“Nëse gratë nuk janë të sigurta, askush nuk është i sigurt”, më thanë gratë e guximshme në Ukrainë. “Gra, jetë, liri”, është ajo që kanë kënduar gratë në Iran. Duke jehuar në mbarë botën, këngët e tyre janë një himn guximi. Nëse mbledh forcë për vitin 2023, atëherë atë e marr nga gratë e guximshme sikurse ato, pa marrë parasysh nëse janë nga Kongoja, Irani, Afganistani apo Ukraina. Kënga e tyre është himni ynë. Guximi i tyre është matësi ynë. Kauza e tyre është thirrja jonë – jo vetëm që të jemi të sigurt, por edhe të ndërmarrim guxim, të bashkuar për njerëzimin
Si mund të jemi optimistë për vitin 2023? Teksa kemi hyrë në vitin e ri, një luftë shkatërruese po zhvillohet në kontinentin evropian. Lufta e agresionit të Rusisë ka shkaktuar një plagë shkatërrimtare larg përtej Evropës, duke e përkeqësuar krizën ushqimore dhe energjetike në pjesë të mëdha të Afrikës, të Lindjes së Mesme dhe të Azisë. Më shumë se 800 milionë burra, gra dhe fëmijë përnatë shkojnë në shtrat të uritur. Emergjenca klimatike po e thellon këtë dhimbje, duke ndezur konflikt në mbarë botën dhe duke ua grabitur njerëzve tokën, shtëpitë dhe sigurinë e tyre.
Si mund të jemi optimistë në kohë të këtilla të frikshme pasigurie? Unë fuqimisht besoj se, si liderë të përgjegjshëm botërorë, ne thjesht nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse ta përballojmë vitin me një ndjenjë të fortë besimi se mund të nxisim ndryshim për t’i përmirësuar jetët e njerëzve. Jo përkundër kësaj “stuhie të përsosur” krizash – por për shkak të saj.
Nelson Mandela dikur i pati përshkruar momentet kur besimi i tij në njerëzimin ishte sprovuar, porse, megjithëkëtë, nuk i ishte dorëzuar dëshpërimit. “Një pjesë e të qenit optimist është të mbash kokën dikujt drejt diellit, këmbët e dikur drejt ecjes përpara” – kësisoj e pati përshkruar.
Për të shikuar përpara dhe për të qëndruar në shtegun e duhur, të bindur në atë se çfarë mund të arrijmë po qe se jemi të bashku – kjo është, sipas mendjes time, ajo që duhet të na udhëheqë në këtë vit të ri. Dhe nuk po e them këtë nga pozicioni i një shprese naive. E them me bindjen e një ministreje të Jashtme që ka mësuar nga shumë instanca – rëndom të vështira – përgjatë 12 muajve të fundit se sa mund të arrijmë nëse lejojmë që solidariteti dhe humanizmi t’i udhëheqin veprimet tona dhe nëse e mbrojmë atë në të cilën besojmë.
Kjo është pikërisht mënyra se si iu përgjigjëm luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës – të bashkuar, në Evropë, përgjatë Atlantikut dhe në botën mbarë – me qëndrimin tonë të qartë kundër çnjerëzimeve të luftës, me mbështetjen tonë për Ukrainën, me sanksione kundër makinerisë së luftës së Rusisë, dhe me investime në sigurinë tonë.
Edhe Koha për unitetKy unitet i jashtëzakonshëm nuk ishte i mirëqenë. Më shumë se 140 shtete u shprehën kundër agresionit të Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në mars – nga veriu në jug, nga lindja në perëndim – që të gjitha të ndryshme për nga historitë, politikat dhe kulturat tona. Ajo që na bashkon është një kauzë e përbashkët – që ta bëjmë atë që qytetarët tanë e presin nga ne: që ta bëjmë palëkundësisht të qartë se, në rrethana të padrejtësisë, ne nuk do të jemi neutralë. Do të mbajmë anë – për drejtësia për gruan e përdhunuar në Bucha, për vrasjen e dirigjentit të orkestrës në Kherson dhe për vogëlushin e detyruar që të largohej nga shtëpia e tij në Ukrainën lindore. Sepse ne mund të ishim ata dhe ata mund të ishin ne. Dhe sepse, po qe se do ta lejonim këtë luftë agresioni të kalonte, atëherë askush, askund, nuk do të mund të flinte i qetë përderisa jeton nën frikën e të sulmuarit një fqinj më i madh.
Forca jonë është në unitetin tonë. Të bashkuar për njerëzimin – është kjo bindja e thellë që ma jep besim për vitin në vazhdim.
Për këtë, ne duhet të jemi dëgjues më të mirë. Ky është një mësim tjetër vendimtar që kam nxjerrë nga muajt e fundit – jo vetëm në aspektin e partnerëve tanë në Evropë, por gjithashtu edhe në Afrikë, Azi, në Amerikën Latine dhe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme.
Kur diskutoja mbi luftën e Rusisë me shumë prej këtyre partnerëve, shpesh e dëgjoja ndjenjën pasuese: “Dëshironi që të qëndrojmë me ju tani që ka një luftë në Evropë. Po ku ishit ju vitet e fundit, kur ne ishim në grahmat e konfliktit?”
I dëgjoj këto shqetësime. Dhe përnjëmend besoj se duhet të jemi të gatshëm që në mënyrë kritike t’i vëmë në dyshim veprimet tona dhe angazhimin tonë të mëparshëm në botë. Ne gjithashtu duhet të dëgjojmë me vëmendje kur partnerët tanë na thonë se sa e vështirë është ta reduktojmë varësinë e tyre, qoftë ushtarakisht, politikisht apo ekonomikisht. Kjo është një sfidë e madhe. Në Gjermani ne po shohim se si kostoja e tejkalimit të varësisë sonë po rëndon në portofolin e qytetarëve tanë. Për shumë partnerë, prerjet presin më thellë dhe, për ta, ngritja e mburojave mbrojtëse shumëmiliarda eurosh thjesht nuk është e mundur.
Partnerët tanë duhet të dinë se mund të mbështeten tek ne. Një koleg ministër i jashtëm më tha së fundi: “Na nevojiten partnerë të përkushtuar, jo partnerë që duan vetëm të na kënaqin”. Ky duhet të jetë parimi ynë udhëzues.
Mesazhi ynë i qartë është se ne nuk po ia kthejmë shpinën botës ngase në lagjen tonë ka një luftë. Përkundrazi, ne po shohim se si po kjo luftë po shkakton vuajtje në të gjithë globin, ngase Rusia po e frenon qasjen te eksportet e grurit të Ukrainës dhe po përhapë gënjeshtra se kënd duhet fajësuar për mungesat.
Përgjigjja jonë ishte më efektive kur ka qenë më e përbashkuara. Ishte OKB-ja, bashkë me partnerët tanë turq, që e negociuan rihapjen e porteve ukrainase të grurit. G7-ta, e cila i bashkon demokracitë ekonomikisht të forta, dedikoi mbi 14 miliardë dollarë deri në qershorin e 2022-s për të ndihmuar në zbutjen e dhimbjeve të atyre që kanë më shumë nevojë, dhe Gjermania mbetet donatori i dytë më i madh humanitar në mbarë botën. Ky solidaritet më jep besim. Por nuk mjafton.
Programi Botëror i Ushqimit duhej të reduktonte racionet ushqimore në Jemen, Somali dhe Sahel. Çdo shkurtim do të nënkuptojë që një fëmijë tjetër mbetet i uritur. Dhe nëse sheh djalin apo vajzën tënde të uritur, nuk mund të luftosh për demokraci, të drejta apo liri. Kjo është arsyeja përse, me të hyrë në këtë vit, ne nuk duhet të lëkundemi në mbështetjen tonë të përbashkët.
Në të njëjtën kohë, ne do të mbledhim partnerë për të trajtuar një nga shkaqet më të rënda themelore të krizës ushqimore: urgjencën klimatike. Për miliona njerëz në mbarë botën, kjo krizë përbën një kërcënim konkret për jetën e tyre. Kam dëgjuar nga gratë në Malin verior sesi thatësira po shkatërron të korrat e tyre, po i largon fermerët nga shtëpitë e tyre dhe po i përkeqëson konfliktet për tokën dhe burimet. Në Palau, një peshkatar më çoi në plazhin e tij lokal, duke më treguar se si rritja e nivelit të detit mund ta gëlltisë shtëpinë e tij në më pak se dhjetë vjet, duke i marrë shtëpinë, sigurinë dhe jetesën e tij.
Edhe
Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë
Në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP27), takova një aktivist nga Chadi, i cili më tha: “Ndërsa ne po flasim, vendi im është nën ujë, nëna ime ka humbur shtëpinë e saj, motra ime ka humbur shtëpinë e saj, kushërinjtë e mi kanë humbur shtëpitë e tyre”.
Kriza klimatike dëmton, vret dhe zhvendos. Është një kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën e njeriut. Është një padrejtësi e hapur që vende, si Chadi dhe Palau, vuajnë kaq shumë nga kjo krizë, ndërkohë që nuk kanë kontribuar pothuajse gjë në krijimin e saj.
Si vende të industrializuara, që janë kryesisht fajtore për krizën, ne kemi një përgjegjësi të veçantë për të ndihmuar në zbutjen e saj, për të reduktuar emetimet dhe për të mbajtur rrugën e 1.5° celsius brenda mundësive. Sepse çdo e dhjeta e shkallës më pak në ngrohjen globale do të thotë stuhi, përmbytje dhe thatësira më pak intensive – dhe kështu më shumë siguri.
Kjo është arsyeja përse ishte një hap vendimtar përpara që hapëm një kapitull të ri për drejtësinë klimatike në COP27. Tani u takon emetuesve të mëdhenj që ta paguajnë pjesën e tyre për humbjet dhe dëmet klimatike që po shkaktojnë në shtetet më të cenueshme. Këtu nuk bëhet fjalë për bamirësi; bëhet fjalë për drejtësinë. Është diçka që shtetet ishullore veçanërisht të vogla e kanë kërkuar për dekada – dhe me të drejtë. Këtë vit, më në fund dërguam një mesazh të qartë: Ju dëgjuam. Kuptuam. Dhe tani, do të veprojmë.
Në urgjencën klimatike, si dhe në konflikte dhe kriza të tjera, më të rrezikuarit janë ata që vuajnë më shumë: gratë, fëmijët, të moshuarit dhe grupet e margjinalizuara. Besoj fuqimisht se të drejtat e grave janë një matës për gjendjen e shoqërive tona. Në regjimet autokratike ata janë rëndom të parët që japin. Dhe nëse e bëjnë, kjo është një shenjë e më të keqes që do të vijë. Ajo prej së cilës regjimet autokratike kanë më së shumti frikë është kur gratë ngrenë zërin.
Nëse gjysma e popullsisë shtypet, asnjë shoqëri apo ekonomi nuk mund të lulëzojë. Kjo është arsyeja përse, për qeverinë time, një politikë e jashtme feministe që promovon të drejtat e barabarta të secilit prej nesh në shoqëritë tona është një çështje thelbësore e sigurisë së fortë. Ajo do të jetë e dukshme në Strategjinë tonë të Sigurisë Kombëtare që po e hartojmë aktualisht.
“Gratë janë viktimat e para të luftës, por vetëm ato mbajnë çelësin unik të paqes”. Kështu shprehet aktivistja kongoleze e të drejtave të njeriut, Julienne Lusenge.
“Nëse gratë nuk janë të sigurta, askush nuk është i sigurt”, më thanë gratë e guximshme në Ukrainë.
“Gra, jetë, liri”, është ajo që kanë kënduar gratë në Iran. Duke jehuar në mbarë botën, këngët e tyre janë një himn guximi.
Nëse mbledh forcë për vitin 2023, atëherë atë e marr nga gratë e guximshme sikurse ato, pa marrë parasysh nëse janë nga Kongoja, Irani, Afganistani apo Ukraina.
Edhe
Deklarata e përbashkët e liderëve të NATO-s: Sulmi ndaj njërit, sulm ndaj të gjithëve
Kënga e tyre është himni ynë. Guximi i tyre është matësi ynë. Kauza e tyre është thirrja jonë – jo vetëm që të jemi të sigurt, por edhe të ndërmarrim guxim, të bashkuar për njerëzimin.
(Annalena Baerbock është ministre e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).