Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, ka kritikuar qasjen e presidentes Vjosa Osmani në raport me situatën e bllokuar institucionale, duke vlerësuar se ajo është dashur të veprojë më herët për të parandaluar thellimin e krizës.
Sipas saj, fillimisht do të kishte qenë e udhës që të respektohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 26 qershor sipas afateve të përcaktuara që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditësh. Por meqë kjo nuk ka ndodhur, Mushkolaj ka thënë se presidentja është dashur të ndërmarrë veprime konkrete pasi kishte kaluar gjysma e afatit kushtetues. Osmani dërgoi kërkesë në Kushtetuese vetëm para tri ditësh, më 22 korrik, duke kërkuar interpretim për pasojat juridike nëse s’konstituohet Kuvendi deri më 26 korrik.
Mushkolaj tutje pati kritika edhe që Osmani nuk i ka shteruar të gjitha mundësitë për zgjidhjen e konstituimit të Kuvendit.
“Derisa presidentja ka pushtet të madh, ajo bart edhe përgjegjësi të madhe – duhet të kujdeset për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve. Deri tani, nuk kemi parë që ky pushtet është ushtruar me vigjilencën e nevojshme. E dimë sa e vështirë është të zgjidhet presidenti i Kosovës. Kjo është e qëllimshme sepse presidenti duhet të ketë autoritet të tillë që të ketë ndikim mbi institucionet për të garantuar funksionimin demokratik. Ne nuk e dimë a i ka shterë të gjitha mundësitë presidentja”, ka thënë Mushkolaj në “60 Minuta” KTV-së.
Ajo gjithashtu ka komentuar edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se precedenti i vitit 2014 që grupi më i madh parlamentar propozon kryetarin e Kuvendit ka kufizuar të drejtën e deputetëve për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe të lirë.
“Që nga ai precedent, deputetët janë detyruar të jenë pjesë e një grupi parlamentar të caktuar, që është përkthyer si parti apo koalicion, dhe kjo ka pamundësuar ndërtimin e grupeve të reja parlamentare sipas vullnetit të tyre”, u shpreh ajo.
Mushkolaj theksoi se megjithëse shpesh vendimet e Kushtetueses kanë qenë befasuese, aktualisht përbërja e gjyqtarëve është më e ndjeshme ndaj pasojave që mund të vijnë nga interpretimet juridike, veçanërisht sa i përket sigurisë nacionale – “ndryshe nga gjenerata e parë që ishim ne”.
Duke folur për krizën aktuale, ajo paralajmëroi se nëse nuk respektohet afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, vendi përballet me një krizë të sundimit të ligjit.
“Kur 100 deputetë nuk arrijnë të konstituojnë veten, çfarë mund të presim prej tyre për çështje më të thella që prekin jetën e qytetarëve?”, përfundoi ajo.
Nesër në ora 14:00 do të bëhet përpjekja e fundit për konstituim të Kuvendit para përfundimit të afatit kushtetues. Dje, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme ndaj deputetëve për çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor. Kjo ndalesë vlen nga 27 korriku deri më 8 gusht.