OpEd

Stabilitokracia, premtimi për reformë dhe meritokracia I

Që prej vitit 2001, kur janë mbajtur zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës në Kosovë, Bashkësia Ndërkombëtare, e cila kishte ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në administrimin e Kosovës, por edhe në procesin politik në Kosovë, e ka imponuar konceptin e stabilokracisë në qeverisjen e vendit, si një metodë për ta ruajtur stabilitetin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës. Kështu, edhe partitë kryesore politike të Kosovës, e përqafuan këtë stil qeverisjeje dhe stabilitokracia u shndërrua në fjalën kyç të politikëbërjes në Kosovës.

Sipas një raporti të Institutit të njohur holandez, Klingendael, stabilitokracia është një “regjim hibrid, semi-autokratik, me mangësi të dukshme demokratike dhe tendencë autoritare, që premtojnë stabilitet pro Bashkimit Evropian dhe marrin legjitimitet nga jashtë. Ky është vetëm njëri prej përkufizimeve të stabilitokracisë, i cili i analizon sistemet stabilitokratike në Ballkanin Perëndimor. Studiuesi i njohur, Florian Bieber, e përkufizon stabilitokracinë si një “regjim që manifeston ngecje në qeverisje demokratike, por që gëzon legjitimitet të jashtëm, duke ofruar një stabilitet të supozuar (imagjinar-vërejtja e ime)”.

Në linjë me këto definicione të stabilitokracisë, UNMIK-u dhe shtetet më me ndikim në Kosovë, të prira nga SHBA-ja, e promovuan koalicionin e parë qeverisës, një koalicion të madh (Grand Coalition), të përbërë nga LDK-ja si fituese e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, PDK-ja, AAK-ja, Koalicioni serb ‘Povratak’ (Kthimi) dhe partitë që i përfaqësonin komunitetet e tjera joshumicë, siç ishin definuar në Kornizën Kushtetuese të vitit 2001. Ky koalicion mbështetej në ndarjen e posteve kyç – atë të presidentit, kryetarit të kuvendit dhe kryeministrit në mes të dy partive kryesore (LDK dhe PDK) si dhe ndarjen pak a shumë proporcionale të pozitave ministrore. Edhe pse vendimet në qeveri dhe në parlament merreshin me shumicë votash, stabilitokracia ruhej me ndërhyrjet e shpeshta të krerëve të UNMIK-ut në vendimmarrjen legjislative dhe ekzekutive. Këto ndërhyrje madje bëheshin edhe për t’i anuluar rezolutat jo të obligueshme, të cilat i aprovonte Kuvendi i Kosovës.

Në vitin 2004, në kundërshtim me doktrinën e stabilitokracisë, LDK-ja dhe AAK-ja u dakorduan për një koalicion qeverisës, duke e lënë PDK-në, që ishte partia e dytë, në opozitë. Kjo marrëveshje koalicioni në mes të LDK-së dhe AAK-së, po ashtu bazohej në ndarjen e posteve kryesore: përderisa presidenti dhe kryetari i kuvendit i takuan LDK-së, AAK-ja, edhe pse parti minore, arriti ta merrte postin e kryeministrit. Ky koalicion nuk e kishte rrugën e shtruar me lule. Përkundrazi, mospajtimet dhe mëritë sa vinin e rriteshin, për shkak të ndërrimeve të shpeshta të kryeministrit, që ndodhën si pasojë e akuzës për krime lufte nga Tribunali i Hagës ndaj kreut të AAK-së dhe njëkohësisht, kreut të parë të ekzekutivit, Ramush Haradinaj, në fillim të vitit 2005. Pas tij, postin e kryeministrit vazhduan ta mbanin të nominuarit e AAK-së: së pari Bajram Kosumi, dhe pas dorëheqjes së tij, Agim Çeku. Ky koalicion u mbijetoi mospajtimeve në mes të partnerëve të koalicionit falë një koalicioni të madh e paralel, që u mishërua në Ekipin e Unitetit, ku ishin të përfaqësuara edhe partitë opozitare, PDK-ja dhe Ora. Ekipi i Unitetit kishte për mandat t’i negocionte kushtet për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Bashkësia Ndërkombëtare, dhe në këtë kontekst qeveria legjitime ra nën hijen e vendimmarrjes së Ekipit të Unitetit, që kryesohej nga Presidenti i Kosovës dhe, njëkohësisht, lideri i LDK-së, Fatmir Sejdiu. Në kushtet e bisedimeve që udhëhiqeshin nga OKB-ja, Kosovës i nevojitej stabiliteti i brendshëm, dhe kjo e ruajti të gjallë koalicionin qeverisës në mes të LDK-së dhe AAK-së. Pra, ishte stabilitokracia ajo që e determinoi jetëgjatësinë e këtij koalicioni, i cili, për shumëkë brenda LDK-së ishte i papranueshëm, për shkak se marrëveshja e arritur ndërmjet ish-Presidentit dhe liderit të LDK-së, Ibrahim Rugova, dhe liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, ia linte udhëheqjen e ekzekutivit dhe disa prej posteve kyç ministrore, kësaj të fundit, gjë që shihej nga shumëkush në LDK me një dozë jo të vogël të pakënaqësisë.

Stabilitokracia ishte arsyeja e lidhjes së koalicionit në mes të PDK-së së udhëhequr nga Hashim Thaçi, dhe LDK-së së udhëhequr nga pasuesi i Rugovës, Fatmir Sejdiu. Ishte kjo periudha kur Kosova do ta miratonte kushtetutën dhe pakon e ligjeve të dakorduara gjatë bisedimeve për statusin final të Kosovës, të udhëhequra nga ish-Presidenti finlandez dhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, për këto bisedime, Marti Ahtissari. Stabiliteti u sigurua përmes dominimit legjislativ të PDK-së, si partia e parë, dhe LDK-së si partia e dytë e dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2007. Në këtë konstelacion, Kuvendi i Kosovës arriti ta aprovojë kushtetutën dhe pakon e ligjeve që e kushtëzonin njohjen e pavarësisë së saj. Mos të harrojmë se Kosova e shpalli pavarësinë e cila ishte e kushtëzuar në një periudhë tranzitore, e cila zgjati deri në vitin 2012. Megjithëkëtë, koalicioni në mes të PDK-së dhe LDK-së ra posa u aprovua legjislacioni madhor dhe kushtetuta, që tregon për panatyrshmërinë e këtij koalicioni jetëshkurtër, por që siguroi një stabilitokraci, sado jetëshkurtër që qe ajo.

Ky sistem i stabilitokracisë prodhoi edhe anomali politike, sepse partitë udhëheqëse filluan ta merrnin pushtetin që ua jepte qytetari për të qenë dhe filloi një periudhë kur qeverisja në Kosovë akuzohej me të madhe për korrupsion, nepotizëm, klientelizëm, mungesë të debatit demokratik, përjashtim të qytetarëve nga vendimmarrja, etj. Nga rektorët e universiteteve, e deri tek anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, emëroheshin me ndikim të drejtpërdrejtë politik. Dyshimet për kurdisje të tenderëve e për favorizime politike ishin të bazuara dhe të përditshme. Sistemi i stabilitokracisë degradoi në një qeverisje ku shteti ishte në shërbim të pushtetarëve e jo qytetarëve, dhe partitë kryesore politike, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja identifikoheshin me këtë sistem.

Kjo ishte një kohë e përsosur për një parti e cila e kundërshtonte sistemin në fjalë. Lëvizja Vetëvendosje mori pjesë në zgjedhjet e vitit 2011 dhe doli e treta në zgjedhje. LVV-ja ishte një parti e cila aktivisht e sfidonte jo vetëm pushtetin e partive të tjera, por edhe vetë sistemin e stabilitokracisë. Përmes këtij aktivizmi, LVV-ja arriti që brenda një kohe të shkurtër, në vitin 2019, të dalë partia e parë në zgjedhjet parlamentare. Lindja dhe dominimi i partive antisistem është shumë mirë i faktuar në literaturën e shkencës politike, sidomos në vendet me sistem konsosacional të ndarjes së pushtetit ndërmjet grupacioneve dhe traditave të ndryshme politike. Parti të tilla kanë ardhur në pushtet edhe në Belgjikë, në Holandë, Austri, e gjetiu. Partitë antisistem, siç është LVV-ja, janë në rritje në mbarë Evropën.

Me hyrjen në koalicion me LDK-në, në vitin 2020, LVV-ja i sfidoi rregullat e etabluara të stabilitokracisë, duke marrë vendime pa konsultime paraprake me partnerin e koalicionit. Kështu, ky koalicion ishte jetëshkurtër dhe u zëvendësua me një koalicion të ri, në mes të LDK-së, AAK-së, NISMA-s, AKR-së dhe Listës serbe. Megjithëkëtë, Gjykata Kushtetuese e shpalli jo të ligjshëm mandatin e kryeministrit Hoti në dhjetor 2020, dhe kjo i dha shtysë edhe më të madhe kërkesës popullore për ta zëvendësuar stabilitokracinë me një sistem tjetër që e premtonte LVV-ja. Ky premtim i LVV-së konsistonte, në vija ta trasha, ne reforma të thella të sistemit të drejtësisë, luftën e pakompromis kundër korrupsionit, konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme etj.

Ky premtim reformues u pa si alternativë e duhur për stabilitokracinë dhe u identifikua me LVV-në, e cila në fushatën e zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2021, premtoi reforma të thella strukturore dhe qeverisje pa korrupsion, nepotizëm e kilentelizëm, si dhe luftim të ashpër të korrupsionit. Kjo i siguroi kësaj partie antisistem mbi 50% të votave, që iu dhanë për t’i përmbushur premtimet e saj se do ta luftonte sistemin stabilitokratik, i cili në sytë e qytetarëve ishte komprometuar aq shumë, saqë duhej zëvendësuar me një sistem tjetër: atë të reformimit, që do të ishte uverturë e një sistemi meritokratik, ku çdo parti do të merrte po aq vota sa kishte kontribuuar në prosperitetin e vendit dhe mirëfunksionimin e shtetit në shërbim të qytetarëve. Pra, lojaliteti partiak i qytetarëve do të zëvendësohej me votë e cila di të shpërblejë, por di edhe të ndëshkojë.

Kështu, Kosova, në vitin 2021, hyri në një periudhë të paparë deri atëherë: vendi qeverisej nga një parti në koalicion me partitë joshumicë, që është obligim kushtetues, pa nevojë që për çdo politikë publike të negociojë pa fund me partnerët e tjerë të koalicionit. Ishin këto katër vjetët e mundësisë së madhe të LVV-së për ta dëshmuar veten si një parti e cila do ta kthente dëshpërimin qytetar në optimizëm për trazimin e një rruge reformuese e proevropiane, ku shtetësia e Kosovës do të forcohej, por do të fuqizohej edhe qytetari si individ me peshë në vendimmarrjen publike.

Për këto katër vjetët e kaluar dhe për mundësitë e huqura apo të realizuara të LVV-së do të shkruaj në javën e ardhshme, në pjesën e dytë të kësaj kolumneje, duke i përfshirë edhe sfidat postzgjedhore, sa kanë arritur të reformohen partitë ish-opozitare, si dhe për periudhën e ardhshme që e pret Kosovën.