Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Situata politike në Kosovë: Momenti para stuhisë

Ky shkrim tenton të analizojë shkurtimisht situatën politike në Kosovë, që ka kaluar nga zgjedhjet e parakohshme, në tetor 2019, në një qeveri të re, në shkurt 2020, që u rrëzua në më pak se dy muaj në rrethana të dyshimta, dhe përpjekjet e presidentit Thaçi me një pjesë të partive politike për krijimin e një qeverie të re.

Kjo analizë ndjek një kronologji, ku së pari fokusi është në atë se çfarë ndodhi me qeverinë Kurti, ligjshmërinë e asaj çfarë po ndodh në javët e fundit me përpjekjen për krijimin e qeverisë së re, dhe çfarë duhet të ndodhë në lidhje me qeverisjen në Kosovë.

Çfarë ndodhi me qeverinë Kurti?

Pas më pak se dy muaj qeverisjeje, më datë 25 mars 2020, Parlamenti i Kosovës miratoi me 82 vota mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Kurti. Mocioni nuk u iniciua nga opozita, por nga Lidhja Demokratike e Kosovës, forca e dytë qeverisëse. Preteksti ishte mosheqja e tarifave ndaj mallrave serbe prej kryeministrit Kurti dhe shkarkimi i ministrit të Brendshëm, Veliu, nga radhët e LDK-së, si pasojë e mosmarrëveshjes lidhur me atë se a duhej shpallur gjendje e jashtëzakonshme apo jo në Kosovë për të përballuar pandeminë e Covid-19. Përpara se të vihej tek mocioni i mosbesimit, ambasadori i SHBA-së në Gjermani, kryetari në detyrë i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, dhe i dërguari special i presidentit Trump për Serbinë dhe Kosovën mbi bisedimet për paqen, z. Grenell kishte dhënë disa ultimatume në rrjetin social Twitter për heqjen e menjëhershme të tarifave ndaj mallrave serbe. Një mënyrë kjo aspak diplomatike për të trajtuar qeverinë e një shteti mik dhe që u kritikua mjaft ashpër nga z. Engel, kryetar i Këshillit për Punët e Jashtme të Kongresit të SHBA-së në një deklaratë të 27 marsit 2020. Padurimi i ambasadorit Grenell lidhet kryesisht me interesat e ngushta të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku presidentit Trump i duhet një fitore diplomatike në fushatën e tij për t’u rizgjedhur për periudhën 2020-2024, pas dështimit spektakolar me Korenë e Veriut dhe iniciativave të tjera, përfshirë edhe planin e paqes mes Izraelit dhe Palestinës.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se kryeministri Kurti e trashëgoi tarifën 100% nga qeveria Haradinaj dhe po merrte masa për largimin e saj me dy faza dhe me futjen e parimit të reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë. Pas shumë vjetëve negociatash me Serbinë dhe humbjen e disa pikave strategjike nga qeveritë e mëparshme, kryeministri Kurti kishte paralajmëruar një strategji të re. Kjo nuk u vinte për shtat disa aktorëve të rëndësishëm politikë që kishin fjetur mbi dafina për shumë vjet, për t’u zgjuar me disfata në anëtarësimin në disa organizata ndërkombëtare (UNESCO e INTERPOL), çnjohje nga disa vende, dhe kërkesa për lëshime të mëtejshme nga Serbia. Kuptohet, asnjë prej këtyre aktorëve nuk pranon ndonjë përgjegjësi për këto disfata diplomatike gjatë qeverisjes së tyre, por zotohet ta bëjë Kosovën fushë me lule sapo të kthehet prapë në qeveri. Ndërkohë që në shumë qarqe diplomatike vitet e fundit gjithnjë e më shumë është trumbetuar nga Serbia e aleatët e vet se Serbisë i duhet dhënë diçka për humbjen e Kosovës, nuk e ka ndihmuar çështjen e Kosovës që Ministria e Punëve të Jashtme e saj ka qenë e drejtuar nga njerëz që gjerësisht janë konsideruar nga politikanë të huaj si pastrues parash, kriminelë lufte, apo thjesht poshtë dinjitetit të një zyre të tillë. Asnjë prej këtyre dëmeve ndaj zhbërjes apo dobësimit të ngadalshëm të shtetësisë së Kosovës nuk mund t’i faturohet kryeministrit në detyrë, z. Kurti, ndërkohë që mund t’u faturohet në masë të ndryshme të gjitha partive që kanë qenë në drejtim prej vitit 2008-2020, e që tani presin të krijojnë bashkërisht qeverinë e re.

Edhe Kurti për Foreign Policy: Nëse e neglizhon historinë, ajo të kthehet keq Arbëri Kurti për Foreign Policy: Nëse e neglizhon historinë, ajo të kthehet keq

Çfarë po ndodh me qeverisjen në Kosovë

Pas mocionit të mosbesimit, presidenti Thaçi ia ka dërguar disa letra kryeministrit Kurti për të emëruar një kryeministër të ri. Ndërkohë VV-ja dhe Kryeministri Kurti ngulin këmbë që Qeveria në detyrë të qëndrojë deri në zgjedhjet e ardhshme. Çuditërisht, edhe pse LDK-ja inicioi mocionin e mosbesimit, ajo nuk i ka tërhequr ministrat e vet nga Qeveria. Kjo është e pashpjegueshme, kur pas negociatave të koordinuara nga presidenti Thaçi dhe mbledhjes së Kryesisë së ngushtë të LDK-së, ish zv-kryeministri i shkarkuar, Avdullah Hoti, parashikohet të emërohet si kryeministër i ri. Çfarë thotë e drejta kushtetuese e Kosovës në këtë rast?

Janë katër nene dhe disa paragrafë me rëndësi për këtë situatë ku ndodhet sot qeverisja e Kosovës, përkatësisht neni 84 mbi kompetencat e presidentit, neni 94 mbi kompetencat e kryeministrit, neni 95 mbi zgjedhjen e kryeministrit, dhe neni 100 mbi mocionin e votëbesimit. Neni 84 i Kushtetutës rreshton kompetencat e presidentit të Republikës së Kosovës, që duhet thënë se janë të shumta dhe reflektojnë rolin e rëndësishëm të tij si kreu i shtetit dhe (potencialisht) si përfaqësues i unitetit të popullit të Kosovës. Me rëndësi për situatën e tanishme janë tre paragrafë të këtij neni. Sipas paragrafit (3), presidenti shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë të tij. Sipas paragrafit (14), presidenti cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit. Sipas paragrafit (22), presidenti vendos për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, në konsultim me kryeministrin, pra kjo është një kompetencë e ndarë.

Gjendja e jashtëzakonshme: Presidenti apo kryeministri

Mosmarrëveshjet mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Thaçi lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme lidhen kryesisht me ushtrimin e kompetencave në Këshillin e Sigurisë. Sipas nenit 84(23), presidenti mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe i kryeson ato në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa sipas nenit 94(5) është kryeministri që kryeson Këshillin e Sigurisë së Kosovës në raste të tjera. Sa i përket shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme lidhur me pandeminë, shtete të ndryshme kanë zgjedhur rrugë të ndryshme. Në Ballkan, Maqedonia e Veriut e shpalli e para gjendjen e jashtëzakonshme, pasuar nga Serbia. Shqipëria nuk e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, por atë të fatkeqësisë natyrore. Është e qartë, sidoqoftë, se në një republikë parlamentare si kjo e Kosovës, kryeministri dhe Qeveria janë më afër situatës dhe kanë kompetencat e nevojshme për t’u përballur me pandeminë, nën kontrollin e Parlamentit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 6 prillit 2020 përcakton qartë edhe raportin mes Qeverisë dhe Parlamentit sa i përket mënyrës së kufizimit të të drejtave të njeriut në kuadër të luftimit të pandemisë, ku vendimet e Qeverisë duhen bazuar në ligjet përkatëse nga Parlamenti.[1] Duhet thënë se në bazë të informacionit publik mbi efektet e pandemisë në Kosovë, qeveria Kurti ka demonstruar se ka bërë një punë të mirë në përballimin e saj, krahasuar me qeveritë e tjera në rajon e më gjerë, dhe duke pasur parasysh edhe mundësitë e kufizuara të burimeve njerëzore dhe financiare në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe ministrit Vitia.

Qeveri në detyrë apo qeveri të re?

Neni 100 i Kushtetutës përcakton lidhjen e Qeverisë me Parlamentin përmes mocionit të votëbesimit. Me rëndësi këtu është fakti që sipas paragrafit (6), nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje. Neni 95 i Kushtetutës përcakton mënyrën e zgjedhjes së qeverisë. Ndërkohë që Kushtetuta është pak a shumë e qartë se çfarë ndodh në zgjedhjen e qeverisë në fillim të mandatit të parlamentit, paragrafi (5) përcakton se “Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.” Në këtë rast kryeministri Kurti pavarësisht se nuk ka dhënë dorëheqjen, qeveria konsiderohet në dorëheqje, sipas nenit 100(6) dhe ajo mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një qeverie tjetër.

Edhe SHBA-ja e dogji kredibilitetin e përpjekjes së Grenellit për fitore të madhe të politikës së jashtme, me rrëzimin e Qeverisë së Kosovës OpEd SHBA-ja e dogji kredibilitetin e përpjekjes së Grenellit për fitore të madhe të politikës së jashtme, me rrëzimin e Qeverisë së Kosovës

Çfarë thotë praktika e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me këtë? Në një vendim të korrikut 2014, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një mendim në lidhje me kompetencat e presidentit në procedurën e zgjedhjes së kryeministrit.[2] Gjithsesi, në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese nuk shprehet për procedurën në kushtet e vakancës apo qeverisë në detyrë, sipas nenit 95(5). Gjithashtu, në një vendim të shtatorit 2019, Gjykata Kushtetuese, edhe pse para një kërkese paraqitur nga kryeministri i dorëhequr, z. Haradinaj, nuk sqaroi se çfarë ndodh në situatën e krijuar në rastin e një qeverie në dorëheqje dhe kompetencat e saj.[3] Pra, në këtë rast është e vështirë që të përcaktohet me siguri të plotë juridike se cilat janë hapat e mëtejshëm. Nuk ndihmon as fakti që Kushtetuta e Kosovës nuk është formuluar qartësisht dhe historiku i përgatitjes së saj dhe neneve përkatëse lidhur me këto situata nuk është ruajtur nga Kuvendi apo nuk gjendet.

Çfarë duhet të ndodhë me qeverisjen në Kosovë

Së pari, duhet që palët të mos marrin vendime të ngutshme në një situatë kur vendi dhe e gjithë bota përballet me një situatë pandemie. Sidomos presidenti Thaçi duhet të kthehet në rolin e vet si përfaqësues i unitetit të popullit dhe të mos ndjekë hapa që çojnë në konfrontim mes palëve. E njëjta vlen edhe për kryeministrin Kurti dhe VV-në dhe partitë e tjera politike. Ka dy rrugë për të dalë nga kjo situatë, të dyja ligjërisht të mundshme, përkatësisht vazhdimi i qeverisë në detyrë, ose zgjedhja e një qeverie të re nga Kuvendi.

Vazhdimi i qeverisë në detyrë

Rruga e parë është vazhdimi i qeverisë në detyrë, edhe pse pa shumicën në parlament, gjatë periudhës së pandemisë dhe zgjedhjeve të parakohshme sapo të krijohen kushtet, me shumë gjasë në fund të vitit 2021. Vullneti i popullit të Kosovës në zgjedhjet e tetorit 2019 ka qenë që VV-ja dhe z. Kurti ta drejtojnë Qeverinë e Kosovës. Dy arsyet pse LDK-ja inicioi mocionin e mosbesimit ishin heqja e tarifës dhe shkarkimi i ministrit Veliu. Arsyeja e parë ndërkohë ka rënë me heqjen e tarifës nga kryeministri Kurti, të paktën sa i përket asaj pjese që dëmton ekonominë e Kosovës. Arsyeja e dytë, pavarësisht se shkarkimi i z. Veliu nuk duhet të ishte ndodhur pa konsultim paraprak me LDK, sipas nenit 94(4) të Kushtetutës, kryeministri i ndërron anëtarët e Qeverisë pa pëlqimin e Kuvendit. Pra, kryeministri drejton qeverinë dhe ka të drejtën kushtetuese të ketë në ekip persona që gëzojnë besimin e tij. LDK-ja mund të sugjerojë dikë tjetër në atë pozicion. Kjo zgjidhje e përkohshme përkon edhe me situatën e pazakontë të inskenimit të rrëzimit të qeverisë, ruan balancat politike dhe respekton vullnetin e popullit të Kosovës shprehur në tetor 2019. Ndërkohë LDK-ja vazhdon të jetë në qeveri dhe mund të caktojë një person tjetër si ministër të Brendshëm dhe si zv.kryeministër.

Zgjedhja e një qeverie të re

Edhe The Economist për Kosovën: Një vend jostabil u bë edhe më i pasigurt Arbëri The Economist për Kosovën: Një vend jostabil u bë edhe më i pasigurt

Rruga e dytë, edhe kjo me bazë ligjore, është që të zgjidhet një qeveri e re, në vend të qeverisë në detyrë. LDK-ja dhe disa parti të tjera, me inkurajimin e presidentit Thaçi, kanë zgjedhur të ndjekin këtë rrugë. Ndonëse nga ana ligjore qeverinë, pas krijimit të qeverisë së parë mund ta krijojë ajo forcë që siguron shumicën në parlament, është e çuditshme që LDK-ja pranon të futet në koalicion me parti që ajo gjatë fushatës elektorale i ka vlerësuar si të korruptuara apo që në mënyrë implicite i ka akuzuar për eliminimin fizik të disa prej figurave të veta politike. Një qeveri e tillë do të shtrembëronte vullnetin e popullit, i cili në tetor 2019 qartësisht votoi për një ndërrim të qeverisë nga “krahu i luftës” në një qeveri koalicioni mes VV-së dhe LDK-së. Se çfarë do të ndodhë në vijim lidhur me qeverisjen e Kosovës mbetet për t’u parë. Gjithsesi, një qeveri e re mes LDK-së dhe partive të tjera parlamentare, që kthen VV-në nga forcë e parë qeverisëse në opozitë, do të marrë kosto të mëdha politike në zgjedhjet e reja që do të bëhen, në mos më herët, pas tre vjetësh e gjysmë, sipas afatit ligjor. Për të mos folur për mundësinë e shpërthimit të pakënaqësisë popullore dhe reagimin negativ ndaj një qeverie të tillë që mund të sjellë pasoja të rënda për stabilitetin në Kosovë dhe Ballkan.

Autori është drejtor i Qendrës Norvegjeze për të Drejtat e Njeriut, Universiteti i Oslos dhë anëtar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut, Organizata e Kombeve të Bashkuara.