhet për përçmimin e një vendimi gjyqësor është e fuqishme dhe rrjedh nga partitë opozitare dhe shoqëria civile. Dhe kritika ka themel – vendimet gjyqësore duhen, sidomos nga politikanët, të respektohen, të pranohen dhe të ankimohen po qe se ka bazë.
Fundja, pakënaqësia me gjyqtarët dhe sistemin gjyqësor ka mundur të zgjidhej me vetingun e shumëpremtuar. Por ai, as mbas thuajse pesë vjetësh, nuk u realizua. Si shumë premtime të tjera.
* * *
Një kritikë e ngjashme por shumë më e matur ndaj një vendimi gjyqësor erdhi të nesërmen, nga po ata që e kritikuan Muratin një ditë më herët.
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e refuzoi parashtresën e përbashkët të mbrojtjes kundër aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për rastin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Dhe PDK-ja doli me deklaratë se “rasti e përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet mbi të cilat ajo duhet të qëndrojë: objektiviteti, paanshmëria dhe e vërteta”.
Ta quash Specialen gjykatë ndërkombëtare më së paku i takon PDK-së, votueses kryesore në Kuvend për themelimin e saj, mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Dhomat e veçanta janë gjykatë e Kosovës – së cilës deputetët e pushtetit të atëhershëm dhe me këmbënguljen e Hashim Thaçit, ia dhanë mundësinë që të punësonin vetëm gjykatës e prokurorë të huaj. E të mos lejonin madje që as përkthyesit të jenë kosovarë.
Vendimet e gjykatës së krijuar me duart tona, e thotë parimi, duhen të respektohen.
* * *
Pra, duke e respektuar traditën, edhe unë i bashkohem karvanit të kritikave ndaj vendimeve gjyqësore. E ky ka të bëjë një formë mujshare e vjedhjes së parasë publike, me letra e me vulë.
Pasi që më 2021 Gjykata Themelore kishte vendosur t’i lironte të gjithë nga akuza, Apeli e kishte kthyer rastin në rigjykim. Kësaj radhe dhe shtatë vjet pas ngritjes së aktakuzës, Themelorja mori vendimin që dhjetë nga të akuzuarit: ish-kryeministri Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, të dënoheshin me nga një vit burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Vetëm nga një vit secili për 88 milionë të shpërdorura atëherë.
Tash nuk e di a ka kush na tregon se sa milionë të shpërdorur janë bërë. Ndoshta gjendet ndonjë agronom që mund të na e bëjë llogaritjen, meqë në këtë vend ekonomistët interpretojnë ligje, e juristët merren me mjekësi.
Menjëherë pas këtij aktgjykimi, u lajmërua ai të cilin ish-kryeministri Haradinaj e kishte quajtur “Hajni i pulav’” (kjo në konsistencë me të sharat dhe akuzat që i bëhen gjyqësorit nga politika), prokurori, i emigruar, i rastit, Elez Blakaj.
Blakaj shkroi në FB:
Pas gati 7 viteve, Gjykata Themelore në Prishtinë paska marrë vendim për rastin e veteranëve!
Për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur si dhe për ata që kanë futur duart në rast, mos u bëni merak, sepse Apeli e kthen rastin përsëri në rigjykim!
Miq, ky më poshtë është ligji me të cilin është bërë kategorizimi i veteranëve të UÇK-së, për të cilin qëllimisht anëtarët e Komisionit Qeveritar dhe avokuesit e tyre kanë tentuar të manipulojnë opinionin publik.
Neni 3 i Ligjit Nr. 04/L-261 – Përkufizimet
1.3. Veteran i UÇK-së – pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës si:
1.3.1. Invalid i luftës së UÇK-së – luftëtari, pjesëtari dhe i internuari (i burgosuri) i UÇK-së, i cili ka pësuar plagë, lëndime (dëmtime) fizike dhe psikike apo sëmundje të rënda gjatë luftës ose në burgjet dhe kampet e armikut, gjatë periudhës së luftës, me shkallë të invaliditetit së paku 10%.
1.3.2. Veteran luftëtar i UÇK-së – qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandat, shtabet e zonave operative të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, dhe ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.
1.3.3. I internuar i UÇK-së – secili person i cili, për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së, është arrestuar gjatë periudhës 1997–1999 dhe mbajtur në burg nga forcat e Serbisë.
1.3.4. Pjesëtar i UÇK-së – çdo person i cili, me vendim apo akt tjetër, është caktuar të kryejë detyra konkrete në mbështetje politike, logjistike, financiare dhe detyra të tjera, të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, gjatë periudhës 1997–1999.
1.3.5. Pjesëmarrës në luftë – ushtari që është radhitur në radhët e UÇK-së, ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive për të kontribuar në luftë, por për arsye të ndryshme i ka lëshuar radhët e UÇK-së para përfundimit të luftës.
1.3.6. Ushtar i zhdukur (i pagjetur) i UÇK-së – veterani ose pjesëtari i UÇK-së, fati i të cilit ende nuk është zbardhur.
Të gjitha këto kategori të lartcekura janë veteranë dhe duhet të vlerësohet e respektohet kontributi i secilit!
Sipas Ligjit Nr. 04/L-261, të gjitha kategorive të sipërpërmendura u garantohen beneficione dhe përparësi, por PAGESË/PENSION, sipas këtij ligji, marrin vetëm Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së — dhe pikërisht KJO pagesë/pension ka qenë pika e kthesës ku procesi ka devijuar seriozisht!
Përkufizimi dhe kategorizimi i lartcekur është produkt 100% i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së, i cili në fazat e mëvonshme të verifikimit, bashkë me mekanizmat e tij, e ka zbatuar këtë ligj sipas dëshirës!
Miq, manipuluesit dhe avokuesit e tyre qëllimisht e përdorin vetëm shprehjen VETERANË në debate publike, me qëllim që të krijojnë mjegull dhe shfajësim, duke e shmangur kategorizimin e tyre, ani pse e dinë shumë mirë që pension, sipas këtij ligji, marrin vetëm dy kategori: Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së.
Kështu thotë ligji e të tjerat janë dëshira, e para se të bëhej ligj ka thënë ky Komision, i cili më vonë është penduar... por ka qenë vonë!
VAZHDON!
* * *
E po të ishte vetëm kaq...
...nuk po ma zë kolumna pjesën që do të duhej t’ia kushtoja gjendjes në QKUK dhe dyshimeve shumë serioze për keqpërdorime milionëshe të lidhura me listën esenciale... dhe mirë që nuk ka hapësirë..., sepse prapë nesër ma kishin nisur porosinë e njëjtë: “Thuaji Flakës të mos bëhet nervoz”...