Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Si rrezikoi Kosova të kthehej në vitin zero?

Ishin disa vendime të kryeministrit aktual e të qeverisë së tij, të cilat Kosovën brenda natës e shndërruan në një vend problematik. Kryeministri e presidentja nuk insistuan në lidershipin amerikan për marrëveshjen e madhe për njohje me Serbinë, që do të nënshkruhej në Washington dhe kjo rrezikoi gjithë procesin

Shumë herë gjatë historisë e posaçërisht gjatë viteve ‘90, Kosova si një vend i shtypur e i okupuar nga një regjim i egër e antishqiptar, është parë nga bota si një vend që dëshpërimisht, por me vendosmëri e kërkonte dhe luftonte për lirinë e vet, fillimisht me rezistencë paqësore e më pas edhe me armë.

Pikërisht pse ajo ishte në të drejtën e saj e që ishte edhe vlerë e botës Perëndimore, e fitoi jo vetëm mbështetjen politike, por edhe ushtarake të Perëndimit, në krye me SHBA dhe NATO-n dhe në fundshekullin e kaluar, ajo e nisi rrugëtimin e saj e ndaras nga pushtuesi shekullor i saj - Serbia.

E dalë si e sfilitur nga lufta, me pasoja e plagë të mëdha, me mijëra të vrarë e të zhdukur, e shkatërruar ekonomikisht dhe e vrarë shpirtërisht, me qindra mijëra njerëz të degdisur nëpër dynja, Kosova hapëroi e vendosur në shekullin e ri.

Për këta 20 e sa vjet, me ndihmën e pakursyer të demokracive perëndimore, ajo arriti ta përfundojë procesin e rindërtimit, të mbajë zgjedhje të lira, t’i krijojë institucionet dhe administratën shtetërore, ta shpallë pavarësinë e saj e cila sot njihet nga 100 e sa shtete, ta krijojë ushtrinë e vet, të sigurojë qëndrueshmëri financiare si dhe të rreshtohet shumë seriozisht në aspiratën e saj për integrim në BE dhe anëtarësim në NATO.

Si një demokraci e re dhe e brishtë, e përballur më sfida të shumta të shtet-ndërtimit, Kosova me të drejtë u vlerësua si një storie suksesi, duke qenë edhe në prag të arritjes se marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë.

Por beftas ndodhi viti i mbrapshtë, i cili rrezikoi rikthimin e Kosovës në vitin zero!?

Ishin disa vendime të kryeministrit aktual e të qeverisë së tij, të cilat Kosovën brenda natës e shndërruan në një vend problematik.

Kryeministri e presidentja, nuk insistuan në lidershipin amerikan për marrëveshjen e madhe për njohje me Serbinë, që do të nënshkruhej në Washington dhe kjo rrezikoi gjithë procesin.

Pushtetarët në ardhje përmbysen projektin energjetik “Kosova e Re”, i cili nga janari i vitit 2023 do të prodhonte 500 megavatë. Kosova do të bëhej fuqi energjetike në Ballkan dhe nuk do të mbetej në terr edhe verës, siç ndodhi në këtë vitin e mbrapshtë, e aq më pak e varur nga mafia energjetike.

Pa asnjë arsye ekonomike ose të sigurisë, kryeministri refuzoi projektin amerikan të gazsjellësit Shkup-Prishtinë, që ishte një tjetër goditje e rëndë për ekonominë dhe sigurinë e Shtetit.

Qeveritarët e rinj, i hapën derën “pushtimit ekonomik serb” të Kosovës, duke mos zbatuar as reciprocitetin ekonomik e as taksën qindpërqind.

Ata në vend që të merreshin me projekte strategjike për vendin, filluan të merreshin me “armiqtë e tyre të brendshëm”, duke i goditur me radhë:

Veteranët u përjashtuan nga paga minimale;

Mësimdhënësit dhe nxënësit u lanë jashtë shkollës për një muaj e sa;

E bllokuan Ligjin e Pagave;

I përgjysmuan pagat prokurorëve e gjyqtarëve;

Nuk i dolën në ndihmë qytetarit, në krizën më të thellë ekonomike duke i mbajtur të bllokuara rreth 700 milionë euro në “bunkerin e tyre financiar;

Bllokuan tërheqjen e Trustit si masë emergjente mbijetese;

Bllokuan projekte buxhetore për komuna;

E ndan shoqërinë në “Ne dhe Ata”, një koncept ky puro komunist.

Gjatë këtij viti, gjendja ka agravuar edhe në planin ndërkombëtar. Është dobësuar pozicioni i vendit edhe për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA dhe BE dhe kjo e ka rehabilituar e forcuar regjimin anti-Kosovë të Vuçiqit.

Kryeministri nuk e kishte pranuar propozimin amerikan për shtyrjen e marrëveshjes për targat për disa muaj, që Kosova të kishte një situatë krejtësisht tjetër dhe Serbia do të ndodhej në një pozitë të vështirë për të ndërmarrë veprime destabilizuese në veri.

Kjo d.m.th. se nuk do të lejohej destabilizim i mëtejmë dhe gjithë presioni do të bartej mbi Serbinë, e do të rritej trysnia për marrëveshjen finale për njohje.

Kryeministri, në vend që të përfillte kërkesën amerikane, e zgjodhi një rrugë të veten të çuditshme të veprimeve të njëpasnjëshme, në kundërshtim me pozicionin amerikan e në dëm të vendit dhe bëri që ne si vend të gjendemi në një situatë të vështirë e të shndërrohemi edhe në fajtor për gjendjen e krijuar në veri.

Askush nuk e beson se regjimi në Serbi është paqësor, se nuk ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, se nuk përfaqëson interesat ruse për destabilizimin e Kosovës e të Ballkanit, por askush nuk duhet t’i mbyllë sytë e ta amnistojë kryeministrin për gabimet e tij, të cilat bënë që bandat dhe krimi ta marrin kontrollin në veri.

Kosova t’i gjykojë drejt edhe veprimet e veta dhe të institucioneve të saj.

Refuzimi i rrugës amerikane, ishte në shërbim të interesave ruse dhe serbe për destabilizimin e veriut dhe të rajonit.

Por a mundet që pas një viti të mbrapshtë, Kosova të kthehet në drejtimin e duhur!? Sigurisht se po, por me kusht që udhëheqja e shtetit, të mos ndërmarrë asnjë hap krye në vete e pa koordinim me partnerët strategjikë, SHBA dhe BE, aq më tepër për procese nga të cilat varet perspektiva euro-atlantike e vendit.

Të kuptohet përfundimisht se me Serbinë nuk mund të merremi vesh pa ndihmën e Amerikës.

Në planin e brendshëm, duhet që menjëherë të zbatohet Ligji i Pagave, të rikthehen pagat e prokurorëve e gjyqtarëve, të zhbllokohen mjetet e grumbulluara financiare të cilat po zhvlerësohen përditë dhe të lëshohen në qarkullim, të ndërhyhet në zbutjen e krizës ekonomike si pasojë e rritjes enorme të çmimeve, të lejohet tërheqja e një përqindjeje të Trustit Pensional, të rikthehet projekti i ndërtimit të termocentralit me qymyr, të rikthehet projekti amerikan për gazin e të rishikohen plot vendime të tjera të dëmshme për ekonominë dhe sigurinë.

Dhe më në fund të hiqet dorë nga strategjia, për ta ndarë shoqërinë në “Ne dhe Ata”, dhe të mos shfrytëzohen “aradhat fashiste të rrjeteve sociale” te të cilat vlon urrejtja ndaj kundërshtarëve të brendshëm, duke mos kursyer as partnerët tanë të jashtëm.

Ne jemi pak për t’u ndarë, dhe të ndarë e pa miq e kemi të pamundur ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur dhe kështu na ndodhi ta jetojmë një vit të mbrapshtë.

Prandaj kërkohet mobilizimi i të gjithëve që, përpos mbylljes së kapitullit për njohje me Serbinë, ta rrisim sigurinë e shtetit, ta avancojmë zhvillimin ekonomik, me gjithë kapacitetet që kemi në vend e në diasporë, ta luftojmë krimin, korrupsionin e dhunën e çdo lloji... Më një fjalë ta bëjmë të jetueshëm këtë vend.

*Autori është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Artikuj të ngjashëm