Arbëri

Mushkolaj: S’do të ketë vonesa, institucionet mund të formohen shpejt

Po vazhdon procesi i rinumërimit të votave nga vendvotimet në Kosovë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, teksa deri tash në shtatë komuna ka përfunduar ky proces.

Vendimi për rinumërimin e të gjitha votave ka nxitur debat se mund të shtyjë afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Por, Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë se nuk do të ketë vonesa pasi i gjithë procesi shkon shpejt.

“Edhe deri në mesin e shkurtit, por procedurat që parashikohen me Ligjin për Zgjedhjet janë tejet të shkurtra, i gjithë procesi shkon shpejt. Nuk duhet të harrojmë se në krye të secilit institucion kemi përfaqësuesit e partive politike që janë të betuar të veprojnë në interesin më të mirë të Kosovës. Vonesa nuk mund të ketë sepse po bëhet rinumërim teknik nga zyrtarë të emëruar nga institucioni, të cilët nuk e kanë një numër kushedi çfarë për shkak të vetë madhësisë së shtetit. Procedurat janë tejet të shpejta, kështu që institucionet mund të formohen relativisht shpejt”, ka deklaruar ajo në “60 Minuta”.

Mushkolaj ka theksuar se nuk duhet të lejohet mundësia që të mos ketë formim të institucioneve para shkurtit.

“Nuk duhet të ekzistojnë ndonjë mundësi që ne ta presim përfundimin e muajit shkurt pa Kuvend të konstituuar, pa qeveri të zgjedhur. Meqë populli tash është nagazhiar që të mos ketë probleme të tilla, ne kemi mundësi ti shohim përpjekjet edhe të partisë që e ka shumicën”, ka shtuar ajo.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të gjitha votat nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të rinumërohen, pas evidentimeve të manipulimeve me vota mes kandidatëve të subjekteve politike.

Ndërkaq, mandati i presidentes Vjosa Osmani do të përfundojë në prill.